Duhet një zgjidhje për medaljet e gabuara

Dec 5, 2015 | 15:07
SHPËRNDAJE

Mentor_NazarkoMENTOR NAZARKO

Papritmas mes temave ak tuale shumë ndikuese për jetën moderne, buxheti, Kosova, kompensimi i ishpronarëve, dekriminalizimi, ISIS-i dhe rreziqet e tij etj., u ngul dhe nuk po shkulet një temë e çuditshme. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin dekorim të një personazhi kriminal të së shkuarës me një medalje mirënjohjeje si veteran lufte për 70-vjetorin e Çlirimit. Kjo temë vazhdon të mbetet e pranishme në media prej kujtimeve të personazheve viktima të tij, nëpërmjet reagimit të klerit katolik, që ndihet i prekur prej këtij nderimi, prej opozitës më së shumti që s’mund ta humbë rastin për të krijuar përplasje politike edhe me karburant të vjetër historik. Shumica e atyre që reagojnë kanë plotësisht të drejtë.

Është prekëse veçanërisht dëshmia e një figure emblematike të rezistencës antikomuniste, por dhe antifashiste si Sami Repishti. Dalja e kësaj figure në skenën e debatit, me të vërtetë duhet ta bëjë atë që ka ideuar t’i japë këto nderime, të mendojë thellë idenë e tërheqjes. Sami Repishti është përfaqësues tipik i së djathtës shqiptare, një figurë intelektuale autentike e dëshmuar si autoritet akademik dhe në SHBA, por mbi të gjitha i pajisur me ndjenjën e thellë të pajtimit, të cilën e ka shpërfaqur në shumë shkrime dhe intervista të ndryshme.

Ai është njëlloj bardi i nacionalizmit modern shqiptar, sa me kërkimin e argumenteve shkencore në favor të këtij nacionalizmi, aq dhe me thjeshtëzimin e doktrinës kombëtare shqiptare për konsum popullor në ditët tona. Ai është karakterizuar nga realizmi në gjykimet e tij për zhvillimet politike në vend, duke i njohur në këtë kuadër disa merita kësaj qeverie të majtë. Ashtu si Repishti, dhe përfaqësues të klerit katolik, të njohur për realizmin e tyre kanë reaguar në mënyrë kritike me thirrjen për tërheqjen e kësaj forme nderimi të qeverisë për personazhe të tillë si hetuesi i egër shkodran.

Ata i kanë përkujtuar Ramës raportin që ka pasur me At Zef Pllumin, raport që vihet në dyshim me këtë nderim. Në rrethana si këto, kjo çështje me të vërtetë kërkon një zgjidhje. Janë disa arsyet. Kjo qeveri e majtë praktikisht ka bërë diçka unike në historinë e pluralizmit shqiptar që e djathta 13 vjet në pushtet nuk e bëri. Po mundohet t’u japë një varr mbi 5000 të zhdukurve në burgjet e komunizmit. Ky akt i madh e ka një fillesë apo pika takimi te historia eklektike e aktivizmit politik të Ramës. Brenda kësaj historie personale gjenden momente kontakti me të djathtën, me disidencën, me klerin katolik etj. Ndërkaq në aksionin politik të kësaj qeverie ka momente të tjera jo thjesht simbolike që e lidhin me të djathtën historike (nderimi i Eqerem Vlorës p.sh), por dhe moderne, siç janë ligje të caktuar për pronën, kufizimin e rolit të shtetit në ekonomi etj.

Në këtë kuptim, a ia vlen që për një mendjelehtësi kaq masive si ajo e nderimit me një distinktiv përkujtimor të 1000 vetave që u konsiderokan veteranë të nivelit të parë, të vihet në diskutim kjo histori politike e kësaj qeverie dhe kryeministrit? Është e vërtetë se kur prodhohen 1000 medalje si këto, për disa emra që nuk publikohen madje, me gjithë interesimin e shtypit, nuk ka kërkim cilësie, nuk ka verifikime të imtësishme për biografinë e secilit prej distinktivmbajtësve. Disa eksponentë të së majtës, si Taulant Balla dhe Artan Lame, e kanë dhënë këtë shpjegim për metodologjinë e nderimit, që në fakt nuk përfaqëson një nderim, parashikuar në legjislacionin shqiptar.

Por, a ia vlen që të mbahet aktive në shtyp një fushatë kaq e gjatë, duke aktivizuar dhe zëra realistë si ai i Profesorit, për një gabim të këtij karakteri? Me gjasë ky gabim ka frymëzim elektoral, apo gjoja human, për t’u dhënë nga një kënaqësi të fundme disa njerëzve që kanë mbetur gjallë, nga lufta, apo të futur me falsifikime në listën e veteranëve, prej së cilës marrin dhe ndonjë pagesë të vogël. Por as kjo nuk e justifikon gabimin e atij që e ka ideuar këtë veprim, i cili formalisht mban emrin e qeverisë. Logjika elektorale ngjan dritëshkurtër, sepse në emër të besnikërisë elektorale të ca mijëra familjeve, rrezikohen mijëra vota të tjera të rinjsh, apo të pjesës gri të popullsisë. Nëse do të ishte vetëm emri i hetuesit sadist apo i thjesht disave si ai, qeveria duhet të tërhiqet menjëherë duke ua anuluar nderimin figurave të tilla kriminale.

Mirëpo me gjasë do gjendej përpara një cikli të detyruar anulimesh të këtij nderimi, sepse do vihej në lëvizje një spirale reagimesh të ngjashme si ato për hetuesin Shyqyri. Ata që kanë qenë partizanë në kohën e luftës, dhe që i kanë shpëtuar luftës së klasave, me siguri kanë shërbyer masivisht në organet shtypëse të diktaturës, si gjykatës, hetues etj., etj. Edhe nëse nuk kanë famën e personazhit që kishte dhunuar figura emblematike si ato të Sami Repishtit dhe Atë Zef Pllumbit, brenda listës së 1000 të nderuarve duhet të ketë dhe emra të tjerë shqetësues.

Atëherë, ç’do bëjë qeveria, nëse papritmas bëhen publikë emrat e të nderuarve me këtë medalje përkujtimore? Duhet të fillojë një fushatë tërheqjeje të medaljeve? E vërteta në fakt nuk është 100% e ndarë me thikë. Enver Hoxha është udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare dhe PD-ja që sot po aktivizohet kundër këtyre nderimeve, nuk ka bërë asnjë veprim formal që t’ia anulojë atij dekoratën e lartë “Hero i Popullit”. A duhen bërë të gjitha këto shfuqizime dekoratash, pra, përfshi dhe Enver Hoxhën, apo protagonistë të tjerë të luftës?

E pamundur që të ndodhë si në një episod të një libri të Balzakut, kur dy të afërm u gjetën në dy krahë të kundërt të një beteje dhe në fund, i njëjti personazh u dekorua dhe 5 minuta më vonë u pushkatua prej të afërmit të vet për krimet e kryera. Çështja, siç shihet, nuk është kaq e thjeshtë, por ajo nuk mund të injorohet tashmë prej qeverisë. Zëri i emblemave të gjalla të historisë sonë si ai i Sami Repishtit duhet të dëgjohet prej atyre që mund të ndryshojnë diçka. Ky zë për shkak të kthjelltësisë morale kumbon më shumë sesa zëri i opozitës që do ta shfrytëzojë këtë çështje për ta ushqyer me karburant të vjetër antikomunist protestën e pritshme të 8 dhjetorit.

Thjesht pranimi i gabimit ka më shumë vlerë sesa kokëfortësia në një budallallëk me jehonë kriminale. E megjithatë, e gjitha kjo është histori e komplikuar dhe e çuditshme. Si ka mundësi që palët edhe 70 vjet më vonë, përleshen me njëra-tjetrën, me kaq ashpërsi, për histori kaq shumë të vjetra, në kohën kur kapaku i pajtimit duhej ta kishte mbyllur shumë më herët derën e së shkuarës së dhimbshme?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura