Përçahen grekët, MEGA dhe PBDNJ me kandidatë më vete. Dule kandidon në Himarë të akuzuarin për masakrën e Peshkëpisë

Apr 26, 2015 | 13:45
SHPËRNDAJE

Dy partitë e minoritetit grek, MEGA dhe PBDNJ, garojnë më vete në bashkitë e Jugut, Sarandë, Finiq, Konispol, Himarë, Dropull dhe Delvinë.

Vangjel Dule ne interviste per Ilva Taren

Këshilli i Përgjithshëm i organizatës OMONIA, i mbledhur dje në Sarandë, në një takim me dyer të mbyllura, me votim të fshehtë, ka përzgjedhur Jani Babin për Bashkinë e Finiqit, Anastas Gudën për Bashkinë Konispol, Fredi Belerin për Bashkinë e Himarës, Kosta Zison për Bashkinë e Dropullit dhe Laert Stefanidhin për Bashkinë e Delvinës.

Kandidati për Finiqin, Jani Babi, aktualisht mban postin e zv.ministrit të Bujqësisë, ndërkohë që kandidati për Konispolin, Anastas Guda, ishte një ndër katër kandidatët e propozuar nga dega e PD Sarandë për këtë bashki, por që në fund u zgjodh Ismail Myrtaj.

Fredi Bejleri, kandidati i PBDNJ-së për Bashkinë e Himarës, njihet si një nga anëtarët e grupit terrorist MAVI, i dënuar nga drejtësia greke, pas sulmit në postën kufitare të Peshkëpisë, ku mbeti i vrarë komandanti i postës Fredi Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, në vitin 1994.

Gara për kreun e Bashkisë së Himarës, duket një sfidë e partisë së minoritetit grek me PS dhe PD, në përpjekje për të konfirmuar peshën e këtij minoriteti në zonën e Himarës, e cila me ndarjen e re territoriale, është bashkuar me Hore Vranishtin.

Por kandidatët e PBDNJsë do të kenë përballë tyre kandidatët e partisë tjetër të minoritetit grek, MEGA, në tri bashki. MEGA, pak ditë më parë bëri publikë emrat e kandidatëve të saj, Niko Nuri me profesion mjek, për Bashkinë e Sarandës; Kristo Kiçon, inxhinier, për Bashkinë e Finiqit dhe Vangjel Ngjelon, për Bashkinë e Dropullit. 

Të dyja partitë kanë dalë nga koalicionet e dy partive të mëdha. MEGA, e cila garoi me koalicionin e djathtë në zgjedhjet e 2013-s me Partinë Demokratike, vendosi të dalë jashtë këtij koalicioni. PBDNJ njoftoi pak ditë më parë mospërfshirjen e saj në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste. 

Shkak për këtë dalje nga koalicioni me PS-në mësohet të jetë mosdhënia e mbështetjen së kandidatit të saj për Bashkinë e Himarës, por dhe përfshirja në këtë koalicion e PDIU-së, partisë që mbështet komunitetin çam. Për këtë arsye, PBDNJ ka vendosur të ketë kandidatin e saj dhe në Bashkinë e Konispolit, të cilën PS ia ka lënë zonë të lirë kandidatit të partisë çame. Interesante gara duket se do jetë për Bashkinë e Sarandës, ku përveç PS e PD-së, në garë do jenë dhe dy partitë e minoritetit grek. 

Mësohet se Partia Socialiste do të mbështesë kandidatët e MEGA-s në Bashkinë e Finiqit dhe Dropullit. Pak ditë më parë, në një takim të kryesisë së OMONIA-s, kreu i ri i saj, Leonidha Papa, u bëri thirrje drejtuesve të partisë MEGA dhe PBDNJ-së që të dalin bashkë me kandidatë të unifikuar për të mos çarë votat e minoritetit grek në këto zgjedhje. Por duket se ndërhyrjet e dy partive të mëdha, kanë dhënë sukses në përçarjen e këtyre dy partive.

Shkrimi u publikua në numrin e sotëm të Gazeta Panorama print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura