Dukuritë që na “ndërpresin” rrugën

Feb 11, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

Një femër gjysmëlakuriq që qarkullon ditëve të ftohta në zonën e ish-Bllokut, një e moshuar e nxjerrë në rrugë nga fëmijët, vocërrakë që lypin e tutorët i presin ca më tutje, nëna që drogojnë foshnjat trotuareve… Të ndërhysh apo të mos ndërhysh? Cili duhet të jetë reagimi i kalimtarëve. Psikologet marrin çështjet në shqyrtim

Çfarë bëni ju në rast se shihni dy njerëz që rrihen në rrugë? Ndërhyni që t’i ndani? Përgjigjja e shumicës është me siguri jo. Po në rast se shihni një të moshuar në nevojë duke mbajtur qese të rënda apo, edhe më keq, që ka nevojë për ushqim, e ndihmoni? Edhe indiferentët do të përgjigjeshin po. Ne reagojmë varësisht situatave, së pari duke mbrojtur veten. Pavarësisht dëshirës së mirë për të mos i parë dy njerëz që dhunohen, duke ndërhyrë, ne automatikisht mendojmë që mund ta pësojmë edhe vetë. Në rastin e ndihmës, asgjë e keqe nuk mund të na vijë, sado që, nëpër skutat e qelizave, fle ndjesia “ma shpërbleftë Zoti”. Këtyre ditëve, të gjithë i kemi parë njerëzit të dynden për të ofruar ndihmë për njerëzit e dëmtuar nga përmbytjet. A shkoi kush t’i ndihmonte më parë, tek luftonin me shiun për të gjetur një strehë? Jo, u siguruan që gjithçka kishte mbaruar, rreziku ka kaluar, pastaj shkuan. Reagimi është tipik për të gjithë. A bëjmë mirë?! Psikologet Rudina Canaj dhe Klodiana Tërhani përpiqen të na drejtojnë…

E moshuara u hodh në rrugë
Pak ditë më parë, në fshatin Dhiver të qytetit të Sarandës, një grua e moshuar u gjend në rrugë, krejt e vetme. Ata që i njihnin historinë o që mbase folën drejtpërdrejt me të, mësuan se gruaja e moshuar ishte braktisur nga fëmijët. Pikërisht këta të fundit e kishin nxjerrë në rrugë. Ushqehej me ç’të gjente. Kalimtarët e ndihmonin me “një copë bukë”, me një batanije, ujë a çfarë i duhej. Sado në rrugë, gruaja po mbijetonte. Bërë këtë prezantim, merret me mend që nuk kemi të bëjmë as me një çrregullim mendor e as me një abuzim “të tretësh”. Gruaja gjendej e vetme dhe në nevojë. Shoqëria reagoi menjëherë. Kjo bëri që fotografia e gruas të qarkullonte brenda pak ditësh nëpër rrjete sociale. Të pazotët për të vepruar, njerëzit po u kërkonin banorëve të Sarandës ta ndihmonin qoftë dhe vetëm me ushqim. Mirëpo, me t’u bërë “çështje dite”, gruaja u gjend e përkrahur nga strukturat përkatëse. Policia bashkë me shërbimin social, arritën ta gjenin e ta sistemonin në një shtëpi të moshuarish. 

Gruaja e moshuar që ndenji për disa ditë në rrugë në fshatin Dhiver të Sarandës

Vajza misterioze që po çudit ish-Bllokun
Mund të jetë atëherë kur nuk ta pret mendja që të dalin nga vetja reagime të ndryshme nga ato që teorikisht mendon se mund të kishe. Rasti i një vajze, për shembull, që shëtit gjysmë e zhveshur nëpër rrugët e zonës së ish-Bllokut, në Tiranë, ka ngacmuar mendime të ndryshme. Njerëz të ndryshëm e kanë fotografuar dhe kanë shpërndarë fotografitë e saj në rrjetet sociale. Mundet që, nëse do kishte qenë verë, njerëzit nuk do ngacmoheshin nga një imazh që ecën në rrugë, por që nuk ka asnjë marrëdhënie me realitetin, pra, trupi i shpërfill temperaturat e ftohta. Ishin pikërisht ditët më të ftohta që kanë bërë deri tani në këtë dimër. Ato të fundit të dhjetorit. Shqetësimet që përballeshin njëra me tjetrën përqendroheshin në një pikë: a duhet që njerëzit, qoftë edhe kalimtarët, të reagojnë ndaj këtyre fenomeneve?! Nëse dikush mendon se një njeri e bën këtë për shkak të kufizimeve mendore, a duhet që t’i afrohet e ta drejtojë, fjala bie, në një institucion o pranë një njeriu të specializuar në klinikë. Por, si do të jetë reagimi i tij? Si do të më përgjigjet? Duket që ngurrimi dhe të mos pasurit një përgjigje për këtë dilemë, pra e panjohura, i pengon njerëzit të veprojnë. Por si mendojnë specialistët. A duhet vërtet t’u afrohemi, si të sillemi ndaj një njeriu që shfaqet i tillë? A është shpërfillja përgjigjja që po mësojmë veten për t’u sjellë ndaj të gjitha dukurive që janë jashtë nesh? Psikologia Klodiana Turhani na jep një përgjigje. “Problemi nuk qëndron gjithnjë te ne, pra te reaguesit. Duhet menduar edhe që personi mund të mos ketë fare nevojë për ndihmën tënde, në kuptimin që, a shfaqet në rrugë gjysmë e zhveshur për shkak të një problemi mendor dhe për rrjedhojë nuk është fare i vetëdijshëm për perceptimin e të tjerëve apo kërkon të provokojë. Në rastin e dytë, që sidoqoftë është një lloj çrregullimi sepse duke ditur kufizimet e shoqërisë kjo gjë nuk pranohet, njeriu nuk ka se si ndërhyn. Pra kjo nuk është fort e rekomandueshme sepse duhet kujdes. Duke mos njohur gjendjen mendore nëpër të cilën ky njeri që i tërheq vëmendjen shoqërisë, gjendet jashtë kontekstit kohor, apo ka qëllime të tjera, ne nuk veprojmë dot. Sigurisht që teorikisht është e rekomandueshme, në rastin e një personi që vuan shpirtërisht t’i gjendesh për ta ndihmuar, por për sa kohë jemi në distancë, nuk mund të veprojmë me bindje. Këtë gjë duhet ta trajtojnë qendrat komunitare, shoqatat e grave apo psikologë të qendrave të lagjeve. Sot duhet të ketë njerëz të specializuar gjithandej. Nëse ndonjëri prej tyre qëllon ta hasë këtë vajzë siç thoni, mund të bëjë diçka më shumë se një njeri jashtë fushe, por kjo mbetet gjithnjë çështje e hapur. Është njësoj si të veprosh pa ditur diagnozën”. 
Vajza që është parë kohët e fundit në ish-Bllok me veshje të çuditshme

Fëmijët që lypin, biznesi mbi nevojat
Në vitet e para kur në rrugë u shfaqën njerëzit që kërkojnë lëmoshë, kryesisht gra të moshuara, ti e identifikoje x rrugë me njërin prej tyre. Portrete të vrara, përgjysmë të mbuluara, qëndronin aty për muaj o vite të tërë. Aq sa, po të mos e shihje një ditë, kujtoheshe që rrugës diçka i mungon. Mbase njerëzit atëherë nuk e mendonin se ishte dikush, koordinatori i të gjithë lypësve. As kur u qëllonte mbrëmjeve të shihnin ndonjë furgon që dilte i mblidhte një e nga një nëpër vendet e punës, nuk bindeshin. Më vonë, atë gruan e rrugicës së ca viteve më parë në qytetin tënd, mund ta shihje në Tiranë. Aftësitë në punë kishin rezultuar aq të mira, sa e kishin zhvendosur në kryeqytet, pra duhet të konsiderohet një farë rritjeje në detyrë. Sot, shumë nga ato gra të atyre viteve, nuk duken më në xhiro, sepse u kuptua që zemrat preken më lehtë nga fëmijët.   
Të gjithëve u ka ndodhur t’u ndërpritet biseda në kafene për shkak të një fëmije (ose disave që vijnë njëri pas tjetrit) që vjen për të kërkuar para. Indiferenca jote nuk është asgjë përpara insistimit të tyre, që, në fjalën e fundit i thonë të gjitha “aman, se duhet t’i çoj në darkë në shtëpi, ndryshe më rrahin”. Me “shtëpi” djali pa dyshim që nuk nënkupton familjen e tij por familjen e madhe, ata shfrytëzues që i punësojnë ndoshta familjarisht për t’i nxjerrë në rrugë. Sidoqoftë, në më shumë se një herë, fjalët e një fëmije mund të jenë prekëse, por në vend të parave, mund t’i jepni atë biskotën në anë të filxhanit, ose, me ato para, t’i blini një biskotë tjetër. Për t’i ndërgjegjësuar njerëzit në këtë pikë, po “lëvizet” kohët e fundit sado që edhe ky proces do të marrë kohën e tij. Këtë fushatë kundër shfrytëzimit të fëmijëve, duket se e kanë kuptuar të parët ata vetë. Prandaj kanë gjetur një formë tjetër “biznesi”. Në vend që të lypin e të luten për minuta të tjera, mbajnë në duar produkte për të shitur. Mund të jenë lekoplastë, çamçakëzë, bajame etj. kështu, justifikohen se po punojnë. Madje të thonë edhe se sapo kanë përfunduar shkollën, gjenden në rrugë për e shumta dy orë e më pas do të shkojnë të mësojnë. Përgjigjet janë pikërisht ashtu siç duhet të jenë. O të instruktuar nga punëdhënësit o të zotët e vetes për t’i shkuar qëllimit deri në fund, këta fëmijë që i takojmë përditë rrugëve, ia dalin të plotësojnë kuotën e detyrimeve. Ca më të rritur akoma zaptojnë hapësirat boshe të rrugëve ku mund të parkohet dhe presin klientët. Po me këta, si të sillesh?! Nguti nuk të lë kohë të merresh se përndryshe do shkoje të parkoje poshtë shtëpisë e ta merrje me nge kështu që, edhe në këtë rast, fitimtarët dalin ata që nuk dihet ç’bëjnë me ato para që numërojnë në fund të ditës.

Rudina Canaj, psikologe
Për të ndihmuar, veproni përmes familjarëve
“Kam dëgjuar për rastin e vajzës që më pyesni. Kam parë edhe komentet dhe opinionet e ndryshme që njerëzit kanë bërë rreth saj. Rasti është pak specifik, sepse është individual, që do të thotë, në krahasim, për shembull me ndihmën që mund të japim konkretisht me të përmbyturit, fatkeqësia e të cilëve është me  baza natyrore dhe me përfshirje më të gjerë, në njerëz, të mira materiale, bagëti etj. Rasti i vajzës është delikat dhe ndërhyrja nuk mund të jetë e imponuar dhe e bërë fakt, vetëm sepse ne më “normalët” nuk e perceptojmë apo e gjykojmë të gabuar. Do të ishte më mirë që për të arritur te vajza të kalonim nga të afërmit apo prindërit e saj. Interesimi për rastin dhe për zgjedhjen e lakuriqësisë së saj duhet të jetë dual, në bashkëpunim me familjen”, thotë psikologia Rudina Canaj.
“Duhet vëzhguar nga larg frekuenca e daljeve dhe dinamika e veprimeve apo personave me të cilët shoqërohet që gradualisht t’i afrohesh për të shkëmbyer nevojat që ajo ka, me ndihmën e ofruar.
Vullnetarizmi dhe shqetësimi social për çështje dhe dukuri të caktuara është një armë e fortë e çdo shoqërie që synon zhvillimin, por duhet bërë me profesionalizëm, duke respektuar lirinë themelore të të drejtave të njeriut dhe të shërbejë si model për të gjithë duke u kthyer në traditë”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura