Durrësi në panik, nxënësit në mësim me maska. Mjekët, kontroll në tragetet që vijnë nga Italia. Ja situata në Vlorë

Feb 26, 2020 | 10:22
SHPËRNDAJE

porti-durres

Qytetarët durrsakë i ka mbërthyer paniku nga mundësia e përhapjes së Koronavirusit në vend. Durrësi është porta e parë pritëse, por që shërben edhe si pikë tranziti për qytetarë që vijnë nga Italia apo vende fqinje të kësaj të fundit, të prekura nga Koronavirusi.

Në këto kushte, është qyteti më i ekspozuar për përhapjen e këtij virusi që po “terrorizon” mbarë botën.

Qytetarët e Durrësit dhe rrethinave të tij po përpiqen me të gjitha mënyrat dhe mundësitë që ata kanë për të marrë masa që të mos infektohen nga ky virus. Pjesa dërmuese e nxënësve të shkollave, kryesisht atyre 9- vjeçare, zhvilluan procesin e mësimit me maska në fytyrë.

KONTROLLET

Të gjithë personat që zbarkojnë në Portin e Durrësit me tragetet që vijnë nga Italia, vizitohen nga mjekët me aparatura të posaçme, të cilat arrijnë të dallojnë nëse personi ka shenja të virusit. Gjatë ditëve të fundit, në Portin e Durrësit qëndrojnë 7 mjekë, të cilët paraprakisht marrin një ditë më parë nga Autoriteti Portual listën e pasagjerëve, në të cilën vërehet nëse ka të ardhur nga Kina apo dhe vende të tjera të prekura. Pikërisht te këta persona fokusohet edhe kontrolli i mjekëve. Pasi trageti hap portën, mjekët hyjnë brenda dhe me termometër matin në distancë temperaturën e pasagjerëve. Mjekët qëndrojnë në ambientet e tragetit për disa minuta, në varësi edhe të numrit të pasagjerëve. Nga kontrollet e kryera deri më tani, ata thonë se nuk është identifikuar asnjë pasagjer me simptoma të Koronavirusit.

AMBIENTET E IZOLIMIT

Nëse gjatë ditëve në vazhdim do të ketë raste me pasagjerë të infektuar, ata do të shoqërohen me ambulancën e portit dhe dërgohen në dhomën e izolimit që ndodhet në pjesën veriore të territorit të Portit të Durrësit. Aty gjenden dy dhoma me nga katër shtretër secila, të cilat shërbejnë për çdo rast, për t’u kryer analiza më të detajuara. Ato janë dhoma ambulatore ku izolohen përkohësisht marinarët e huaj apo pasagjerët e trageteve kur verifikohen me sëmundje epidemike. Gjatë kësaj kohe, atyre iu bëhen analizat dhe më pas dërgohen në repartin e infektivit në spitalin rajonal apo në Tiranë. Ndërkohë, në panik është edhe qyteti bregdetar i Vlorës, për shkak se ka prurje të udhëtarëve nga Italia. Qytetarët vlonjatë, gjithashtu, ditët e fundit kanë përdorur në masë maskat mbrojtëse, për të shmangur kësisoj çdo rrezik të mundshëm nga Koronavirusi.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura