“Duhet solidaritet, të ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë”, Balla nga Elbasani: Në fund të luftës do të shohim kush kishte…

Mar 30, 2020 | 15:45
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla ndoqi nga afër sot operacionin humanitar për të ndihmuar familjet në nevojë në 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.

balla elbasan1

Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Balla ndoqi përgatitjet e pakove ushqimore që do të vijojnë të shpërndahen në ditët në vijim.

Balla kërkoi nga bashkitë të tregohet vëmendje e shtuar sidomos ndaj moshës së tretë, duke plotësuar të gjitha nevojat që ata kanë, në mënyrë që të mos dalin nga shtëpitë.

“Në të gjithë qarkun e Elbasanit, deri tani, janë asistuar me ndihmë ushqimore rreth 7 mijë familje. Gjithashtu janë asistuar të moshuarit me barna dhe me shërbime të tjera të cilat ata kanë nevojë. Do ta vazhdojmë këtë operacion të gjerë humanitar, për t’ju gjendur atyre që realisht kanë nevojë.”, deklaroi Balla.

Gjithashtu Balla kërkoi nga qytetarët që të tregojnë solidaritet në këto ditë të vështira, duke shtuar se çdo rast do të verifikohet dhe nuk do të lejohen abuzime.

“Dua t’u them të gjithë atyre që kanë vila të heqin dorë nga të kërkuarit pako ushqimore të cilat nuk u takojnë. Pakot ushqimore janë për ata që janë realisht në nevojë.”, tha Balla.

Balla i dha përgjigje edhe zerave kritikë nga opozita, që siç tha ai, vjell vrer ndaj qindra djemve e vajzave që sot punojnë me përkushtim për t’ju gjendur familjeve në nevojë.

balla elbasan2

“Kjo është një luftë dhe në luftë duhet të jemi të gjithë bashkë. Atyre që nga ekranet e TV-ve dhe nga rrjetet sociale vijojnë çdo ditë të hedhin vrerë mbi këtë punë kolosale që po bëhet nga këto djem e vajza, dua t’u them: Kjo është një punë që po bëhet me ndershmëri, punë që po bëhet në kuadër të një lufte me një armik të rrezikshëm. Në fund të luftës do të shohim kush kishte të drejtë dhe kush ja fut kot nga mëngjesi në darkë”.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja e vuri në dukje punën e mirë që është bërë deri tani për të qenë pranë familjeve në nevojë, sidomos përsa i përket komunitetit rom dhe egjiptian, nevojat e të cilëve janë më të mëdha.

Më pas, Balla e Llatja inspektuan situatën në qytet përsa i përket lëvizjeve, tashmë më të kontrolluara të qytetarëve. Ata hasën edhe në të moshuar të cilëve ju kërkua të qëndrojnë në shtëpi dhe të telefonojnë për çdo nevojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura