Duhet politikë e unifikuar për çështjen çame

Jun 26, 2020 | 9:18
SHPËRNDAJE

TATJANA PIRO tatjana piro

Këtë vit mbushen 76 vite nga tragjedia e madhe e shqiptarëve të Çamërisë dhe kur ka kaluar më se treçerek shekulli, çështja çame pret ende drejtësi.

Si bijë çame, e ndjej privilegj të kujtoj se Kuvendi ka miratuar një rezolutë, e cila detyron qeverinë dhe shtetin shqiptar të zgjidhë çështjen çame. Kjo rezolutë, ndër të tjera, kërkon gjetjen “e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe juridik midis qeverive të dy vendeve”, Shqipërisë dhe Greqisë. Personalisht, si deputete, kam kërkuar që çështja çame të shihet në të gjithë dimensionin e saj human. Mirëpres që së shpejti Ministria e Arsimit të garantojnë trajtimin e plotë të kësaj çështjeje në tekstet historike për brezin e ri në shkolla, si dhe caktimin e datës jubile, 27 Qershorin, si një ditë kombëtare të kujtesës së tragjedisë çame. Por kjo nuk mjafton. Çështja çame duhet të trajtohet dhe zgjidhet si e plotë. Vlerësoj tryezat e qeverisë shqiptare dhe të kësaj maxhorance që arritën që shteti grek të rishohë Ligjin e Luftës. Mes dy vendeve ka një Traktat Miqësie, ndaj çështja çame duhet të rikthehet në tavolinën e bisedimeve mes dy vendeve.

E kemi të nevojshme të kemi një politikë të unifikuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje shekullore. Çështja çame duhet të ndërkombëtarizohet. Ajo është thellësisht një çështje e respektimit të dinjitetit dhe e të drejtave të njeriut. Kushdo që e sheh si çështje pronash apo si politikë të ditës, më lejoni t’ju them se është nihilizëm politik. Ne duhet të angazhohemi që java e fundit e qershorit të jetë një javë kombëtare, ku të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e kujtimit të tragjedisë sonë kombëtare. Ne duhet të garantojmë që brezat që vijnë, të njohin dhe të përkujtojnë gjenocidin e pandëshkuar. Përkujtimi dhe nderimi i 27 Qershorit vetëm do të na lartësojë si komb.

Personalisht, jam e bindur se Shqipëria në Bashkimin Europian mund të jetë anëtare e denjë vetëm nëse respekton historinë e saj. Europa nuk pranon gjenocid të pandëshkuar, ndaj edhe sa më parë të angazhohemi të kthejmë drejtësinë e munguar, aq më shpejt do ta meritojmë vendin mes të barabartëve në organizmin më të madh të vlerave, në Bashkimin Europian. Nuk mund të ketë qetësi shpirtërore mes shqiptarëve pa zgjidhjen e plotë të çështjes çame. Së fundmi, dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj gjithë komunitetit çam të Shqipërisë, të cilët me dinjitet presin që shteti i tyre t’u dalë zot. Ky është më shumë se një amanet.

* Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura