“Duhet mbështetje për medalje”, Briken Calja: Rezultat fantastik, shteti ynë të ndjekë Kosovën

Jul 29, 2021 | 9:41
SHPËRNDAJE

Pas sukseseve në Kampionate Botërore dhe Europiane, peshëngritësi Briken Calja ka bërë atë që asnjë sportist shqiptar nuk e kishte arritur në Lojërat Olimpike, duke u klasifikuar në vendin e katërt në kategorinë e peshave 73 kg. 31-vjeçari, i cili ishte vetëm një kg larg medaljes së bronztë, u shfaq shumë i lumtur me paraqitjen e bërë në Tokio. Menjëherë pas garës, shtangisti shtërmenas deklaroi:

calja

“Me rezultatin jam jashtëzakonisht i kënaqur. Është një rezultat fantastik, më i miri i sportit shqiptar në histori. Isha vetëm një vend larg medaljes, por ky është sporti. Dua të falënderoj familjen time jashtëzakonisht shumë, për shkak se kemi kaluar një situatë jo të mirë. Falënderoj Zotin që ka dalë mirë gjithçka.

Falënderoj doktorët për gjithçka kanë bërë për mamanë time. Dua të falënderoj të gjithë stafin tim të mrekullueshëm, duke filluar nga Geraldi, Vanini, bashkë me presidentin Elez Gjoza, pasi kemi qenë një grup i jashtëzakonshëm duke punuar fort për të arritur këto rezultate.

Gjithashtu, një falënderim shkon për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin Erion Veliaj, për të gjithë mbështetjen. Falënderoj edhe Komitetin Olimpik për mbështetjen, por duhet që përgatitjet t’i fillojmë më shpejt, pasi dihet si funksionojnë shtetet e tjera në përgatitjet për Lojërat Olimpike.

Megjithatë, mbi të gjitha duhet të jemi të lumtur për rezultatin, pasi bëhet fjalë për një rezultat historik”. I pyetur se kur mund të vijë medalja e parë në Shqipëri, Calja tha:

“Duhet të marrim si shembull Kosovën. Le të shikojmë vetëm mbështetjen e shtetit në të dyja vendet, me Kosovën që jep 12 mln euro për sportin, ndërsa në Shqipëri buxheti është rreth 1 mln dollarë. Kemi një ndryshim të madh në mbështetjen e shteteve. Nëse shteti ynë vazhdon kështu, do të jemi gjithmonë në këtë situatë”, deklaroi Calja për “KTV”-në.

LEXO EDHE:

VIDEO/ Çalja me rezultat historik, vetëm një kilogram i heq medaljen

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura