Duke vizituar “Louver”-in shqiptar

Sep 18, 2021 | 9:10
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

Uvil-ZajmiKështu e kam konsideruar, krahasuar, kur dola, dhe kisha lënë pas sallonin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Atë ditë pa e kuptuar për disa orë isha shkëputur nga e përditshmja. Me radion, televizorët, emisionet e lajmeve, lexim gazetash, politikën e lodhshme, monotone e të mërzitshme ditore. Kisha braktisur parlamentarë akuzatorë e fajtorë, dhe pa dashur isha futur, në një tjetër botë, krejt ndryshe.

Një botë plot ngjyra, bojëra, vajra, allçi, penelata, natyra të qeta, tablo, skulptura deri edhe grafika, një tërësi artistike pa fund. U ndjeva shumë mirë, ishte një komunikim i harruar, kurrë më parë, por i rikthyer, kuruar në një formë shumë moderne. Gjithçka vendosur në ato mure të katit të parë ku sheh të ekspozuar mjaft vepra të artit figurativ shqiptar, në etapa, faza të ndryshme të tij, realizuar thuajse gjatë një shekulli.

Asnjëherë në të kaluarën një komunikim i tillë viziv, të rishikoja piktura, skulptura, shumë prej tyre së bashku në një sipërfaqe të madhe. Pak ekspozita personale retrospektive në të shkuarën, por kurrë një rikthim potencial si ky. Në harkun e disa orëve, pata një kontakt të madh me një trashëgimi artistike thuajse të harruar, të munguar. Por, jo vetëm. Edhe si djali i një piktori të njohur, familja, adoleshenca, rinia ime është e lidhur, shoqëruar edhe me një edukatë artistike, sigurisht modeste.

Kjo me nxiti edhe më shumë ndjesinë. Dhe gjithcka, kur papritur u ndodha përpara asaj hapësire me larmi ngjyrash, një ndjesi artistike përtej fantazisë. Pa kuptuar m’u rikthyen emocionet e humbura, ndonëse ato nuk humbasin kurrë. U ndesha me periudha të ndryshme të historisë së artit figurativ pamor, me autorë kolosë, nga Zengo, Idromeno, te Mio, Tushi, Buza, nga Paskali te Paco, Mano, Kodheli, Stamo, Madhi, F. Haxhiun, Sejdinin, Kaceli, Hadëri e shumë të tjerë. Një pjesë të rëndësishme të artit figurativ shqiptar, figura sa artistike, aq njerëzore, në epoka të ndryshme të tij.

Aty takova piktorë, skulptorë, artistë, kur shumë prej tyre nuk jetojnë më. M’u rikthyen tavollocët, studiot e tyre, bisedat, diskutimet krijuese, debatet që i kam jetuar nga afër. Deri edhe Galeria e Arteve dikur te Rruga “Fortuzi”. M’u kujtua edhe Milika, shitësja e dyqanit të Veprave të Artit, ku me listë piktorët merrnin materiale për realizimin e tablove. Aty pashë edhe Sali Shijakun, z. Shoshin, Nikollën, Ramën, Dhramin, Dulen, Thomain, Ballin, P. Melen, Lulanin, Kilicën, Jukniun, Gjergon, Culin, Cangojin. Midis tyre takova edhe babain tim, me “Nëna Labe”, “Bajram Curri” etj. Iu afrova një tabloje, e preka me dorë pëlhurën e saj, e njoha që ishte e Zajmit dhe si model kishte mamanë. Kam qenë shumë i vogël kur e ka punuar. “Zadrimorja” quhet.

Një ekspozitë me vendosje jo të rregullt e kronologjike, por një kompozim, shpërndarje funksionale dhe në çdo faqe muri ndesh, takon nga një piktor te tjetri, pranë njëri-tjetrit tablo të vogla, portrete, por edhe kompozime, natyra të qeta, pavarësisht nga viti, evenimenti, ngjarja, personazhi, tema që kanë trajtuar. Një arkiv potencial i artit figurativ të një gjysmë shekulli, pavarësisht sistemi. Alternim gjinish dhe autorësh, secili me personalitetin e tij artistik individual. Pashë vlera artistike, lexova personazhin, autorin, ngjarjen. Aty ripashë jetën time, atë mes artistëve, temperamentin e tyre, me përplasjet artistike të kohës.

Realizimi i tablove, fazat përfundimtare me problemet dhe si do të përfaqësohej një autor, piktor apo skulptor, tensioni i madh që i shoqëronte para një ekspozite, kur kërkonin konfirmime nga njeri-tjetri. Personazhet që rendnin për modele, orë pa fund në studio, familje të braktisura për të realizuar atë vepër arti. Me këtë ndjesi u ndava me atë sallon të Galerisë Kombëtare të Arteve, por duke u larguar, ndala për një çast, riktheva kokën, dhe sinqerisht, pa dashur të bëj asnjë krahasim, por si një Louvre shqiptar m’u duk, për nga emocionet, mbresat jetësore, vlerat artistike, që përcollën tek unë, bashkë me autorët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura