“Duhen 6 mijë euro, Skënderi ka futur miq me peshë”/ Përgjime të tjera nga korrupsioni në gjyqësor: S’do ishte problem edhe nëse janë lekë shqiptare

Sep 11, 2020 | 12:00
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Teksa ditët kalonin, Nejton Bali vijonte të kontaktonte me nënën e tij në telefon dhe i tregonte asaj se si po veprohej për lirimin nga burgu të vëllait të arrestuar.

lart gjyqtarja Mimoza Margjela, poshte Arben Cara, bashkëshorti i gjyqtares, djathtas Avokati, Skënder Demiraj
lart gjyqtarja Mimoza Margjela, poshte Arben Cara, bashkëshorti i gjyqtares, djathtas Avokati, Skënder Demiraj

PJESË NGA DOSJA

Nejtoni me numër telefoni 068***034 ka biseduar më datë 20.07.2020, ora 09:30, me nënën e tij Afërdita, me numër telefoni 068 *** 010.

Afërdita e pyet se çfarë i ka thënë Skënderi dhe Nejtoni i përgjigjet se Skënderi ka dërguar njerëzit e tij në Korçë te gjykata dhe data nuk ka dalë e afishuar. Që del këtë javë, nuk diskutohet. Sipas Nejtonit, Skënderi i ka thënë se ka futur miq me peshë dhe e ka pyetur nëse i ka marrë lekët me vete dhe sa lekë kishte marrë.

Nejtoni i ka thënë se kishte 5 mijë euro, por Skënderi i ka bërë me dije se duhen 6 mijë euro dhe nuk ishte problem edhe nëse ishin lekë shqiptare. Skënderi i ka thënë se do të bënte më të mirën e mundshme dhe miqtë i ka futur e do të arrinin diçka.

Nejtoni ndërkohë i konfirmon së ëmës se ia ka dhënë lekët Skënderit. Ky i fundit, gjithashtu, i ka thënë Nejtonit që të bënte me dije të ëmën Afërdita se paratë po paguhen për ta prurë Orionin në shtëpi dhe se po mundohen për të kryer punë, njerëzit i ka të fuqishëm atje. E ëma e pyet edhe një herë nëse u bënë 6 dhe Nejtoni i konfirmon se u bënë.

Skënderi, përdorues i numrit të telefonit 069 **** 062, konstatohet se komunikon me përdoruesin e numrit 069 *** 915, të identifikuar si Albert Zhilla, të cilit i sqaron se kanë arrestuar një mikun e tij në Pogradec dhe e kanë çuar në Korçë. Ndërkohë e pyet nëse ka ndonjë të njohur në Apelin e Korçës.

Berti i bën me dije se ai tashmë është shkëputur, ka pasur 2-3, por ata kanë dalë në pension dhe kanë ardhur të rinj, por do të pyesë një herë mos njeh Klodi, djali i tij (Klaudjo Zhilla) ndonjë. Skënderi ndërkohë i thotë se ka dalë data e gjyqit, konkretisht është caktuar seanca për më datë 22 korrik 2020 dhe në vijim i dërgon me sms shtetasit Albert Zhilla me përmbajtjen: “Personi është Orion Bali dhe gjyqi është në datën 22 në Gjykatën e Apelit Korçë”.

Më datë 22.07.2020, në orën 13:02, Skënderi komunikon me shtetasin Klaudjo Zhilla, përdorues i numrit të telefonit 069 ***134, të cilit sipas bisedës së bërë me Bertin i thotë se ka një mikun e tij atje dhe se i ka rënë Olsi Xhavellës (ky i fundit gjyqtar në Gjykatën e Apelit Korçë).

Klodi i bën me dije se problemi është se ata janë tre veta. Dy i gjen ai, njërin e ka në hotel se e ka mik edhe atë, atë me mbiemër Cara, dhe janë nga Tirana, zonja është nga Tropoja, kurse për Olsin shprehet se nuk i jep garanci sepse është zhytur keq. Skënderi, pasi e pyet Klodin nëse është në Korçë dhe ky, i përgjigjet se mund të shkojë të nesërmen.

Skënderi i bën me dije se dosja i ka rënë me short Olsi Xhavellës. Klodi i bën me dije se do të shkojë të nesërmen në Korçë, do ta thërriste Olsin, do ta takojë dhe do shikojë ku është situata e do t’i thotë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura