“Duhet dialog konstruktiv”- Gjekmarkaj për deklaratat e ambasadave të SHBA dhe Britanisë: Thirrje maxhorancës t’i krijojë mundësitë opozitës për të drejtat kushtetuese

Nov 21, 2023 | 16:46
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherësh deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj ka përshëndetur deklaratat e ambasadave të SHBA dhe Britanisë, të cilat bëjnë thirrje për dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës.

agron-gjekmarkaj.1

Me anë të një reagimi, Gjekmarkaj thotë se një parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimin normal të tij, duke mohuar ushtrimin e përgjegjësisë për mbikëqyrjen demokratike të qeverisë.

Deputeti demokrat i bën thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla, por edhe mazhorancës që të reflektojnë dhe ti krijojnë opozitës mundësinë për të ushtruar e qetë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

“Përshëndes deklaratat konstruktive të partnerëve tanë strategjik SHBA-Britani e Madhe, për dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës. Me përgjegjësinë ndaj interesit të qytetarëve prej më shumë se një muaj, opozita kërkon kthimin në normalitet të Parlamentit dhe funksionimin e plotë të tij, duke respektuar të drejtat kushtetuese të opozitës. Një parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimim normal të tij, duke mohuar ushtrimin e përgjegjësisë për mbikëqyrjen demokratike të qeverisë. Është e papranueshme për një vend demokratik që dialogu konstruktiv mes palëve të zëvendësohet me shndërrimin e sallës së parlamentit në repart gardist, për të shuar me forca sigurie zërin e opozitës për të drejtat e saj. Me besimin e plotë se funksionimi normal i Parlamentit kërkon mbi të gjitha respektimin e opozitës, i bëj thirrje Kryetares së Kuvendit dhe mazhorancës të reflektojnë dhe ti krijojnë opozitës mundësinë për të ushtruar e qetë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Ngritja e Komisioneve Hetimore dhe heqja dorë nga emërimi i opozitës, janë parakushte për një Shqipëri të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE”, thuhet ne reagimin e Agron Gjekmarkajt.

LEXO EDHE: “Jemi të shqetësuar”- Tensionet në Kuvend, reagon ambasada e SHBA: Kjo nuk është në interes të Shqipërisë, me rëndësi kritike që…

LEXO EDHE: Kaosi në Kuvend, Ambasada Britanike thirrje mazhorancës dhe opozitës: Punoni së bashku që Parlamenti të mund të ushtrojë rolin mbikëqyrës dhe të veprojë në interes të qytetarëve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura