Dule kundër Blushit për Janullatos: Gjuha në Kishë për minoritetin

Apr 18, 2015 | 8:51
SHPËRNDAJE

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, me kryetar Vangjel Dulen, ka reaguar dje pas shkrimit të deputetit të PS-së, njëherësh shkrimtarit Ben Blushi, i cili ka kërkuar që kryepeshkopi Anastas Janullatos të zhvillojë meshën e Pashkëve në gjuhën shqipe.

Janullatos dhe Dule/ Ben Blushi

Dule ka dalë në mbrojtje të kryepeshkopit, duke thënë se e drejta për të dhënë meshën në gjuhen greke është e miratuar në statutin e KOASH, i cili është njohur nga shteti shqiptar. Më tej, nënkryetari i Kuvendit theksoi se besimtarëve ortodoksë nga radhët e minoritetit grek u lind e drejta që të përdorin në publik gjuhën amtare greke.

Vangjel Dule thekson se logjikat e përkrahësve të ideve të Blushit janë njëngjyrëshe, por në të vërtetë përbëjnë një injorim naiv të realitetit. Më tej, ai ka theksuar se qëndrimi i kryepeshkopit Janullatos, për mbajtjen e meshave në gjuhën greke, garanton një klimë uniteti në gjirin e kishës. Sipas tij, e kundërta do të kishte pasoja për kishën.

VANGJEL DULE
Në lidhje me disa ndërhyrje personash publikë, por edhe të politikës në çështje të Kishës Ortodokse dhe të jetës se saj, si edhe disa artikujve nervozë që vijuan në disa media, por edhe në rrjetet sociale, shprehim edhe një herë qëndrimin tonë konstant se këto çështje janë të një natyre shumë serioze, të ndjeshme dhe delikate dhe të gjithë e kemi për detyrë t’i trajtojmë si të tilla.

Në mënyrë të veçantë, për sa i përket gjuhës adhuruese në jetën liturgjike të Kishës Ortodokse, të drejtat dhe detyrimet janë përcaktuar qartë në statutin e KOASH, i cili është i njohur edhe nga shteti. Në këtë statut, sikurse edhe në Kushtetutë dhe legjislacionin e vendit, minoriteteve që përfshihen në grigjën ortodokse, në veçanti besimtarëve nga radhët e minoritetit etnik grek, u njihet e drejta e përdorimit publik të gjuhës së tyre amtare, përfshirë edhe jetën kishtare, e drejtë kjo e sanksionuar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.

Theksojmë sërish se të drejtat që u takojnë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të minoriteteve që burojnë nga fryma dhe germa e dokumenteve përkatëse dhe praktikave ndërkombëtare, në veçanti europiane, nuk mund t’u nënshtrohen mentaliteteve të kufizimit gjeografik.

Logjikat që pretendojnë një situatë njëngjyrëshe në gjirin e Kishës Ortodokse në vend përbejnë një injorim naiv të realitetit për sa i përket përbërjes së grigjës të kësaj kishe dhe aventurizëm për nga pasojat e tyre. Trajtimi i çështjeve të kësaj natyre nga ana e kryepeshkopit Anastas kanë garantuar një klimë të paprecedentë uniteti në gjirin e kishës, duke ruajtur konfigurimin e saj kompleks dhe respektuar njëherësh përkatësinë nacionale dhe veçoritë gjuhësore të besimtarëve të saj.

E kundërta do të kishte për pasojë përçarjen dhe instalimin e rrymave kishtare, të cilat do të prishnin përfundimisht koherencën e saj. Duke shprehur këto shqetësime, u drejtohemi të gjithëve për më shumë seriozitet dhe vetëpërmbajte në trajtimin e çështjeve të kësaj natyre, informim real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë simbiozës harmonike ndërfetare është respektimi i pavarësisë së komuniteteve fetare, siç ajo sanksionohet në Kushtetutë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura