“Duan punë duke qëndruar në kafe”- Kryemadhi i përgjigjet Ramës: Shqipëria s’mund të jetë han pa porta, kemi një kryeministër që e shtyn rininë të emigrojë

Mar 20, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i është përgjigjur sot nga Fieri deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili tha se “problemi” i papunësisë në Shqipëri është se “disa duan punë duke ndenjur në kafe”.

“Ka filluar ardhja e punëtorëve të huaj, në një vend ku shumëkush ndër ata që thonë duam punë duke qëndruar në kafe, ka vende pune që po i marrin të huajt”, do të deklaronte Rama të premten.

Por Kryemadhi në fjalën e saj gjatë takimit me të rinjtë, tha se kryeministri po e nxit shpopullimin e vendit dhe largimin e të rinjve me profesione të rëndësishme nga Shqipëria.

“Ajo që më shumë përshtypje, revolta ime ndaj një individi të tillë, që në fakt nuk është më revoltë por është neveri, qe thotë se të rinjtë e të rejat rrinë në kafe se punë ka e do marim të rinj të huaj nga jashtë.

Si mund të rrish në kafe ku të rinj e të reja po ikin jashtë ku familjet kanë harxhuar para për të marrë diplomën e fëmijëve, nuk është se është turp për të punuar por kur je inxhinier nafte e të punosh kamarier, kur je ekonomist e të punosh recepsionist, s’mund të thuash që s’ka vende pune.

Pra ne kemi një kryeministër që e shtyn rininë tonë të ikë në emigracion që stimulon shpopullimin, largon të rinjtë e të rejat nga Shqipëria e sjell njerëz që nuk kanë asnjë lidhje emocionale, historioe e kulturore me Shqipërinë.

S’mund ta quaja nacionaliste, se nuk mendoj që ka njeri nga ne të lejojë të hyjë një njeri në shtëpitë tona, dhe Shqipëria s’mund të jetë han pa porta ku mund të hyjnë e të dalin sa të duan, se duam apo s’duam kemi luftuar për të, është një vend që kemi kontribuuar të gjithë, s’mund të lejojmë të rinjtët e e të rejat të largohen”, tha Kryemadhi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura