Duke pritur zotin Juncker

Feb 17, 2018 | 14:19
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

leonidha-mertiri-150x150Ky vit, sikurse shihet dhe nga Strategjia për Zgjerim, që do të ndjekë Bashkimi Europian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqëson një “mundësi unike për këtë rajon që të bëjë hapa të patjetërsueshëm drejt rrugëtimit europian”. Dhe Bashkimi Europian, sikurse thotë zëdhënësja e Komisionit Europian për punët e jashtme, fqinjësinë e mirë, zgjerimin dhe negociatat për anëtarësim, në një intervistë për mediat, është i qartë dhe se nuk do të bëjë asnjë kompromis me kriteret e anëtarësimit.

Jo rrallë kemi parë deri tani një Bashkim Europian me hallet e veta, por çka do të nënvizojmë dhe në këtë shkrim edhe një BE të lodhur dhe me politikat e vendeve të rajonit tonë. Nëse krimi i organizuar, korrupsioni vazhdojnë të rrinë sypatrembur në vendet tona, fajin nuk mund të mos e kërkojmë te vetja, teksa përpiqemi ta anashkalojmë, madje, duke e kërkuar dhe në vetë mungesat e BE-së. Prezantimi i Strategjisë së Zgjerimit, javën e fundit të këtij muaji, duket që synon arritjen e standardeve të domosdoshme për secilin vend. Do të jetë ky një prezantim i Presidentit të Komisionit Europian, JeanClaude Juncker, në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është po ai, i cili që në fillim të marrjes së mandatit, më 2014, u shpreh se nuk flitej për zgjerim të shpejtë të Bashkimit Europian.

Këtë radhë, siç kemi vënë në dukje dhe në një shkrim të mëparshëm, vërehet se BEja e ka marrë më seriozisht zgjerimin e vetë. Ajo që bie në sy ndërkohë, është fakti për një bashkëpunim konkret të BE-së, duke iu larguar retorikave stereotipe, të cilat, realisht nuk shëronin sëmundje, por dashur pa dashur, i inkurajonin ato me një lloj indiferentizmi e me këto lloj retorikash. Tani flitet për një ndihmë më të drejtpërdrejt, jo thjesht “lënie detyrash” dhe bëj ç’të duash vetë, por për të luftuar së bashku, edhe me veprim detyrues, për një klimë mbytëse ndaj krimit, ndaj korrupsionit, për një reformim të sistemit gjyqësor, për të forcuar e jo për të lënë çyryk shtetin ligjor. Kështu, do të ishte një ngjallje shpresash për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos për të rinjtë dhe ata që, me të drejtë, pesimizmi u ka prerë rrugën e besimit për një të ardhme tjetër.

Sikurse thuhet e ku mendohet ta vëjë theksin zoti Juncker, gjatë turit të tij, priten misione këshilluese të Bashkimit Europian në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera të Bashkimit Perëndimor, ekipe të hetimit si dhe ekspertë të tjerë, që do të ndihmojnë në zgjerimin e investimeve në vend në fusha të ndryshme dhe për bashkëpunim serioz e jo për të kaluar radhën ndërmjet të gjashtë vendeve. Strategjia e Zgjerimit pra, duket se përvijon hapa konkretë. Por, nëse lodhja e deritanishme e BE-së do të mbetet po aty, edhe kjo Strategji do të ketë të njëjtin fat, duke mbetur në letër, për rrjedhojë, dhe anëtarësimi në BE do të nguroset thjesht në një togfjalësh.

Të marrim vendin tonë. Pavarësisht disa rezultateve në rrugën e tij të integrimit europian, mbetemi përsëri larg kërkesave të anëtarësimit në BE. Nuk mjafton dëshira për anëtarësim. Nga të thënat në të bërë, nuk është e lehtë. Përballimi i sfidave në këtë drejtim përballet me një klimë krejtësisht të padëshirueshme: me një pozitë dhe opozitë, përgjithësisht në luftë të përhershme, aspak konstruktive, kush të anatemojë më shumë e t’i nxjerrë sytë njëra-tjetrës. Tribalizmi i tyre për pushtet nuk mund t’u hapte dhe t’u hapë rrugë reformave, plotësimit të standardeve për integrimin europian. Konfliktet e hapura, të manifestuara dhe në tryezat europiane, vetëm kanë dëmtuar këtë proces të rëndë- sishëm. Pas kësaj, s’ke si të mos dyshosh në dritë-hijet e tyre ndaj këtij procesi, ndaj reformave të domosdoshme. Vendi është përballur jo rrallë me skandale.

Reforma në Drejtësi, edhe pse është kusht tepër i nevojshëm për hapjen e negociatave, vazhdon të përplaset sa andej-këtej, për shkak të prekjes së interesave të klaneve të ndryshme në politikë, si te njëra dhe te tjetra palë. Për secilën forcë politike, qoftë PS apo PD etj, politikanë të tyre, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të shihet si përparësi reale, jo për ta përdorur atë thjesht për konsum propagandistik. Njerëzit kanë të drejtë pastaj të dyshojnë te kjo reformë, duke shpresuar vetëm te ndërkombëtarët, nëse dhe ata e kanë seriozisht. Ndaj dhe ardhjen këto ditë në Shqipëri të Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, e vlerësojnë si moment të rëndësishëm. Kjo, edhe për faktin që Reforma në Drejtësi të marrë jetë, që ndarja nga krimi të bëhet realitet, cilido të përballet me ligjin, qofshin politikanë, qeveritarë a kushdo qoftë. Kështu mund të ndaleshim dhe në reformat e tjera. Vetëm një qëndrim i tillë, mendojmë se do t’i jepte më tej shpirt marrëdhënieve Tiranë-Bruksel, aspiratës reale për anëtarësimin e vendit në BE. Ndryshe, do të mbetemi si deri sot, duke provuar fatin me luledele: Do të hapen… s’do të hapen negociatat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura