Duhet të kishte përfunduar një vit më parë/ Standardet e Bankës Botërore mbajnë peng rrugën e Kalasë në Berat

Sep 22, 2020 | 17:16
SHPËRNDAJE

Kur kryeministri Edi Rama, inspektoi mëngjesin e të hënës 550 metra të asfaltuara nga 2330 metra gjithsej të rrugës “Muzak Topia” që të çon në kalanë e Beratit, në sfond dukeshin tre makineri të rënda dhe punëtorë me helmeta mbrojtëse në kokë.

Rama-kryetari-i-bashkise-se-beratit-dhe-ministri-Blendi-Klosi-ne-rrugen-ku-punimet-vijuan-per-pak-ore-para-se-te-ndalonin-600x392

Por dy orë më vonë pirgjet e zhavorrit në mes të rrugës, e cila sipas njoftimit të tenderit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duhej të kishte përfunduar në fund të vitit 2019, mbetën e vetmja e dëshmi e punimeve, përkrah gropave që prej vitesh shoqërojnë turistët që ngjiten në kala me makinë apo autobusë.

“Po çfarë rruge, thoni. Ajo ka javë që ka ngelur në mes. Mjetet dhe punëtorët erdhën sot, nga vizita e Ramës, se kanë shumë ditë që nuk punojnë,” tha Sami Brisku, që shet lule në portën e shtëpisë në anë të rrugës që çon po ashtu edhe në varreza.

BIRN mësoi se pwr projektin e rikonstruksionit të rrugës, i cili financohet nga Banka Botërore, nuk janë mbyllur ende shpronësimet.

“Aktualisht, procesi i shpronësimit është ende pezull sepse Bashkia e Beratit ka propozuar disa ndryshime në projektin e rrugës, qe do të ulte sasinë e përgjithshme të shpronësimeve,”  tha Banka Botërore në një përgjigje me email.

Bllokimi i shpronësimeve, në rrugën që siç tha Rama në videon propagandistike të postuar në ERTV “ngjallej i vdekuri dhe vdiste i gjalli”, e bën të pamundur që aty të punohet.

Kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo, i cili shoqëroi Ramën gjatë inspektimit, tha se punimet në segmentet e tjera të rrugës do vijonin shumë shpejt, por nuk iu përgjigj pyetjes se pse makineritë që u shfaqën në videon e kryeministrit nuk ishin në punë dy orë më vonë.

Shpronësimet kanë rezultuar një prej problemeve kryesore të punimeve publike në vend, ndërsa qeveria ka hasur shpesh kundërshtim të pronarëve të tokave që vlerësohen lirë bazuar në çmimet e referencës.

Ndërkohë në mjaft raste – siç zbuloi BIRN në një investigim vitin e kaluar qeveria shqiptare vonon pagesat edhe të dëmshpërblimeve që ka caktuar vetë. Deri në qershor 2019-të  qeveria kishte akumuluar një borxh prej 6 miliardë lekësh ndaj qindra familjeve, prona ose toka e të cilave është shpronësuar për t’u hapur rrugë projekteve për punë publike.

Skepticizëm për shkak të vonesave

Rruga Muzak Topia fillon në hyrje të qytetit të Beratit, menjëherë pasi lë mbrapa stacionin e ish-Kombinatit Tekstil. Ajo është rruga e vetme automobilistike që çon vizitorët drejt lagjes Kala, që është edhe destinacioni më i vizituar në qytet dhe në ditët e para të muajit shtator ka qarkullim të dendur, me gjithë situatën e pandemisë së COVID-19.

Vetëm pak metra të kësaj rruge janë të shtruara dhe pas kthesës së parë vetëm emrin ka të tillë. Nuk ka asnjë tabelë orientuese dhe asgjë nuk të tregon se ajo të çon në kala.

“Rruga vazhdon drejt kalasë? Kështu është e gjitha?”, pyet një vizitor nga Kosova që ka dalë nga rruga dhe qëndron në anë të saj, sapo është përballur me gropat e para dhe vetvetiu pasigurinë që ajo çon diku.

Rruga-e-lënë-në-mes.-Foto_E.Azizolli-600x400

Procesi për rikonstruksionin dhe zgjerimi i rrugës Muzak Topia, filloi në janar të vitit 2018. Rruga në të cilën çdo vit kalonin jo më shumë se 700 vizitorë, u pa e rëndësishme për të ndihmuar turizmin.

Ajo u përfshi në projektin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Integrimin Urban dhe Turistik dhe në tetor të vitit 2018, pasi u sigurua financimi i Bankës Botërore, FSHZH njoftoi se kompania Eurokos kishte fituar tenderin për ndërtimin e saj me vlerë rreth 300 milion lekë. Vlera për shpronësimet e tokave që prekeshin prej saj u përcaktua sipas Planit Lokal të Sistemimeve të Bashkisë së Beratit në 66 milion lekë.

Segmenti nga rreth-rrotullimi tek ish-rezervat e shtetit, deri në qafën e kalasë, është kthyer prej vitesh në shqetësimin për bizneset e turizmit në Berat. Janë pak më shumë se 2 kilometra, por që në të gjithë gjatësinë e saj, vështirë se mund të gjesh pak metra pa gropa, ndërkohë që si pasojë e ngushtësisë, mjetet e kanë të vështirë të shkëmbehen me njëri-tjetrin.

“Edhe ata pak vizitorë që po vijnë në Berat gjatë fundjavave, me vështirësi janë ngjitur deri në Kala dhe nuk ikin të kënaqur nga gjendja e rrugës, sepse ajo është copë-copë dhe mjetet mezi ngjiten deri këtu”, thotë për BIRN, Koço Plaku, pronar i restorant “Onufri”.

Nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës u konsiderua një lajm i mirë nga pronarwt e bizneseve të lagjes Kala, gjatë një viti të vështirë për turizmin. Por gëzimi i tyre zgjati vetëm pak ditë. Pas shtrimit të metrave të parë punimet janë ndalur, duke e lënë gjithçka mes pluhurit dhe gropave.

“Po kanë dy vite që thonë do bëhet rruga dhe ne u gëzuam kur më në fund nisën punimet, por ato ngelën më mes se nuk janë bërë shpronësimet,” thotë Plaku.

Për ish kryebashkiakun e Beratit, Petrit Sinaj përfundimi i kësaj rruge, është projekti më i madh që mund të jetë zhvilluar në Berat, pasi është mundësia më e mirë për të shtuar numrin e vizitorëve për në Kala. Sinaj i tha BIRN se kishte qenë bashkia e drejtuar prej tij që kishte këmbëngulur për projektin.

Përfundimi-i-rrugës-së-asfaltuar-në-rrugën-e-Kalasë.E.Azizolli-600x400

Ai tregon se pas hartimit të projektit fillestar nga Bashkia Berat dhe tenderit të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit  me firmën sipërmarrëse për nisjen e punimeve, mbetej vetëm procesi i shpronësime.

Por kaluan dy vjet dhe vetëm një muaj më parë, në hyrje të rrugës së kalasë u panë mjetet punës të kompanisë sipërmarrëse që për disa ditë shtruan 550 metrat e para të rrugës, që u mbikëqyrën nga kryeministri Edi Rama të hënën më 21 shtator.

Pezullimi i punimeve, ka ngjallur zemërim tek të gjithë banorët e lagjes, veçanërisht ndër bizneset e turizmit në Kala, të cilët janë duke kaluar ditët më të vështira të aktivitetit të tyre.

“Bashkia po e mban peng rrugën që ta inagurojë vitin tjetër, për zgjedhje. Ky vit iku mes vështirësive për shkak të Covid-it, por më duket se do të na iki dhe viti tjetër për shkak të rrugës”, tha një biznesevme i zonës që nuk pranoi të identifikohej me emër.

Problemi me shpronësimet

I pyetur nga BIRN për punimet në pjesën tjetër të rrugës, kryebashkiaku Ervin Demo that se ato do të fillonin shpejt dhe se projekti do të mbyllej në një kohë të shkurtër.

“Ka mbaruar segmenti i parë afërsisht 550 metra, segmenti i dytë 1400 metra dhe i treti 380 metra afërsisht pritet të fillojnë me ritme shumë të shpejta”, tha Demo.

Por ndryshe nga optimizmi i Demos,  Banka Botërore vuri në dukje se për rrugën ende nuk kanë përfunduar shpronësimet, për shkak të problemeve në legjislacionin shqiptar dhe për shkak të ndryshimeve në projekt.

“Procesi i shpronësimit dhe ndërtimit të kësaj rruge pati vonesa për shkak të mospërputhjeve në parimet që lidhen me kompensimet për shpronësimet midis politikave të Bankës për masat mbrojtëse (Safeguards Policies) dhe ligjit përkatës shqiptar”, tha institucioni ndërkombëtar financiar.

Banka bën me dije se çështja në fjalë ishte zgjidhur me amendimin e ligjit për shpronësimet të miratuar nga parlamenti në shkurt 2020, i cili i njihte financuesit të huaj të drejtën të impononte standardet e veta në shpronësim.

Në dokumentin e Planit Lokal të Sistemimeve në të cilin përcaktohet vlera e pronave që po shpronësoheshin, bashkia vë në dukje se BB kishte vendosur një sërë kushtesh për shpronësimin.

“Një objektiv kritik i këtij raporti shpronësimesh është të sqarojë që blerja e tokës është bërë në një mënyrë që përcakton qartë se marrja e pavullnetshme e tokës duhet të kompensohet me vlerën e drejtë të tregut”, thuhet në dokumentin që daton në shtator 2018.

Sami Brisku, një prej pronarëve që është prekur nga ndërtimi i rrugës, i tha BIRN se ende nuk kishin marrë asnjë dëmshpërblim.

“Po kam pasur ca dëme të voga, tek porta, gardhi rrethues, porta, por i kam rregulluar vetë të gjitha me shpresën se dëmshpërblimi do më jepet një ditë, por të paktën të bëhet rruga se kalojnë autobuzat e turistëve”, thotë ai.

Banka Botërore i tha BIRN se bashkia e Beratit ka bërë një sërë ndryshimesh në projekt, që synojnë të shmangin shpronësimin e disa pronave. Kjo e gjitha ka rihapur dosjen e shpronësimeve, e cila pritet të rivlerësohet.

“Bashkia e Beratit ka propozuar disa ndryshime në projektin e rrugës, që do të ulin vlerën e përgjithshme të shpronësimeve. Kjo si rrjedhim kërkoi rishikimin dhe riparaqitjen e dosjes së shpronësimeve nga Bashkia Berat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit kemi mësuar se ky proces i është deleguar Agjencisë së Shpronësimeve”, tha Banka Botërore.

Për Bashkinë e Beratit, ndryshimet ishin të detyrueshme dhe duke qenë se pas tyre disa prona nuk preken më nga rruga,  ajo i është drejtuar sërish ministrisë së linjës, e cila e delegoi çështjen në Agjencinë e Shpronësimeve. Kjo e fundit do duhet të përpilojë dosjet nga e para, për shkak të kohës së kaluar dhe faktit se titujt e pronësisë mund të kenë ndryshuar.

“Dosja e shpronësimeve është duke u përgatitur nga specialistët”, tha një zyrtar nga bashkia, i cili refuzoi të identifikohej.

Ish-kryetari i Bashkisë së Beratit Petrit Sinaj, është skeptik në lidhje me afatet se kur do të përfundojë procesi i shpronësimeve për t’i hapur rrugën nisjes së punimeve. “Do të kërkojë kohën e saj. Urojë që të shmangen të gjitha burokracitë, që të mos vonohet procesi, sepse rëndësia e kësaj rruge është shumë e madhe”, shton ai.

Disa nga pronarët e tokave thanë se ishin njoftuar për shpronësim dhe se prisnin të merrnin vlerat e përcaktuar. Ata këmbëngulën që proceset për rrugën të përshpejtoheshin pasi banorët e zonës e kanë të lidhur jetesën me turizmin.

“Mua ma ka dalë emri tek shpronësimet – edhe tek toka bujqësore dhe tek toka ku kam pronën, pasi me preket  murri rrethues i biznesit familjar, ndaj si unë dhe të tjetër kërkojmë shpronësimet ashtu siç i ka përcaktuar shteti”, tha Kozma Nova.

Nova e shikon me mjaft interes ndërtimin e rrugës, sepse sipas tij është mundësia e vetme për zhvillimin e turizmit në zonë.

“Ne sytë tek rruga i kemi. As nuk kemi pasur pretendime për shpronësimet. Ata vetë i bënë. Ne duam që rruga të bëhet një orë e më parë, pasi Berati sytë tek turizmi i ka thotë,” tha ai.

Por BB që financon rrugën këmbëngul në një proces mjaft më të kujdesshëm. Sipas një dokumenti të publikuar në faqen e Bankës Botërore për “menaxhimit mjedisor dhe social” të projektit, vihet në dukje se zgjerimi i rrugës prek deri në 30 rrënjë ulliri. Në dokument thuhet se ato nuk mund të priten, por duhet të zhvendosen në prani të një specialisti.

“Ato nuk duhet të priten, por të rivendosen në një vend të caktuar nga organi përkatës administrativ, duke përdorur pajisje të përshtatshme trajtimi, nën mbikëqyrjen e një specialisti të përshtatshëm (inxhinier pyjesh ose agronom),” shjruan Banka Botërore. “Vendimi për vendin e rimbushjes (mbjelljes) do të merret përpara se të nënshkruhet kontrata për punë,” përfundoi ajo.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura