Durim Bami kundër Tom Doshit mohon kërcënimin në Polici

Mar 28, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Durim Bami, personazhi që në “skenarin” e vrasjes së Tom Doshit kishte rolin e atentatorit, mohoi dje të ishte kërcënuar me jetë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Për katër orë me radhë, Bami iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, teksa në një ekran i shfaqej videoja e ballafaqimit të tij me deputetin Tom Doshi, i zhvilluar më herët te Krimet e Rënda. 

Durim Bami

Burime të rezervuara bënë me dije se Bami ka mohuar të ketë marrë kërcënimin që përmendi në seancën e Komisionit të Mandateve deputeti Tom Doshi. Ditën e djeshme, Bami u transportua nga paraburgimi i Fushë-Krujës, ku ai qëndron prej gati një muaji drejt godinës së Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Në ambientet e kësaj Prokurorie ai u përball me dy prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët i komunikuan atij zyrtarisht akuzën e “kallëzimit të rremë”, vepër e kryer në bashkëpunim me deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Në përfundim të pyetjes së tij, avokati Ilir Murati konfirmoi komunikimin e kësaj akuze. “Sot (dje) iu komunikua zyrtarisht akuza e cila nuk është ajo e ‘vrasjes së funksionarëve publike’, por ajo e ‘kallëzimit të rremë’, në bashkëpunim me persona të tjerë, që tashmë dihet, se janë publikë. Kushtet për të cilat ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” nuk ekzistojnë dhe ne jemi në kushtet e një mase tjetër sigurimi”, tha avokati. 

DESHMIA 
Burime të rezervuara pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda pohuan se gjatë katër orëve të marrjes në pyetje, Bami është përballur me pamjet filmike të takimit të inskenuar mes tij dhe deputetit Doshi në Prokurori. Sipas burimeve, në pamje shfaqej Bami duke i bërë shenjat me duar, për një njeri me kapuç në kokë.

Bëhet fjalë për shenjat, të cilat deputeti Doshi i interpretoi sikur një polic i maskuar i RENEA-s e kishte kërcënuar Bamim me vrasjen e fëmijëve të tij. Nga ana e tij, Bami ka dhënë një tjetër shpjegim për ato shenja, duke mohuar katërcipërisht variantin e rrëfyer nga Doshi.

U mësua se Bami ka vijuar me pretendimin se gjithë historia ishte sajesë e deputetit Doshi. Ai është pyetur edhe në lidhje me një foto e një minë mbi divanin e banesës së tij në Durrës. Bami ka pohuar se Doshi ka qenë në shtëpinë e tij dhe mund ta ketë bërë atë foto fshehurazi, në një moment që ai nuk ndodhej aty.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura