Durrije Faja: Kur kujtimet lehtësojnë humbjen

Sep 22, 2014 | 14:56
SHPËRNDAJE

U nda nga jeta Durrije Faja, një nga gratë e shquara të Shijakut, mësuese e palodhur e aktiviste për të drejtat e gruas, qysh në vitet e para të çlirimit të vendit

Kur dikush ndahet nga kjo jetë, të gjithë përpiqen të sjellin nëpër mend vetëm kujtimet e bukura, gjejnë fjalët më të mira për të shprehur ngushëllimin, por kur njeriu që largohet ka profilin e Durrije Fajës, përtej dhimbjes së humbjes, askujt nuk i duhet të përpiqet për të përzgjedhur fjalë e kujtime. Gjithçka është e natyrshme dhe e merituar. Vetëm pak ditë më parë (6 shtator) u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të papritur dhe të rëndë, një nga veteranet e arsimit, aktivistja e organizatës së gruas, një nga gratë e shquara të Shijakut, Durrije Faja. Kur shkon në Shijak, këdo që të pyesësh për familjen Faja, do të përgjigjet me buzëqeshje. Durrija lindi në një familje me tradita atdhetare shijakase, që gjatë luftës do të kthehej në njërën nga bazat më të rëndësishme ilegale për gjithë nënprefekturën. E të rriteshe në një ambient të tillë, zgjedhjet që do vinin paskëtaj, ishin më se të pritshme. Ishin vitet e para e shumë të vështira të pasçlirimit. Çdo gjë i mungonte vendit, që përpiqej të mbijetonte. Përveç bukës i mungonte dija, aq shumë e nevojshme. Dhe ja, ndonëse tepër e re, aktivistja e rinisë tregohet e gatshme të inkuadrohet në luftën e gjatë e të vështirë kundër analfabetizmit. Ku nuk e gjeje në atë kohë: midis të rejash dhe grave të qytetit e deri në fshatrat më të largët. Pas mbarimit të shkollës së mesme punoi si mësuese në Shijak, ku dha kontributin e saj edhe për problemet e mëdha të emancipimit të gruas, sidomos në zonat e thella. Dëshira e saj e madhe ishte që të arrinte kualifikimin sa më të lartë si edukatore e brezit të ri, prandaj përfundon me sukses Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës Angleze. Për disa kohë punoi në Radio-Tirana dhe më pas u kthye përsëri për të kontribuar në vendlindje, ku për dekada me radhë dha mësim në shkollën e mesme “16 Shtatori” të Shijakut.
Këtu lidhet me krijuesin e mirënjohur Piktorin e Merituar, Agim Faja. Nga kjo lidhje do të vinin në jetë dy djem, që do të vazhdonin rrugën e artit, atë të pikturës. Të shumtë janë ata të cilët edhe sot flasin me respektin më të madh për mësuesen e talentuar, të palodhur e gojëmbël të anglishtes, Durrije Faja. Asnjëherë nuk do të harrohet në Shijak mikpritja e rrallë e kësaj zonje bujare. Ishin fundi i viteve ’60 kur familja Faja do të siguronte jo me pak vështirësi një televizor, që për atë kohë dhe për një qytet të vogël si Shijaku ishte një ngjarje e rrallë. Është pak të thuhet se oborri i shtëpisë së tyre u kthye në një kinema të vërtetë. Me kënaqësi të veçantë kjo grua fisnike, bashkë me të shoqin, prisnin e përcillnin çdo natë me dhjetëra bashkëqytetarë, të cilët vinin për të ndjekur programet televizive të kohës. Secilin ajo e gostiste me bujarinë e saj të veçantë. Kjo pritje-përcjellje do të vazhdonte vite me radhë, por asnjëherë nga goja e saj nuk u dëgjua as pakënaqësia më e vogël.
Edhe më vonë kjo traditë e shquar familjare u ruajt, për më tepër që në të punonte edhe krijonte piktori i njohur, ilustruesi i mrekullueshëm i abetares, piktori Agim Faja. Proceset demokratike të viteve ’90 ajo i priti me shumë entuziazëm, duke u bërë mbështetje e fuqishme e të shoqit dhe e djemve, të cilët u bënë pjesë e tyre qysh në orët e para. Ndërkaq, vitet iknin edhe për Durrije Fajën, e cila, ndonëse në pension, vazhdoi me ngulm të përkthejë letërsi të mirëfilltë nga gjuha angleze. Sëmundja e papritur dhe e rëndë do ta ndante nga jeta brenda pak kohësh, por kujtimi për të dhe për veprën e saj humaniste do të jetojë gjithmonë.

NIKOLLA SUDAR
*Historian dhe përkthyes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura