‘Dy akuzat në ‘80 për motrën dhe për takimin me Camajn’, rrëfimi i ish-kryehetuesit për Kadarenë: Kishte për të qenë me kohë në burg, por e shpëtoi…

Aug 21, 2020 | 12:51
SHPËRNDAJE

kadare enver

Sot, të gjitha faktet janë të mjaftueshme për të vërtetuar se shkrimtari Ismail Kadare ka qenë nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit.

Madje, jo vetëm ai, por e gjithë familja ka qenë e survejuar. Këtë na e thotë ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili, në librin e tij “Dritëhijet e kohës”, botim i shtëpisë botuese “Neraida”, ndalet te mënyra sesi regjimi i përdorte shkrimtarët dhe artistët dhe në mënyrë të veçantë në përndjekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.kadare

Ai tregon se Kadare është thirrur për këshillim nga dy sekretarët e partisë, Simon Stefani dhe Xhelil Gjoni. Atij i është vënë në dijeni “veprimtaria armiqësore” e së motrës së tij, Kadrije Kadare, e cila sipas tyre, shoqërohej me Safo Markon dhe Asamble Totozanin dhe flisnin keq për udhëheqjen.

Sipas Lames, ky ishte një kërcënim i hapur ndaj Kadaresë, ashtu si edhe veprime të tjera, si akte rrugaçërie, thyerje xhamash e kritika për takimin me shkrimtarin “armik”, Martin Camaj.

Lame tregon gjithë mekanizmin sesi funksiononte shtrëngimi dhe kërcënimi ndaj personaliteteve të njohura, si Kadare, që u hapnin rrugën veprimeve të tjera, si arrestimi e dënimi.qemal lame

QEMAL LAME

Ismaili dhe familja e tij kanë qenë në ndjekje të vazhdueshme për veprimtarinë e tyre, që vlerësohej se ishte e dyshimtë dhe në kundërshtim me politikën e udhëheqjes. Qëndrimet e tyre janë vlerësuar armiqësore.

Për këtë arsye janë ndërmarrë edhe masat e kërcënimit direkt dhe të motivuara për të ndikuar që të ndryshojnë bindjet e tyre politike. Në vitin 1980, Ismail Kadare është thirrur në Komitetin e Partisë së rrethit të Tiranës nga dy sekretarët, Simon Stefani dhe Xhelil Gjoni, për t’i komunikuar një vendim me pasoja politike.

Komiteti Qendror dhe Komiteti i Partisë në rreth ishin në fakt organet që kishin të drejtën të vendosnin dhe të urdhëronin për masat politike, ligjore dhe për zbatimin e politikës penale për çështjet që ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit, si dhe të ndërhynin edhe në organet e drejtësisë për ndalimet, arrestimet e dënimet. Kjo argumentohej me propagandën se Partia është forca udhëheqëse e parashikuar në Kushtetutën e RPSSH-së. Qëndrimet e Komitetit të Partisë të rrethit miratoheshin më parë në Komitetin Qendror.qemal lame

Ismaili ishte thirrur zyrtarisht nga këta dy funksionarë të lartë partiakë “…për t’i njoftuar se kishte prova dhe ishte vërtetuar se motra e tij, Kadrije Kadare, ishte dëgjuar të fliste ‘kundër shtetit'”. Nga sqarimet më të plota i është bërë e ditur se ajo mblidhej shpesh me disa shoqe, midis së cilave bënte pjesë edhe piktorja Safo Marko, gruaja e shkrimtarit Petro Marko, si dhe Asamble Totozani, e cila ishte e arrestuar dhe vazhdonte të ishte në hetim për akuzën e agjitacionit dhe propagandës, të parashikuar nga neni 55 i Kodit Penal. Të dhënat vërtetonin se ndërsa pinin kafe, ato merrnin nëpër gojë shtetin dhe flisnin kundër udhëheqjes.

Po kështu, ishte e dyshimtë miqësia e saj me disa të huaja; theksohej se Kadrija shoqërohej edhe me disa gra ruse të mbetura në Shqipëri. Duke u bazuar në këto të dhëna, sqarohej përfundimi dhe komunikohej zyrtarisht vendimi se “kishte për të qenë me kohë në burg, në qoftë se nuk do të ishte motra e tij”. Këto publikohen qartë edhe nga vetë Ismail Kadare.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Nga të dhënat e publikuara mësohet se edhe këto tri familje të njohura për kontributet e tyre ndiqeshin padrejtësisht nga Sigurimi i Shtetit. Krahas familjes Kadare, edhe familja Totozani dhe ajo e Markos kanë qenë objekt i ndjekjes operative.

Për familjen Totozani pretendohej dhe argumentohej kjo masë pasi kërkohej të dihej më shumë për qëndrimin e tyre aktual, pasi ruheshin të dhëna për pikëpamjet dhe reagimet e tyre politike. Ndërsa për familjen Marko nuk ka pasur probleme të kësaj natyre, që mund të përdoreshin si pretekst për ndjekjen operative.

Petro shquhej për guximin e tij si himarjot, kur që i ri student në Athinë deklaroi se e kishte për nder që ishte shqiptar dhe Himara është shqiptare, duke iu kundërvënë propagandës shoviniste zyrtare të VorioEpirit dhe kishës ortodokse greke. Për t’i shpëtuar ndjekjes, arrestimit apo asgjësimit të tij, si shumë figura të shquara shqiptare, ai shkoi në Spanjë. Petro ishte luftëtari shqiptar që mori pjesë në Luftën e Spanjës kundër diktatorit Franko. Për këto merita ai është vlerësuar dhe dekoruar publikisht. Ndërsa në fshehtësi familja e tij ishte objekt i ndjekjes.

Këto familje, si dhe shumë familje të tjera të shquara të kohës, të ndjekura dhe persekutuara padrejtësisht, meritonin vlerësimet, nderimet dhe mbrojtjen nga shteti dhe jo ndjekjen e fshehtë agjenturore. Njëkohësisht, duke analizuar këto të dhëna për këto familje, edhe në aspektin e respektimit të ligjeve e të rregullave të shkruara që vepronin në atë kohë, ishte e domosdoshme të urdhërohej që të ndërpritej menjëherë puna operative, edhe në rast se rastësisht ajo do të ishte bërë objekt i kallëzimit, letrave anonime, provokimit, dëgjimit, survejimit etj., pikërisht për shkak të qëndrimeve politike të këtyre personave që njiheshin publikisht dhe historikisht.

Por ligjet dhe rregullat e shkruara në letër, si një masë për të mbajtur kurdoherë nën kontroll punën operative për interesat e udhëheqjes së Partisë së Punës, nuk zbatoheshin asnjëherë dhe shkeleshin me arrogancë për interesat e po kësaj udhëheqjeje. Politika e zbatuar për të pasur nën kontroll të plotë persona dhe familje të dyshuara nuk ndalej nga kriteret ligjore dhe normat operative, duke shkelur edhe norma elementare të lirisë së mendimit dhe shprehjes.Petro Marko me gruan

Në bazë të platformës së punës operative të Sigurimit të Shtetit, të miratuara nga Sekretari i Parë i KQPPSH, këshillimi për një vepër penale, si agjitacioni dhe propaganda kundër shtetit, kishte fuqinë ligjore të masës së marrë për një faj, që është vërtetuar në rrugë operative nga Sigurimi i Shtetit se është kryer. Personi i këshilluar nuk do të kallëzohej në Hetuesi për të vazhduar më tej procedura e hetimit dhe gjykimit. Ai paralajmërohej se në rast se përsëriste të njëjtat veprime, do të kallëzohej dhe do të dënohej penalisht.

Vendimi i këshillimit kishte rëndësinë e vendimeve ligjore të organeve të drejtësisë, të Hetuesisë dhe Gjykatës. Ky person do të kishte pasoja politike. Megjithëse nuk kishte dispozita ligjore konkrete, ai realisht kufizohej në liritë dhe të drejtat, në punësim, për të studiuar, i ndalohej dalja jashtë shtetit etj. Në bazë të këtyre kritereve, kuptohet se është paralajmëruar edhe personi i familjes që thirret dhe i njoftohet kjo masë parandaluese. Indirekt bëhej edhe kërcënimi me pasojat penale edhe i pjesëtarit të familjes.

Në rastin e Kadries, sipas të dhënave të njohura, ajo kishte folur edhe për të vëllanë e saj, Ismailin. Pra, edhe Ismaili ishte implikuar në veprimtarinë armiqësore për agjitacion dhe propagandë. Për këto arsye, ai thirrej, i komunikohej vendimi dhe paralajmërohej për të motrën dhe, në fakt, edhe për atë vetë, duke e paralajmëruar:

Martin Camaj dhe bashkëshortja e tij, Erika
Martin Camaj dhe bashkëshortja e tij, Erika

“Të njoftuam të jesh në dijeni të problemit”. Këtë manovër politike nuk kishte se si ta njihte në atë kohë Ismaili. Megjithatë, me sinqeritet ai ka reaguar duke thënë:

“Ju faleminderit. Po unë s’kam ç’i bëj asaj”.

Më tej është thënë se: “Sidoqoftë, ti je i vëllai”. Ismaili ka vazhduar me zgjuarsi dhe qetësi të sqarojë mendimin e tij se:

“Ajo s’është në rregull, e di. Besoj se edhe mua më merr nëpër gojë”. Këtë qëndrim e kanë pranuar edhe dy sekretarët e partisë, duke thënë:

“Në të vërtetë, ashtu është”. Mund të mendohet se e motra dhe ai, pas këshillimit, i kanë shpëtuar ndjekjes?! Faktet tregojnë se ndjekja është intensifikuar më tej. Organet e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit është falënderuar për realizimin e përpunimit të një çështjeje të këtij niveli, me objekt një familje të njohur dhe me kontribut të veçantë. Pas këshillimit zyrtar, dihet dhe kuptohet se Sigurimi do të merrte detyra të tjera për të vazhduar kontrollin dhe realizimin e goditjes në rastin më të volitshëm. Kështu është vepruar edhe në rastet e tjera.

Vetëm ata që kanë pranuar të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit u kanë shpëtuar masave të arrestimit dhe dënimit. Praktika tregon se në disa raste tipike, edhe këta të këshilluar, janë dënuar për interesa agjenturore të Sigurimit të Shtetit.

Kërcënimi dhe paralajmërimi i bërë ndaj familjes Kadare, ndaj motrës dhe vëllait, në vitin 1980, përmban në thelb përballjen me forcën e shtetit, me pasoja të rënda, që mund të merreshin për veprimtarinë armiqësore, të zhvilluar nga motra e tij, Kadrije Kadare, ku përfshihej edhe vetë ai.

Vënia në dijeni për të dhënat për motrën e tij, ishte në fakt në përmbajtje, edhe një akuzë direkte se Ismaili dhe familja e tij kishte zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit. Ismaili ishte personi që kishte përgjegjësinë kryesore për këtë veprimtari të zhvilluar dhe të dokumentuar nga të dhënat prej disa personave. Për këtë qëllim, është manipuluar në rrugë operative, hetimore dhe gjyqësore, duke mbledhur dhe administruar edhe prova të tjera ligjore.

Në rast se këshillimi do të ishte një gjest miqësor dhe për të mbrojtur emrin e mirë të kësaj familjeje, atëherë do të bisedohej miqësisht, do të flitej me dashamirësi dhe nuk do të kishte arsye që të theksohej qëndrimi kundër shtetit dhe udhëheqjes, nuk do të bëhej kërcënimi se po të mos ishte motra e Ismailit, ajo do të dënohej etj.

-Kërcënimet përbëjnë edhe veprimet e kryera nga persona të panjohur, duke krijuar shqetësime familjare dhe precedentë publikë. Ato janë shoqëruar edhe me thirrjet e hapura me akuzat për bashkëpunim me komplotin e Mehmet Shehut, si agjent i borgjezisë etj.

Në 28 janar, 1982, në ditëlindjen e Ismailit e në vazhdim, nga persona të paidentifikuar, bëheshin akte rrugaçërie pranë shtëpisë së tij, si shqetësimet me goditje me gurë, thyerjet e xhamave, goditjet e derës së apartamentit etj., të cilat përbënin kërcënim dhe pasiguri për jetën dhe sigurinë e tyre si qytetarë.

Familja është ndierë e shqetësuar. Me gjithë vlerësimin që ajo ka pasur për Policinë, nuk janë ndërprerë shqetësimet, nuk janë zbuluar autorët e këtyre veprave, nuk janë bërë kallëzime në Hetuesi dhe nuk është ndierë përgjegjësia përpara ligjit për këto vepra nga autorët e tyre. Këto vepra nuk mund të ishin të rastësishme. Metoda të tilla janë përdorur edhe ndaj personaliteteve të tjera, para se të demaskoheshin publikisht, të arrestoheshin dhe të dënoheshin.

-Kërcënimi tjetër i Ismailit, në vjeshtë të 1981, për takimin direkt me shkrimtarin Martin Camaj, të vlerësuar nga Partia si armik, tregon për vazhdimësinë e masave të marra. Thirrja e tij në Komitetin Qendror tregonte se ishte kryer një veprim jashtë normave të lejuara dhe ai kishte përgjegjësi të rëndë për takimin me njerëz të deklaruar si armiq nga Partia. Ismaili e ka sqaruar qartë këtë takim, siç shkruan Elena:

“Disa ditë pas kthimit nga Franfurti, Ismailin e kishin thirrur në Komitetin Qendror për t’i tërhequr vërejtje për takimin me Martin Camajn. Ai nuk kërkoi t’i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik?”.

Ai i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë”.

Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: “Takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore”. Në rast se do të ishte biseduar që të vinte në formë miqësore, duke pasur respekt për të, atëherë nuk kishte arsye që të përdorej presioni i forcës së pushtetit të Komitetit Qendror. Ismaili dhe Martin Camaj duhet të vlerësoheshin dhe jo të ndiqeshin në atë mënyrë.

-Kërcënimi me kritika të drejtpërdrejta dhe publike për pasojat e veprimtarisë së tij nga librave “Pallati i ëndrrave” dhe “Gjakftohtësia” (“Koncert në fund të dimrit”) përbëjnë dokumentet ku është mbështetur propaganda kundër tij dhe kanë shërbyer për të vazhduar ndjekjen e mëtejshme.

-Kërcënimi me kritika të drejtpërdrejta dhe publike në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 17-18 mars, 1982 përbën fazën më të rëndë të përballjes me opinionin publik dhe procesin e realizimit të vendimit për fatin e tij në të ardhmen.

Duke vlerësuar gjendjen politike, situatën e pasigurisë për personalitetet e shquara që njiheshin si të dyshimta dhe vlerësoheshin si kundërshtarë të rrezikshëm politikë për udhëheqjen e asaj kohe, kërcënimet dhe ankthin për arrestimet për komplotistët dhe dhunën e hapur ose edhe atë të maskuar me presione dhe shantazhe të gjithanshme ndaj tij si person dhe ndaj familjes, është e domosdoshme të theksohet dhe të sqarohet se vihej realisht në dyshim jeta dhe ekzistenca e tij në të ardhmen.

Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi. Sigurisht që edhe për këtë ka pasur ndikim qëndrimi i mbajtur nga Enver Hoxha, pasi do të rrezikoheshin edhe interesat e pushtetit të tij. Ismaili ishte personaliteti më i shquar në letërsi, vlerësohej nga populli dhe opinioni publik ndërkombëtar. Në popull po rriteshin pakënaqësitë dhe situata kishte filluar të dilte jashtë kontrollit. Njerëzit nuk po bindeshin më si më parë, me mirënjohje.

Por mendonin, analizonin situatën dhe qëndrimet e udhëheqjes, kishin filluar të ishin më të guximshëm për vlerësimin e shkeljes së Kushtetutës, ligjeve, rregullave si dhe devijimeve nga parimet e drejta politike, të ngrinin edhe versione me dyshime dhe akuza ndaj udhëheqjes së Partisë së Punës, veprimtarisë së fshehtë të Sigurimit të Shtetit, masave të komanduara të dhunës shtetërore, drejtësisë së Gjykatës që jepte që jepte vendimet e dënimit, të caktuara më parë nga udhëheqësi. (Vijon)

LEXO EDHE

“Do arrestohej e dënohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut”, Qemal Lame i përgjigjet Rrapi Minos: Ti ishte njeriu “Yes”, i bindur verbërisht ndaj udhëheqjes. Mirë do ishte të reflektoje për prangosjet e…

Ekskluzive/ “Nuk e kam parë asnjëherë dosjen sekrete që thotë Qemal Lame”, kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist: Për arrestimin e Kadaresë nuk…

“Ai e ka vendin në burg, por…”, ish-kryehetuesi zbulon porositë e Enverit: Si u bind të mos e arrestonte Ismail Kadarenë

Ekskluzive/ “Ramiz Alia e Hekuran Isai ishin gati që t’i vinin prangat”, ish-kryehetuesi zbardh raportin sekret: Ç’më tha Enveri për Ismail Kadarenë, pasi e lexoi…

“Kadaresë i ishte përgatitur arkivoli”, zbardhet ditari i ish-kreut të Hetuesisë. Zbulohet biseda mes Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait: Është urdhër i Enverit, mos u mendo…

E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë/ “Shtrigat” dhe “Krokodili”, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore. U asgjësuan në…

‘Të arrestohet! Mos veproni menjëherë!’, Ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen telefonatat me Enverin e Ramizin për prangosjen e Kadaresë: Kur u dha urdhri, ish-diktatori porositi që…

“Atij qelbësirës i është rritur mendja”, Ish-kryehetuesi rrëfen takimin me Enverin dhe urdhrin që i dha për Kadarenë: Të shkojë në hale të gomarëve, deri javën tjetër…

Plani për eliminimin e Kadaresë/ Ilir Demalia reagon ndaj Qemal Lames: Instrument i paranojave të Enver Hoxhës. Pse ish-kryehetuesi është falsifikator

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura