“Dy ambasadorë të rëndësishëm u puthën në buzë për ndryshimet kushtetuese, por ata lejuan…”- Meta: Nuk pres zgjidhje nga ndërkombëtarët

Feb 24, 2020 | 23:39
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta thotë se nuk pret ndonjë zgjidhje nga ndërkombëtarët për situatën në të cilën ndodhet vendi, duke shtuar se nuk “pres zgjidhjen te diplomatë që sot janë në Shqipëri, dhe nesër ikin në Taxhikistan, apo ikin në Afganistan apo dalin në pension”.

5e543287d1db2donald-lu

Duke nënkuptuar ish-ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ish-ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, Meta tha për gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv, se ata u puthën në buzë kur u miratuan ndryshimet kushtetuese me konsensus të plotë.

Gazetari: Ju vetë si kryetar shteti, por edhe vetë drejtuesit e opozitës, a u shantazhuat, a u trembët nga telefona e Ndihmës Zëvendëssekretarit të Shtetit, Palmer?

Presidenti Meta: Ju nuk jeni këtu për të bërë shaka! Unë kam respekt për të gjithë partnerët dhe kam folur me ta për të gjitha këto shqetësime me të cilat po ndeshet Shqipëria. Dhe për fat të keq i kam parashikuar prej kohësh. Se ç’po bëjnë ata, kjo është përgjegjësia e tyre. Veprimet e mia janë të drejtpërdrejta, janë tepër korrekte dhe koha më ka dhënë mua gjithmonë të drejtë në të gjitha veprimet dhe qëndrimet e mia. Se çfarë ka bërë opozita, është çështje e opozitës, nuk është çështja ime.

Gazetari: Ju keni një kalendar. Si mund të zgjidhet kjo krizë? Çfarë keni domethënë? Nga kontaktet me ndërkombëtarët? A ka një projekt të darkodësuar nga të gjithë?

Presidenti Meta: Zgjidhja …, nuk pres ndonjë zgjidhje nga ndërkombëtarët. Ata po të donin zgjidhjen e kishin dhënë këtu. Zgjidhjet kanë qenë këtu. Zgjidhjet janë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që ne e kemi bërë bashkë me ndërkombëtarët. Dhe për atë Kushtetutë që u votua me 140 vota, ne na u puthën në buzë dy ambasadorë të rëndësishëm, nga gëzimi i madh që u bë me konsensus! Ashtu sikurse për fat të keq bekuan kapjen antikushtetuese të Prokurorisë me 69 vota, në kundërshtim të hapur me përcaktimin kushtetutes të 84 votave.

Tani nuk jam duke i hyrë kësaj çështjeje. Nuk e pres zgjidhjen te diplomatë që sot janë në Shqipëri, dhe nesër ikin në Taxhikistan, apo ikin në Afganistan apo dalin në pension. Unë zgjidhjen e pres vetëm te respektimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe populli shqiptar duhet ta kuptojë se mund t’i mbrojë të drejtat e veta, vetëm duke mbrojtur Kushtetutën e Republikës dhe duke i treguar vendin kujdo, që nga Presidenti i Republikës dhe cilitdo tjetër që cenon Kushtetutën. Ky është themeli që i bashkon të gjithë shqiptarët dhe është e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona të përditshme dhe të përhershme! Sepse janë mosmarrëveshje që vinë vetë nga ekzistenca e demokracisë. Prandaj unë kam thirrur popullin. Populli duhet të thotë fjalën e tij! Dhe unë kam besim se populli shqiptar do ta thotë fjalën e tij.

Gazetari: Çfarë duhet të bëjë populli?

Presidenti Meta: Populli në radhë të parë, me pjesëmarrjen. Pastaj të tjerat do t’i komunikojmë në miting. Në manifestim. Kjo është fjala më e mirë.

Gazetari: Dakord. Ju e thirrët popullin, mirëpo populli opozitar, ose më saktë drejtuesit e popullit opozitar hezituan t’i përgjigjeshin thirrjes suaj. Në mos gabohem ju deklaratën e keni bërë…?

Presidenti Meta: Unë nuk kam pasur asnjë preferencë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura