“DWS” nis transmetimin më 15 tetor, zbulohen dy partnerët e Ami Toskës dhe VIP-at në garë

Oct 8, 2015 | 13:47
SHPËRNDAJE

Ami dhe prezantuesit e tjere

Edicioni i ri i spektaklit të kërcimit “Dancing with the Stars” do të nisë transmetimin më 15 tetor në ekranin e “Vizion Plus”, për të qenë në ekran çdo të enjte. Pas largimit të Drini Zeqos, Ami Toska këtë vit do të ketë bashkëprezantues dy partnerë të rinj, pikërisht Rudi Hizmon dhe Mateo Çelën, të cilët aktualisht moderojnë emisionin “3jat” në kanalin muzikor “Mad”. Djemtë simpatikë duket se tashmë janë kthyer ndër të preferuarit e produksioneve të rëndësishme, pasi kujtojmë se vitin e kaluar prezantuan netët finale të “Kënga Magjike” në krah të Ardit Gjebresë. Për ta ndarë me publikun këtë lajm, Ami ishte e ftuar në emision e pasdites së dy djemve, ku ka rrëfyer dhe shumë detaje nga ky spektakël që pritet të nisë së shpejti.

Ndërkaq, skenaristi i shfaqjes së kërcimit “DWS”, Eraldo Rexho, zbuloi për “Panoramën” listën zyrtare të personazheve VIP që kanë pranuar të bëhen pjesë e këtij “reality show” në ekran. Çiftet e këtij edicioni që tashmë janë në kulmin e provave janë: Albatros Rexhaj & Isida Mollaymeri, Art Abazi & Ledia Sulaj, Florian Agalliu & Lori Balaj, Mitro Çela & Ermira Behari, Niko Komani & Olta Ahmetaj, Young Zerka & Adela Lami, Adrola Dushi & Erald Zela, Ambra Meda & Jurgen Bala, Beatrix Ramosaj & Kristi Dalipi, Dorina Mema & Endri Shkoza, Rovena Dilo & Eltion Merja, Suela Konjari & Erind Sallahi. Përsa i përket jurisë që do të gjykojë kërcimet e çifteve, këtë vit do të mungojë Milaim Zeka, por do të jetë e njëjta me Ema Andrean, Alfred Kaçinarin dhe Ilir Shaqirin në krye.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura