Dy adoleshente ikin nga shtëpia, policia i gjen në Greqi dhe Gjermani

Feb 9, 2016 | 8:33
SHPËRNDAJE

Dy vajza adoleshente largohen nga shtëpia pa dijeninë e prindërve dhe zbulohen se kanë kaluar kufirin shqiptar. Njëra është zbuluar se ndodhet në Greqi, tjetra në Gjermani. Prindërit kanë denoncuar largimin e tyre në Komisariatin nr.5, në Kamzë.

Policia-e-TIranes-maj-2015

Burime nga Policia e Tiranës thanë se disa ditë më parë, më 29 janar të këtij viti, shtetasi A.K. kishte denoncuar largimin e të bijës 16-vjeçare, E.K. dhe pretendonte se nuk kishte pasur asnjë komunikim me të.

Ndërsa të shtunën, ai është paraqitur në Komisariatin nr.5, ku ka treguar se rreth orës 10:40 të datës 5 shkurt kishte arritur të komunikonte me vajzën. Sipas tij, e bija ishte shprehur se ndodhej në Lingon të Gjermanisë, ku kishte shkuar për të gjetur punë dhe refuzonte të kthehej në shtëpi. Burimet thanë se është kontaktuar edhe nga ana e Policisë me vajzën e larguar dhe ajo thotë se është larguar me dëshirën e saj.

Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për një shtetase të mitur, është bërë shpallja e saj në kërkim dhe është kërkuar bashkëpunim nga autoritetet gjermane për gjetjen dhe kthimin e saj në Shqipëri.

Ndërsa dy ditë më parë, një tjetër adoleshente është denoncuar si e humbur nga familja e saj. Burimet thanë se 45-vjeçari S.B., banues në fshatin Valias, ka denoncuar në Komisariatin e Kamzës se vajza e tij 15-vjeçare, me iniciale O.B., ishte larguar nga shtëpia rreth orës 09:30 të së premtes dhe nuk ishte kthyer më. Nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë, është zbuluar se ajo kishte kaluar e vetme kufirin me Greqinë dhe aktualisht ndodhej në shtetin helen.

Policia ka arritur të kontaktojë edhe adoleshenten e dytë, e cila po ashtu pretendon se është larguar me dëshirën e saj nga shtëpia për të punuar në Greqi dhe nuk pranon që të kthehet. Vajzës i është bërë e ditur nga oficeri i Policisë që duhet të kthehet me dëshirë, në të kundërt do të kërkohet kthimi i detyruar nga ana e autoriteteve greke, megjithatë ajo sërish ka refuzuar.

Njësoj si për rastin e parë, duke qenë se vajza është e mitur, Policia ka bërë shpalljen në kërkim duke kërkuar nga Policia greke gjetjen dhe kthimin e saj në Shqipëri. Burimet thanë se për të dyja rastet janë referuar materialet në Prokurori, për hetime të mëtejshme, pasi dyshohet se edhe mund të jenë ndihmuar për të kaluar kufirin nga persona më të rritur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura