“Duke menduar Medean” në Teatrin Kombëtar

Sep 29, 2015 | 13:44
SHPËRNDAJE

“Ka një histori për mua. Unë i vrava fëmijët e mi për t’u hakmarrë ndaj burrit tim tradhtar. Kush e mbolli këtë thashethem në botë?”. Një refleksion mbi raportin burrë-grua në kohët moderne, ngjitet sot në skenën e Teatrit Kombëtar. Një vepër shqiptarozvicerane, ku gërshetohet fjala me gjuhën e trupit, drama, koreografia dhe muzika.

medea
“Duke menduar Medean”, kështu titullohet vepra me koreografi të Gjergj Prevazit dhe dramaturgji të Eva Bohmer, me drejtues artistikë Beatrice Fleischlin dhe Gjergj Prevazi. Interpretojnë Beatrice Fleischlin dhe Labinot Rexhepi. Sipas realizuesve të këtij produksioni, përmes kësaj vepre, ekspozohen dy këndvështrime europiane për raportin mes burrit dhe gruas, për dashurinë dhe raportin e forcave në lidhjen mes dy partnerëve.

Në njërën anë nga vështrimi i shoqërisë shqiptare të karakterizuar edhe më tej fuqishëm nga përfytyrimet tradicionale të roleve, dhe në anën tjetër, nga perspektiva e një shoqërie të Europës Qendrore, në të cilën, siç duket, janë hequr të gjitha normat dhe individi është i lirë të jetojë ashtu siç i pëlqen. Si bazë për këtë refleksion shërben miti i Medeas, gruas së mallkuar që vrau fëmijët për t’u hakmarrë ndaj të shoqit, Jasonit.

“Duke menduar Medean”, do të shfaqet sot e nesër në skenën e Teatrit Kombëtar, për të vijuar më tej në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës e për të udhëtuar drejt Baselit, Aaraut, Luzernës etj. Kjo vepër vjen në kuadrin e Festivalit “Albania Dance Meeting”, i cili do të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 3 dhjetor 2015 në Tiranë, Durrës, Elbasan e Prishtinë.

Në këtë edicion të dhjetë të tij, marrin pjesë 9 kompani të dancit kontemporan nga Zvicra, Italia, Austria, Portugalia, Kosova e Shqipëria. “Albania Dance Meeting” mbështetet nga Ministria e Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura