“Duart e shtrira mbi policinë, shërbyen për të vjedhur zgjedhjet”/ Alibeaj: Narkotrafikantët janë infiltruar në repartin elitë të Policisë së Shtetit, me bekimin e Edi Ramës

Aug 21, 2021 | 16:24
SHPËRNDAJE

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj të shtunën komentoi arrestimin e efektivit të RENEA-s që merrej me organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke theksuar se reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët.

alibeaj

Në një postim në rrjetin social Facebook, Alibeaj thekson se dy efektivë dhe një nënkomisar të këtij reparti janë arrestuar në pak kohë për organizim dhe trafik kokaine.

Sipas tij, raportohet se edhe katër të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro.

Kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë”, shkruan ai.

Ai thekson se përgjimet e antimafias italiane dëshmojnë për implikim masiv të kupolës së Policisë së Shtetit në trafikun e kanabisit.

“Tashmë, shumica e shqiptarëve e di që teksa vendi kthehej në Kolumbinë e Europës me urdhër politik për të financuar shkatërrimin e zgjedhjeve, forcat e policisë përdoreshin si roje të parcelave me hashash dhe si punëtorë krahu për të ngarkuar skafet me lëndë narkotike”, nënvizon Alibeaj.

Deputeti i zgjedhur më 25 prill, shprehet se me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, pasi ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin.

Për shkak të këtij pushteti ilegjitim që ka kriminalizuar politikën, institucionet dhe policinë, qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen e familjeve të tyre, të pasigurt për rendin dhe sigurinë”, deklaron Alibeaj.

Duke shtuar më tej se qytetarët nuk mund të ruhen edhe nga krimi, edhe nga policia që paguhet nga taksat e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura