Dudaj: “Tirana Open 1”, festivali që bashkon të gjithë

Apr 23, 2015 | 14:40
SHPËRNDAJE

Prej datës 6-13 maj do të mbahet në kryeqytet “Tirana Open 1”, një aktivitet gjithëpërfshirës, ku librit e artit pamor i është shtuar muzika, kinematografia, por edhe debati i ideve.

Arlinda Dudaj

Nga Muzeu Kombëtar, ku u zhvillua një vit më parë, festivali do të zhvendoset në Pallatin e Kongreseve, por do të përfshijë edhe hapësira të tjera në kryeqytet. Aktiviteti drejtohet nga Arlinda Dudaj, Helidon Gjergji dhe Vladimir Myrtezai-Grosha, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Arlinda Dudaj tregon për risitë e këtij edicioni, aktivitet që i shtohen, artistët pjesëmarrës dhe të ftuarit. Nuk do të mungojnë edhe çmimet “Ardian Klosi” e “Danish Jukniu”.

Pas edicionit të parë, i cili ishte ndoshta një eksperiment, “Tirana Open” rikthehet për të dytën herë. Ç’do të ketë në këtë edicion?

“Tirana Open 1” vjen këtë vit shumëdimensional, duke përfshirë fusha nga më të ndryshmet të artit e duke u bërë festivali i të gjithëve. Një ndër shtyllat kryesore është panairi gjithëpërfshirës i librit, që do të shërbejë për nxitjen e shkëmbimit kulturor midis autorëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë.

Me stenda nga shumica e shtëpive botuese të librit në Shqipëri, panairi do të mbahet në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. Do ta bëjnë edhe më interesant këtë edicion të ftuarit e veçantë si Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar. Presim dhe një autor surprizë, që do të lajmërohet ditët në vijim.

Nuk do të mungojë “paMur”, ekspo seksioni i arteve bashkëkohore të festivalit. Pjesë e tij do të jenë projekte artistike të artistëve me famë botërore, shqiptarë e të huaj, që nga William Kentridge (Afrika e Jugut), tek Anri Sala.

Juria e konkursit përbëhet nga Edoardo Bonaspetti (Mousse Magazine), Cathryn Drake (Artforum & Frieze Magazine), dhe Michele Robecchi (Phaidon). Në vijim të aktiviteteve nga fusha e arteve pamore, artisti Adrian Paci do të zhvillojë një bisedë të hapur.

Veç dy aktiviteteve të mëdha, do të ketë dhe të tjera “satelite”, ç’mund të na thoni rreth tyre?

Kjo është e vërtetë, “Tirana Open 1” këtë vit nuk mbështetet vetëm te libri dhe artet pamore. Muzika, qoftë ajo lirike apo etno, do të jetë pjesë e festivalit, po ashtu edhe kinematografia vendëse dhe e huaj. Kështu, Bienalja e Muzikës së Venecias dhe kompania e operës bashkëkohore italiane, Cantieri Teatrali Koreja, do të udhëtojë për në Shqipëri me një produksion të bujshëm, siç është “Kateri i Radës. Mbytja”.

Festivali do të ofrojë gjithashtu koncerte nga grupe të shquara si “Fanfara Tirana” dhe “Gipsy Groove”. Këtij edicioni i bashkëngjitet edhe shfaqja e një liste filmash dokumentarë, përfshirë në DocuTIFF, organizuar nga Tirana International Film Festival (TIFF), si dhe një program me katër filma të fundit izraelitë, paraqitur nga Akademia e Filmit dhe Multimedias MARUBI (MARUBI).

Laboratori Urban Tirana Albania (ULTRA) do të paraqitet me një festival vjetor të komenteve dhe ideve të jetës dhe hapësirave urbane, parë në kontekstin e ndryshimit të hapësirës urbane, kuruar nga Elian Stefa. Te gjitha këto aktivitete i bashkon kultura.

Kujt i drejtohet ky edicion?

U drejtohet të gjitha grupmoshave dhe interesave. Ka njerëz të interesuar për librin, artet, filmin, muzikën… është gjithëpërfshirës dhe shumëdimensional. Është një festival i hapur për shkollat, Liceun artistik, artistët etj., etj.

A do të ketë çmime këtë vit?

Edhe këtë vit do të zhvillohet një ceremoni ndarjeje çmimesh. Ashtu si edhe edicionin e shkuar, do të ndahet çmimi “Ardian Klosi” për librin më të mirë jo-fiction, sponsorizuar nga Traduki, rrjeti europian për letërsinë dhe librat që ndihmon me përkthim dhe përhapjen e kulturës dhe botimeve. Në fushën e arteve pamore do të ndahet çmimi që mban emrin e artistit Danish Jukniu.

Kush e financon festivalin?

Festivali mbështetet nga një financim i vogël nga Ministria e Kulturës, Instituti Italian i Kulturës dhe disa sponsorë privatë.

Kur u zhvillua një vit më parë, u fol për një “dublim” të panairit tradicional të librit, a ka shkaktuar shumë xhelozira “Tirana Open”?

Nuk e di, por s’ka asnjë arsye. “Tirana open” është një aktivitet që mund të na bashkojë të gjithë. Ky vend ka kaq shumë nevojë.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura