Duel për historinë, te Teuta kërkojnë ndihmë nga tribunat. Hasanbelliu: Të mbështetim ekipin tonë të përbashkët

Aug 11, 2021 | 22:12
SHPËRNDAJE

Teuta ka këtë të enjte një takim me historinë, pasi do të përballet në një sfidë shumë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare ndaj Shamrok Rovers të Irlandës. Ndeshja e parë është mbyllur me fitoren 1-0 të irlandezëve, ndaj çdo gjë është e mundur për durrsakët të cilët shpresojnë që të sigurojnë një biletë për në play-off të Ligës së Konferencës.

hasanbelliu

Për të bërë të mundur një gjë të tillë, në kampin durrsak shpresojnë që të kenë një ndihmë edhe nga tifozeria e tyre, që të jetë e shumtë në numër në “Elbasan Arena”, ku do të zhvillohet kjo sfidë. Mbështetja e zjarrtë në shkallët e stadiumit mund të jetë një shtysë më shumë për ekipin, ndaj në klubin durrsak i kanë bërë thirrje edhe sot mbështetësve të tyre që të mbushin shkallaret e stadiumit.

“Presidenti Edmond Hasanbelliu, u bën thirrje të gjithë tifozëve dhe dashamirësve të futbollit durrsak që të vijnë në “Elbasan Arena” të mbështesin skuadrën tonë të përbashkët në këtë ndeshje mjaft të rëndësishme të UEFA Conference League”, ishte thirrja publike që klubi bëri për tifozerinë, duke shpresuar që të marrë përgjigjen e duhur në ditën e sfidës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura