Dy apo më shumë zotërinj

Nov 4, 2013 | 12:26
SHPËRNDAJE

TEUTA TOSKA

  Emërimi i dy drejtoreshave të reja në dy institucione shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar është një ndër temat më të nxehta në media, por edhe në biseda mes njerëzish të thjeshtë, profesionistë ose jo, dashamirës ose jo, një debat madje edhe me qëndrime feministe ose jo etj.
Në fakt, këto emërime janë më tepër se vendime që i takojnë politikës, pasi duket se po prekin shumë pikëpamje, qëndrime, gjykime e paragjykime të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Por çështja më e rëndësishme është nëse do t’ia dalin apo jo këto profesioniste të reja të sjellin ndikimin që pritet apo që na është premtuar? Nuk desha të merrem me çështjen nëse u takon të jenë apo jo aty ku janë sot. Unë jam pjesë e gjithë atyre shqiptarëve, të cilët kanë parë këto vite emërime politike nga më të habitshmet. Ndoshta jo aq në nivelin qendror, por në nivel vendor kemi parë pazakonshmëri deri parodike. Kështu që nuk i përkas grupit të njerëzve që janë habitur.
Do t’ia dalin apo jo? Ato vetë deri tani kanë thënë se do t’ia dalin, dhe me shumë siguri. Ky është një qëndrim i mirë për atë që ka filluar një punë që është më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar nga sa mund ta mendojë një njeri i zakonshëm.
Unë mendoj se me siguri mund t’ia dalin nëse do t’i binden ligjit të shtetit shqiptar, sikurse e kanë thënë vetë deri tani. Nuk ka asnjë të re në këtë që po them dhe në ato që ato kanë thënë. Ligji dhe kaq. Për këtë nuk u dashka ndonjë zotësi e madhe. Mund ta bëjë çdokush. Mund ta bëjë çdokush?
Por çështja është pikërisht këtu, te zgjedhja për t’iu bindur vetëm ligjit. Pa kompromis.
Kohë më parë një njeri i famshëm u pati thënë, në një nga bisedat e tij, nxënësve të vet: “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet njërit dhe do ta përçmojë tjetrin…”. (Ungjilli sipas Mateut 6:24). Çështja duket e thjeshtë, të paktën në pamje të parë. Nëse do t’i shërbesh dikujt a diçkaje, nëse do ta bësh mirë e si duhet, duhet të harrosh përkushtimin ndaj gjithçkaje tjetër. Por a është e lehtë?
Me ç’kemi parë këto vite, në jetën e një nëpunësi të administratës së shtetit shqiptar ka më shumë se një zotëri të cilit duhet t’i shërbesh dhe t’i japësh llogari në fund.
Zotëria i parë është (apo duhet të jetë) shteti, ligji i shtetit shqiptar. Ligji i shkruar dhe detyra e udhëzime që burojnë prej tij janë baza e institucionit shtetëror të përbërë nga punonjës që e drejtojnë sjelljen dhe performancën e tyre prej ligjit dhe vetëm prej ligjit. Ky zotëri, ligji i shkruar, është i ftohtë dhe i rreptë. Shtetasi përballet me të dhe kthehet mbrapsht kokulur dhe supevarur. Ky zotëri është mbrojtja më e mirë e shërbëtorit të vet, pikërisht sepse me të nuk mund të komunikohet dhe kështu nuk mund të bëhet kompromis me të. Pikërisht sepse ndryshon aq rrallë. Ti e dëgjon atë, por ai nuk të dëgjon ty. Ai flet me ty, por ti nuk flet dot me të dhe ti nuk e ndryshon dot këtë. Ai është i heshtur, por kur i afrohesh bubullon. Ai është një zotëri që ndryshon rrallë. Nëse ndryshon shpesh, atëherë nuk quhet më i tillë.
Zotëria i dytë është partia në pushtet ose palë me pushtetin. Ky zotëri i dytë është herë i ngrohtë e herë i ftohtë, herë i rreptë dhe herë aq elastik. Ky zotëri të merr në telefon, të thërret në forume, të fton për kafe, në të ngrëna e të pira, të premton karrierë dhe shpërblime, mediatizim dhe njohje të shpejtë, e për këtë është më i pëlqyeshëm. Ndërsa ligji nuk bën asnjë nga këto: si mund ta duash atëherë? Zotëria i dytë ndryshon aq shpesh, madje përditë. Ti mund të flasësh me të dhe ti mendon se të dëgjon. Ky zotëri na thotë se e bën ai zotërinë e parë (ligjin) dhe ka fuqinë ta ndryshojë, kështu që më mirë t’i shërbesh atij. Individi përballet me këtë zotëri dhe kthehet buzagaz, me shpresë se në të ardhmen diçka do të ndryshojë. Herë të tjera buzagazi është prej shpërblimit që ke marrë prej bindjes. Por është një zotëri që nuk të mbron. Ligji zë në grackë gjithnjë shërbëtorin, sepse zotërinjtë janë zotërinj dhe mund të merren vesh mes tyre.
Ka edhe zotërinj të tjerë: që nga Zoti (më së pari për disa) apo deri te vetja, suksesi yt, promovimi yt, fama jote. Një grua shumë e njohur ka thënë para disa kohësh: “Nëse ti vendos (si qëllim) të jesh i/e pëlqyer, duhet të përgatitesh të bësh kompromis për gjithçka dhe në çdo kohë dhe nuk do të arrish asgjë” (M. Thatcher).
Por, Njeriu i Mençur tha se nuk mund t’u shërbesh dy zotërinjve në të njëjtën kohë. Aq më tepër tre të tillëve. Sepse ose do të përçmosh ligjin e do të nderosh partinë, ose do të urresh partinë dhe do të duash ligjin. Aq më tepër kur hyn edhe suksesi vetjak në lojë. Mirë është që drejtoret e reja ta dinë këtë gjë që në fillim, bashkë me shumë të tjerë që kanë marrë këto kohë detyrat e reja pa zhurmë e lodra mediatike.
Se çfarë kemi parë gjithë këto vite me punonjësit e administratës, është e tepërt ta shkruaj. Por, nga ana tjetër, me bindje them se kam parë njerëz që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vetëm një zotërie. Dhe këta i kanë marrë shpërblimet nga zotërinjtë e tyre. Disa po i kalojnë këto ditë në qetësi dhe po flenë në paqe e disa të tjerë po presin buzëvarur ditën fatlume kur të marrin shpërblimin në rotacionin e zakonshëm politik të radhës.
*Zv.dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura