Duhet më shumë ekonomi…

Apr 27, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

ORIOLA MUSA

   Gjithë Tirana politike, por edhe ajo mediatike diskuton  rregullisht për çdo shfaqje me artikuj të politikanit socialist, Ben Blushi. Si monologë politikë, ata janë kondensim stili të shkëlqyer, produkt i frymëzimit cilësor, ofruar nga frustrime periodike politike apo edhe të vijueshme personale, dhe sipas një sinusoide diskutohen deri në rënie, në pritje të shkrimit të radhës. Fati i meteorëve. Në këtë botë të dominuar akoma në të dy krahët nga njerëz me tundime të hershme letrare, por të mbetura pa afirmime tirazhesh, veprat e vogla si të Blushit meritojnë çmime të mëdha, çmime periodike të një lloj zhanri, që mund ta quanim letërsi politike.
Po çfarë janë këto shkrime nga pikëpamja politike? A kanë diçka që mbetet, veç kriticizmit, që pikërisht prej bukurisë letrare arrin të manipulojë publikun që lexon këto vepra? Blushi nuk udhëheq ndonjë grup, nuk krijon dot rrymë mendimi, pra nuk arrin të marrë rol përfaqësues sa kohë që prodhon vetëm ese. Autori nuk del në televizor të shpjegojë, të artikulojë mendimin e vet politik nëse e ka, atë mendim që qëndron mbrapa këtij kondensimi stilistikor. Madje, edhe fjalimet e tij, nëse janë të bukura, janë monologë politikë, që nuk testohen nga thellësia e mendimit. S’ka rrymë mendimi, as brenda partisë së vet dhe as jashtë. Ai kënaq përkohësisht lexuesit e vet, nxit përkohësisht diskutimet në tryezat politike të Tiranës: oh sa mirë ia bëri, sa mirë e kishte shkruar, por jeta është e pamëshirshme me ritmet e saj. Koha është faktor i rëndësishëm, dhe Blushi e mban parasysh ndërsa kalkulon efektet e shkrimeve të veta në pikëpamje kohore. Ai e ndjeu funeralin e Rilindjes pikërisht kur dolën kandidatët, ndaj u hodh në sulmin e radhës. I zhgënjyer me gjasë nga moskandidimi në Tiranë, Blushi u frymëzua nga zhvillimet në PS duke harruar për shembull eksodin ndoshta pse shkrimi ishte përgatitur më parë dhe u lëshua fiks kur dolën kandidatët.  Vërtet foli në Parlament për këtë temë që nuk ishte në esenë e vet, por edhe fjalimi rezultoi veçse një monolog i bukur. Koha nuk fal: ajo e harron shkrimin e fundit…
Vlerësuesit e shkrimeve apo fjalimeve të rralla të Blushit, edhe kur janë në partinë e tij, s s’bëhen dot rryma blushiane apo fluksi blushian. Pra, shkrimet, fjalimet nuk mund të krijojnë dot ndonjë fraksion politik, sepse nevojiten edhe aftësi të tjera politike: lidership, ndershmëri grupore, investim jo vetëm emocional etj. etj. Blushi nuk bën grup, edhe pse ai është shumë i këndshëm, shkruan shumë bukur, por nuk zotëron këto cilësitë e tjera. Si çdo shkrimtar, pas një vepre ai tërhiqet në kullën e fildishtë dhe krijon veprën e radhës. Por politika të do përditë të pranishëm edhe me sende mediokre. Blushi ka kohë, por e përdor për të përsosur stilin, mendimin. Kjo është arsyeja pse ai ka gjithmonë duartrokitje: veprat e tij të letërsisë politike zgjidhen të bëjnë efekt dhe bëjnë efekt, por afatshkurtër. Grupi mungon, grupi s’është.
Blushi e ka me Ramën, e ka me atë që Rama e ndien si kryeveprën e tij, Rilindjen, prandaj në shkrimin e vet të fundit e ndan Rilindjen nga Partia Socialiste, ku mbase ka disa të tjerë të pakënaqur si ai. Është e vërtetë ajo që thotë Blushi se Rama ka një lloj neverie nga partia e vet dhe se Rama tërë kohën merret me krijesën e vet, Rilindjen. Ka në këtë diferencim dhe një truk të Blushit për të krijuar grup brenda PS-së, që ai e lavdëron dhe për të cilën i vjen keq. Megjithatë, mua si qytetare, e  formësuar me rrymën perëndimore të mendimit, as që më bëhet vonë për partitë tradicionale të stilit leninist. Mua më duhen parti moderne, jo ato të trashëguara nga Enver Hoxha. Blushi do të mobilizojë grupin brenda PS-së që t’i kundërvihet Ramës. Do ia dalë dot apo jo, unë sërish pyes: mendimi i tij politik ku është?
Mendimi politik ka brenda propozim edhe kur vjen nga një politikan opozitar, pale kur vjen nga dikush që formalisht është brenda qeverisjes. Propozimi mbase është i mërzitshëm nëse përkthehet në stil, por ai është i nevojshëm në politikë. Blushi nuk është i mërzitshëm, pse ai nuk bën propozime. Ai kritikon, megjithëse jo në mënyrë të strukturuar. Kritikat e tij bëjnë efekt pse janë të shkruara, por sikur të ishin me gojë, do humbnin paksa prej zërit të tij. Ngjajnë të mira për nga mendjeshkrepja nëse do përdoreshin nëpër debate politike, por të kumtuara me zë nga Blushi, do të humbnin efektin surprizë të shkrimit. Blushi nuk e ka zërin të ëmbël si shkrimi. Blushi nuk ngjan shumë tërheqës nëpër debate. Truket e tij retorike nuk kanë shkëlqimin e veprave të menduara gjatë, atyre me shkrim. Tregojnë dinakëri, por jo mendjethellësi afatgjatë.
Në botën tonë politike dhe mediatike kanë migruar shumë letrarë të pasuksesshëm të dimensioneve të ndryshme. Ata kanë dështime të gradave të ndryshme ndaç në letërsi, ndaç në politikë. Në këtë botë krijohen rregullisht vepra të letërsisë politike dhe mbase këto Blushi i bën të mira. Këto ndoshta janë më të mira se ato të Berishës, i cili në një intervistë thoshte se kishte provuar të shkruante vjersha, por hoqi dorë pse “i shkruante me mendje, dhe jo me zemër”. Blushi mbase shkruan me zemër, ndaj shkruan akoma dhe më mirë se Berisha. Kjo është arsyeja pse demokratët, të trishtuar nga mungesa e letërsisë në fjalimet e Bashës, të depresuar përse Berisha ende nuk gjen kohë të bëjë letërsi gjithë kohën në postimet e veta në facebook, e duartrokitën Blushin. Berisha, letrar në potencë, me dell krijues që nuk i ka vdekur akoma, s’ka shkëlqimin e Blushit, ndaj me gjasë ai provon ndjesi të kundërta kur lexon Blushin. Metaforat e doktorit me mamuthë apo mumuthë, siç i quan ai, nuk shkëlqejnë as me zë, as me shkrim. Ndaj Berisha më shumë nuk ndihet mirë, sesa gëzohet prej shkrimeve të Blushit. Ai është xheloz për Blushin letrar. Xhelozia letrare dominon armiqësinë politike të Berishës. Kjo xhelozi mes letrarësh e bën Berishën ta kritikojë rregullisht Blushin thuajse për çdo shkrim të tijin, sado që do duhej të ishte i kënaqur pse Blushi kritikon Ramën, armikun e tij kryesor. Sa e çuditshme për mua që vij nga ekonomia, ku arsyeja dominon  emocionet!
Ne shqiptarët ende qeverisemi nga një botë politike plot me metafora, plot me stil, plot me letërsi, me melodramë, me ngjyra poetike. Kjo është shumë larg asaj të Perëndimit, ku kisha dëgjuar dikur një kryeministër të suksesshëm t’i drejtohej popullit: “më falni pse unë bëj vetëm fjalime të mërzitshme”. Rama bën fjalime të mira në fakt, por mbase Blushi shkruan më mirë se Rama. Më saktë, bën vepra letrare më të mira se Rama. Por ka një dallim të madh mes tyre. Në botën e letrarëve migruar në politikë, Rama është dikush që ka vepra të vërteta, të mira dhe të këqija. Disa prej ndryshimeve të Tiranës në rrugë, në prishjen e lagjeve komerciale ala tajvaneze të fillim tranzicionit që kishin mbytur parkun, Lanën, godinat institucionale të Enver Hoxhës, janë vepra që mbase do të mbeten në histori. Por dhe si kryeministër Rama ka ndërmarrë disa iniciativa me përmbajtje afatgjatë. Prishja e ndërtimeve pa leje, operacioni i pastrimit në një vend të përmbytur nga pisllëku, moratoriumet për gjuetinë, për prerjen e pyjeve, ndryshimi i hyrjeve dhe qendrave të qyteteve, ndalimi i abuzimit me përdorimin e energjisë; qëndrimet dinjitoze ndaj Greqisë, Serbisë, bashkimi ekonomik me Kosovën, hapja ndaj Turqisë, partneriteti strategjik me SHBA-të, infrastruktura dhe roli i ri rajonal nxitur nga lokomotiva gjermane, janë vepra që do të mbeten. Edhe nëse Rama nuk i ka përshkruar bukur me fjalimet e veta.
Problemi më i madh edhe i Ramës, edhe i Blushit, nuk është cilësia e fjalimeve, por është mungesa efektive e përmasës propozuese. Krahas shkopit që përfaqësojnë shumë prej veprimeve politike të Ramës, po mungon karota. Po mungojnë politikat nxitëse për ekonominë. Modeli i ri ekonomik i premtuar s’po duket gjëkund. Legjislacioni tërheqës për investimet e huaja ende s’po miratohet, elemente që sjellin dëshpërim, çka i bën shqiptarët të joshen nga mashtrimet e mafies së udhëtimeve europiane. Edhe shqiptarët e Orikumit madje.
Duhet patjetër një kurs ekonomie në katet e larta të politikës. Duhet injektim idesh dhe vizionesh cilësore. Këshilltarët cilësorë ndërkombëtarë zgjedhur prej sqimës së Ramës do duhet të imponojnë vizionin e tyre për të nxjerrë politikat ekonomike të qeverisë nga stanjacioni i ndonjë ministri rilindës. Duhen krijuar vende pune, nëse ka gatishmëri të huaj për investime, nëse ka burime natyrore, por duhen hequr radikalisht pengesat qeveritare. Rama i ka shpallur prioritetet, por ekipi nuk e ndjek. Ndoshta dhe ekipi do ndryshuar dhe këtu mbase Blushi ka të drejtë si konstatues. Duhen më shumë fjalime të mërzitshme, të shkurtra dhe jo frymëzuese. Duhen më shumë propozime ekonomike, të mërzitshme gjithashtu nga pikëpamja stilistikore. Por të gjitha këto do sillnin zhvillim, që do krijonte mirëqenie. Mirëqenia është vrasësja kryesore e letërsisë politike, e kryeveprave stilistikore. Falë mirëqenies, edhe fjalimet e mërzitshme duken të bukura!
* MA Ekonomi Politike,
Montpellier, Francë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura