“Dushi i ftohtë” i Makronit ndaj zgjerimit të BE në Ballkan

SHPËRNDAJE

genc burimiGENC BURIMI

Pasi i «shpërtheu» partitë e vjetra politike në Francë  ku e majta dhe e djathta janë në agoni historike, Presidenti francez po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë me partitë tradicionale që kanë zënë rrënjë në Parlamentin Europian dhe po myken aty. Fjalimi i shumëpritur i numrit një francez dje në Strasburg duhet kuptuar si një lojë shahu, ku viktimë kolaterale e përkohshme, në mos për një kohë shumë të gjatë, do të jetë projekti gjerman dhe ai i Komisionit Europian për zgjerimin e BE-së në Ballkan.

Për ironi të fatit dhe të shqiptarëve, Presidenti francez shpalli platformën dhe vizionin e tij për Europën, në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë kur në Tiranë Kryeministri i Shqipërisë i gëzohej rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Edi Rama nuk është naiv. Me ose pa fjalimin «acar» të Makronit ndaj perspektivës integruese të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama e di më mirë se kushdo se integrimi i Shqipërisë në BE nuk është çështje vitesh, por dekade, bile dekadash.

Ambicia dhe përpjekja e tij e vazhdueshme që Shqipërisë t’i hapën negociatat, duke përdorur dhe shantazhin “(rrezikun ruso-kinez)” është megjithatë e lavdërueshme për të mos thënë oportuniste. Hapja e negociatave do t’i japë akses Shqipërisë, në mos tek integrimi, më e pakta (ose më maksimalja) te fondet europiane që mund të shkojnë në miliarda. Dhe këtë «kockë», Presidenti francez nuk është aspak i prirur t’ua heqë «fukarenjve» të Ballkanit Perëndimor nëse është ky çmimi që niveli i demokracisë dhe i zhvillimit të këtyre vendeve të përafrohet me ato të BE-së.

Por më shumë, që t’ju integrojmë më pas në BE, këtë mos na e kërkoni, të paktën jo tani, ishte ky mesazhi i Presidentit francez sot nga Strasburgu që duhet kuptuar në një skemë shumë më të gjerë që do të përpiqem ta analizoj shkurtimisht në vazhdim.

E ARDHMJA E EUROPËS PËRPARA ASAJ TË BALLKANIT

Opinionet publike jashtë BE-së, domethënë ato në Ballkanin Perëndimor, kujtojnë dhe me të drejtë, se mjafton të plotë- sosh një më një kushtet për të hyrë në BE (ato që në zhargon njihen si kritere të «Kopenhagut») dhe integrimi vjen më pas natyrshëm, siç ndodhi me shumicën e vendeve të Europës Lindore nga 2004 e mbrapa.

Për më tepër që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dhe një «avantazh» më shumë që e shtyn BE-në t’i integrojë sa më shpejt, ato janë shndërruar në «gjah» për fuqi botërore dhe rajonale që nuk ndajnë të njëjtat vlera me BE-në, si Rusia, Kina, apo së fundi Turqia. Por me pozicionimin publik të Presidentit francez, zbulojmë dhe anën tjetër të medaljes. Mund të jesh fare mirë një vend që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në BE, por duke qenë brenda BE-së, vendi në fjalë i krijon shumë probleme BE-së. Kjo po i ndodh Europës sot, e cila pëson vazhdimisht veto nga vende të ndryshme për tema të ndryshme, duke vënë kështu interesin «kombëtar» para atij të bashkë- sisë europiane.

Për shembull, kur bëhet fjala për të pritur migrantë me kuota sipas çdo vendi, janë Polonia, Hungaria apo Republika Çeke që bllokojnë fuqimisht. Ose kur bëhet fjala për solidaritet ekonomik, siç u paraqit situata gjatë krizave financiare në Greqi, Portugali, Spanjë, janë vendet e veriut të Europës që bllokojnë. Ose të marrim rastin e njohjes së Kosovës, janë tre-katër vende të BE-së që bllokojnë, ndër të cilat dy fqinjë ballkanikë. Ideja e Presidentit francez është Europa mos të ketë synim të parë zgjerimin, por mirëfunksionimin brenda radhëve të saj.

Që do të thotë, po të ndiqet me kujdes vizioni i Presidentit francez, se Europa jo vetëm që nuk duhet në këto kushte të zgjerohet, por pse jo të zvogëlohet. Një Europë e gatshme të avancojë bashkërisht mund të ndahet si në rrathë koncentrikë nga ato vende europiane që bllokojnë me veto funksionimin e Europës për tema vitale në aspektin e ekonomisë, por dhe të vlerave. I mirë apo i keq, ky është vizioni i Presidentit francez: më mirë një Europë e reduktuar po ku të gjithë vendet anëtare janë solidare dhe nuk bllokojnë me veto vendimet e shumicës, sesa një mega-Europë, ku do të vazhdohet që disa t’i bien “gomarit” dhe disa të tjerë “samarit”.

Mbi të gjitha, Presidenti francez është totalisht i atashuar ndaj mirëfunksionimit ekonomiko-financiar, një fushë ku si ish-bankier, ai është një ekspert. Emanuel Makron synon një BE me një zonë euro që të ketë një buxhet të përbashkët ndërshtetëror, që do të thotë një ministër Financash i vetëm që do të menaxhojë shpenzimet publike të çdo vendi anëtar, dhe po ashtu një Parlament Europian krejt ndryshe nga ai sotmi, ku do të votohen ligje e vendime për çdo vend anëtar, domethënë një Parlament supranacional, që do të marrë kompetenca të çdo parlamenti kombëtar në disa fusha kyçe.

Pra, Presidenti francez po vizaton një arkitekturë institucionale krejt të re, thuajse revolucionare për Europën e së nesërmes, një projekt që ka kundërshtarë të panumërt, duke filluar nga Gjermania ku ish-ministri i Financave Shaubel, alergjik ndaj këtyre tezave, ka mjaft ithtarë në Bundestag! Por përballë Gjermanisë dhe Junkerit, Makron u shfaq si i prerë në qëndrimin e tij me mesazhin se vetëm kur të pranoni të diskutoni për projektin tim, një Europë më të mirë, atëherë unë do të pranoj të diskutoj për projektin tuaj për një Europë më të madhe me zgjerimin në Ballkan që nuk është fare një temë urgjente.

BETEJA E ZGJEDHJEVE EUROPIANE

Por nuk mjafton të kesh një projekt si ai Presidentit francez për ndryshime radikale në mënyrën e funksionimit të Europës. Duhen njëkohësisht dhe forca në terren për ta mbështetur këtë projekt, ose më shkoqur, një raport-force në Europë në favor të Presidentit francez. Këtë raportforce synon të modifikojë Emanuel Makron. Nëse Gjermania është shtyllë sot në Europë, kjo falë dhe një shtylle tjetër që ajo ka në favor të saj, grupin e partive popullore në Parlamentin Europian që dominohet nga CDU-ja gjermane. Si mund të dobësohet PPE-ja (grupi i partive popullore) në mënyrë që një korent tjetër politik të mbartë ndryshimet që kërkon Emanuel Makron për Europën?

Së pari, duke e përçarë, së dyti, duke bërë që të fitojë në zgjedhjet europiane të 2019-ës një grup i ri rival në Parlamentin Europian, i gatshëm të avancojë tezat e Presidentit francez. Pika e parë, dobësimi i PPE-së nuk duket shumë ë vështirë dhe Presidenti francez e bëri me «finesë» në fjalimin e tij në Strasburg pa pasur nevojë të përmendë emra të përveçëm. A mund të pretendojë aktualisht PPE-ja të jetë siç ka qenë historikisht, një grup demokrat, liberal, pro-europian, kur në gjirin e tij mban Fidesz-in e Viktor Orbanit të Hungarisë, apo partitë e djathta austriake, që janë bashkuar në koalicion me ekstremin e djathtë fashist në Austri, apo sa e sa parti të tjera në Europë që po shkojnë drejt formave autoritare, pa harruar partinë popullore spanjolle e deri te CSU gjermane e Manfred Weber-it, që ka hyrë në një garë «djathtëzimi» të skajshëm?

Edhe grupi i partive të majta në Parlamentin Europian (socialistë e demokratë) nuk është në gjendje më të mirë. Pasi e ekzagjeruan me një mbështetje absolute për pritjen e migrantëve në Europë, ky grup është dobësuar tashmë me zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe Itali ku të majtat janë në krizë. Ndaj, Makron ka një bulevard të hapur përpara tij për krijimin e një poli të ri në Parlamentin Europian. Përse mos të imagjinohet që pas (ose falë) zgjedhjeve europiane të vitit të ardhshëm një grup i ri demokrat liberal të dominojë grupet e tjera në Parlamentin Europian?

Pak a shumë si në skenarin që ndodhi në Francë, ku brenda një viti një parti e re u ngrit, ajo «En Marche» e Makronit dhe nxori jashtë lojë Partinë Socialiste të Hollandit dhe atë të djathtë të Sarkozisë. «En Marche» u krijua duke i marrë elementë edhe të djathtës, edhe të majtës. Kështu mund të ndodhë dhe në Parlamenin Europian, ku në një grup të ri të qendrës të bashkohen «En Marche» e Francës me «5 yjet» e Italisë, me qendrën e djathtë të Spanjës, me liberalët në Parlamentin Europian të kryesuar nga belgu Verhofstadt dhe me parti të moderuara të grupit PPE, pa harruar dhe të blertët gjermanë. Kjo është beteja elektorale europiane që po përgatitet dhe që do të ketë pasoja direkte në fatin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Në njërën anë, vizioni francez për «thellimin» e Europës nga brenda, në mënyrë që BE-ja t’i bëjë më mirë ballë sfidave që po paraqiten në një botë shumëpolëshe ku SHBA-të, Rusia, Kina kanë axhendat e tyre. Nga ana tjetër, vizioni gjerman për zgjerimin e Europës që të ketë më shumë tregti pa kërkuar domosdoshmërish më shumë unitet dhe solidaritet. Që Presidenti Makron t’ia arrijë qëllimit të tij, të promovojë planin e tij, i nevojitet në radhë të parë që partia e tij të fitojë bindshëm zgjedhjet europiane në Francë, për të krijuar një grup të fuqishëm, siç u tha më sipër, në Parlamentin Europian me parti të tjera aleate.

Dhe Makron e di mirë, nëpërmjet sondazheve të shumta, se nëse partia e tij “En marche”, do të guxojë të bëjë një fushatë europiane në favor të zgjerimit të BEsë në Ballkanin Perëndimor, elektorati francez do ta ndëshkojë me votë dhe projekti i tij për ndryshimin e Europës mund të dështojë. Mjafton për këtë të konsultosh komentet që kanë lënë lexuesit e shumtë të artikullit të djeshëm të “Figaro”-së online, kushtuar hapjes së negociatave me titullin «Shqipëria troket në derën e Europës». Janë 100% komente tmerrësisht negative të tipit «totalisht irrealiste», « gojë më shumë për të ushqyer” “kalë Troje i Turqisë”, “Shqipëria? Pse jo Zimbabvet?” “Stop zgjerimit, çfarë fituam më shumë me vendet e tjera që i pranuam”.

”Pse mos t’ia japim Putinit këto vende të varfra, të paktën do ta kenë gazin gratis?». Apo: «Shqipëria do të hyjë në Europë? Por me gjithë mafien që kanë te ne, ajo është tashmë në Europë». Është fare e kuptueshme që në këtë kontekst skepticizmi të jashtëzakonshëm në Francë ndaj zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Emanuel Makron ka më interes të avancojë me një plan të reformimit të institucioneve europiane sesa me integrimin e vendeve të tjera, një perspektivë që ai duket sikur e çoi dje për në kalendat greke. I takon tani vendeve të Ballkanit Perëndimor, e në radhë të parë Shqipërisë si dërguese masive azilantësh drejt Europës, të përmirësojnë imazhin e tyre nëse duan që të pranohen nga opinionet publike europiane si kusht i domosdoshëm që të pranohen më pas nga udhëheqësit europianë. Qeveria e Edi Ramës thotë se ka punuar efikasisht për këtë meqenëse Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave.

Por me sa duket, Franca dhe nuk është habi sepse është ajo që ka “vuajtur” më shumë nga valët e azilantëve shqiptarë këto vitet e fundit, nuk ndan të njëjtin opinion, as të njëjtin prioritet me Komisionin Europian. Por kjo nuk është një dramë. Asgjë s’e pengon qeverinë shqiptare t’i përkushtohet punës, për të ndrequr jo vetëm imazhin e shqiptarëve jashtë shtetit, por mbi të gjitha kushtet e jetesës dhe të funksionimit të demokracisë brenda vendit.

Testi i ardhshëm do të jetë si ai në Europë, me zgjedhjet që do të mbahen edhe në Shqipëri më 2019 (ato lokale), por që një pjesë e klasës politike po përgatitet t’i bojkotojë në mungesë të një reforme të mirëfilltë zgjedhore. Përpara se qeveria e Shqipërisë t’i kërkojë qeverive të Europës ta pranojnë, ajo do të bënte mirë të pranohej nga klasa politike e vendit të saj me zgjedhje të pakundërshtueshme!

Te lidhura

 

1 KOMENT

Comments are closed.