“Duam të vendosim paqe”, fjalimi brilant i Presidentit izraelit në Gjermani

Sep 19, 2019 | 19:01
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI/  xhezair-zaganjori

Pak ditë më parë, ndërsa lexoja lajmet e ofruara nga CNN, më tërhoqi vëmendjen njoftimi se brenda këtij muaji (shtatorit), shtëpia e njohur botuese anglo–amerikane “Penguin Books” do të prezantojë ndër të tjera edhe librin e saj më të ri, “Ditari i Renias” (Renia’s Diary). Bëhet fjalë për ditarin e adoleshentes polake me origjine hebre, Renia Spiegel, e cila në korrik të vitit 1942, në moshën 18- vjeçare, u vra barbarisht nga pushtuesit nazistë, të cilët e zbuluan të fshehur në tavanin e një shtëpie të braktisur.

Flitet se libri do të ketë sukses të jashtëzakonshëm, pasi ngjason shumë me ditarin e famshëm të Ana Frankut, si për sa i përket përmbajtjes, ashtu edhe informacionit, zgjuarsisë, qartësisë, aftësisë dhe muzës së jashtëzakonshme letrare të kësaj vajze fatkeqe. Ditari është shkruar në vendlindjen e saj, qytetin Przemysl në juglindje të Polonisë, i cili fillimisht u mbajt i pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, derisa gjermanët e sulmuan këtë të fundit(BS) më 22 qershor të vitit 1941. Siç dihet, marrëveshja famëkeqe e mossulmimit dhe ndarjes së Polonisë si dhe zonave të tjera të influencës ndërmjet BRSS dhe Gjermanisë, nënshkruar në Moskë nga Molotov dhe Ribentrop, më 22 gusht 1939, nuk e pati jetën e gjatë.

Ditari i Renias është mbajtur për tri vite, nga vera e vitit 1939, deri në verën e vitit 1942. Ai fillon me ngjarjet e vitit 1939, që janë pushtimi nga rusët, mobilizimi i përgjithshëm “sekret”, mungesat e ushqimeve, frika e luftës e të tjerë, duke vazhduar më pas me pushtimin gjerman dhe zhvillimet e dhunshme e rrëqethëse të viteve 1941 e 1942… Ndër të tjera, në qershor 1942, ajo shkruan se “..kudo që shoh, ka vetëm gjakderdhje. Është një pogrom i tmerrshëm. Ka dhunë, vrasje e masakra. Zot i Plotfuqishëm, ju përgjërohem pafund me përulësi. Na ndihmo! Na shpëto! Zot i madhërishëm, më le të jetoj, ju lutem, dua të jetoj! Kam jetuar shumë pak. Nuk dua të vdes. Kam frikë nga vdekja. Gjithçka më ngjason me një marrëzi të pafund, kaq të ngushtë, kaq të parëndësishme, kaq të vogël. Sot jam e shqetësuar për pamjen time si vajzë, por nesër unë mund të ndaloj së menduari përgjithmonë……”. Me një parandjenjë të çuditshme, pak ditë para ekzekutimit mizor, Renia ia dha ditarin të dashurit të saj të parë e të fundit, Zygmund Schwarzer. Ai arriti ta linte diku për ruajtje, sepse shumë shpejt edhe ai vetë do të kapej e do të dërgohej në Aushvic, të cilit i mbijetoi. Pas Luftës, ditarin ai do t’ia dorëzonte motrës dhe nënës së Renias, të cilat, pas peripecive të shumta, jetonin tashmë në New York. Për shkak të përshkrimeve të frikshme, të tmerrshme, reale, por tepër të dhimbshme, ato vendosën jo vetëm të mos e bëjnë publik, por edhe të mos e lexojnë tërësisht. Prandaj, ditarin e njeriut të tyre më të dashur e depozituan për ruajtje në kasafortën e një banke. Vetëm pak kohë më parë, pra, pas rreth 70 viteve, mbesa e Renias, vajza e motrës së saj, pasi u njoh me këtë histori, vendosi të bashkëpunojë me shtëpinë botuese në fjalë.

Nga ana tjetër, kriza në Lindjen e Mesme, e veçanërisht marrëdhëniet e Izraelit me vendet arabe në këtë rajon, vazhdon të mbetet që nga viti 1948 si një nga shqetësimet më serioze jo vetëm për rajonin, por për të gjithë politikën botërore, veçanërisht për atë amerikane. Presidenti Trump e përcaktoi këtë çështje pak ditë më parë si tepër prioritare. Ai premtoi se deri në fund të këtij viti, ShBA do të bëjnë ç’është e mundur për të dalë me një plan konkret, që do të nxisë gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme e të dobishme për të gjitha palët. Këtij angazhimi për arritjen e një paqeje të qëndrueshme i shtohet edhe deklarata e Presidentit amerikan, bërë po në këto ditë, lidhur me përfundimin e mundshëm të një traktati dypalësh me Izraelin për mbrojtje reciproke. Këto ishin dy shtysat që më kujtuan një fjalim brilant të ish-Presidentit izraelit, Ezer Weizman, mbajtur në Parlamentin gjerman në vitin e largët 1996. Unë isha i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të detyrës si ambasador dhe mbaj mend që ashtu si shumë e shumë të tjerë, u emocionova pa fund.

Kërkova dhe e gjeta këtë fjalim me shënimet përkatëse. Është me të vërtetë një fjalim i jashtëzakonshëm, impresionues dhe informues mbi historinë, jetën, kulturën, gjuhën, traditat dhe problemet e vjetra dhe aktuale të Izraelit dhe të të gjithë rajonit. Ai përshkohet nga fryma e një patriotizmi realist, nga kultura dhe idetë e një filozofie të thellë, nga mendimi i qartë i përgjegjshëm i një kryetari shteti, që ka një dashuri të sinqertë e të pafund për vendin dhe popullin e tij, duke pasur si shqetësim kryesor arritjen e paqes në rajon, si një detyrim madhor që do të mund të garantonte ndërprerjen e gjakderdhjes, zhvillimin e rajonit dhe jetën normale të të gjithë popujve në Lindjen e Mesme, për sot dhe për gjeneratat që do të vijnë. E, në fakt, natyrshëm kjo ka qenë temë qendrore edhe gjatë fushatës elektorale të këtyre ditëve për zgjedhjet parlamentare në Izrael. Pikërisht për këto arsye, mendova ta përkthej e botoj këtë fjalë në shtypin periodik.

FJALA E PRESIDENTIT IZRAELIT EZER WEIZMAN NË PARLAMENTIN (BUNDESTAGUN) E REPUBLIKËS FEDERALE GJERMANE – BON, 16 JANAR 1996.

I nderuar zoti Roman Herzog, President i Republikës Federale Gjermane,

E nderuara zonja Rita Sussmuth, Presidente e Bundestagut,

I nderuari zoti Helmut Kohl, Kancelar i Republikës Federale Gjermane,

Të nderuar anëtarë të Bundestagut dhe Bundesratit, anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Gjermani, të nderuar pjesëmarrës!

Ka qenë fat i madh për mua e bashkëmoshatarët e mi që u lindëm në këtë periudhë, gjatë së cilës hebrenjtë u kthyen e rikrijuan atdheun e tyre. Unë nuk jam më endacak, që migron nga një shtet në tjetrin, nga ekzili në ekzil. Por, megjithatë, çdo hebre i çdo gjenerate duhet të imagjinojë sikur ka qenë edhe vetë ai bashkudhëtar me gjeneratat e kaluara, bashkudhëtar në vendet dhe ngjarjet e mëparshme. Ndaj, edhe unë ende vazhdoj të jem një hebre endacak, por jo përmes rrugëve të pafund të kësaj bote. Tani unë migroj në thellësinë e kohës, nga gjenerata në gjeneratë, përmes rrugëtimit të memories sime. Dhe memoria i shkurton distancat.

Ish-Presidenti izraelit, Ezer Weizman
Ish-Presidenti
izraelit, Ezer
Weizman

Ndaj dua të theksoj që në fillim se kanë kaluar 200 gjenerata që kur populli im krijoi për herë të parë qenien e tij. E mua kjo më duket sikur ka ndodhur vetëm pak ditë më parë. Vetëm 200 gjenerata kanë kaluar që nga koha kur një njeri me emrin Abraham mori vendimin për të lënë vendlindjen e tij për vendin që sot është edhe i imi. Vetëm 200 gjenerata kanë kaluar që nga dita kur Abrahami bleu Shpellën Makhpela në qytetin Hebron, që pasoi konfliktet vdekjeprurëse që kanë ndodhur atje gjatë gjithë gjeneratës sime. Vetëm njëqind e pesëdhjetë gjenerata kanë kaluar nga koha e pishtarëve të zjarrit që shoqëruan eksodin në Egjipt, deri te pishtarët e tymit që shoqëruan Holokaustin. Dhe unë, një pasardhës i Abrahamit, i lindur në vendin e Abrahamit, i kam përjetuar të gjitha këto ngjarje. Unë kam qenë skllav në Egjipt. Unë e kam pritur Torah-un në Lartësinë Sinai.

Së bashku me Joshuan dhe Elijan kam kaluar lumin Jordan. Kam hyrë në Jerusalem së bashku me Davidin, u detyrova të iki nga ky qytet së bashku me Zedekian, por pa e harruar atë, edhe pse u vendosa buzë lumenjve të Babilonisë. Kur Zoti i Madhërishëm i ktheu të burgosurit e Zion-t, unë ëndërrova që përmes ndërtimeve të mbroj ekzistencën e tij. Unë luftova romakët dhe u dëbova nga Spanja. Mua më lidhën në një shtyllë në Mainz. Unë studiova Torah në Jemen dhe humba familjen në Kishinev.

Unë u dogja e u bëra hi në Treblinka, u rebelova në Varshavë dhe më pas emigrova sërish në Tokën e Izraelit, vendi ku dikur u përzura, vendi ku kam lindur, vendi nga i cili kam origjinën dhe tek i cili u riktheva. Jam një hebre endacak që kërkon rrënjët e paraardhësve të tij, të cilët sapo i shoqërova në rrjedhën e historisë. Kështu po bëjnë sot edhe vete paraardhësit e mi, duke më shoqëruar e duke qëndruar me mua në këtë sallë së bashku me ju. Një vështrim i mprehtë nga ana juaj mund t’i dallonte ato: një shpurë e tërë me profetë dhe fshatarë, mbretër dhe rabinë, shkencëtarë dhe ushtarë, zanatçinj dhe fëmijë. Disa kanë vdekur për shkak të moshës, të shtrirë në shtrat. Të tjerë janë bërë hi nga flakët. E të tjerë kanë rënë në fushëbetejë nga shpata. Pikërisht, ashtu sikurse memoria na krijon mundësinë të marrim pjesë në çdo ditë dhe në çdo ngjarje të së shkuarës, ashtu edhe virtyti i shpresës na detyron të përgatitemi për çdo ditë të së ardhmes sonë. Sepse mbi të gjitha, vetëm gjatë shekullit të kaluar, fati ynë ka qenë disa herë i varur ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit, ndërmjet shpërnguljes dhe shfarosjes.

I yni është shekulli i tmerrshëm i vdekjes, gjatë të cilit nazistët dhe përkrahësit e tyre zhdukën një pjesë të madhe nga ne, përmes Holokaustit. Por, ama, është njëkohësisht edhe shekulli i mendimit dhe luftës për mbijetesë, shekulli i pavarësisë, dhe së fundi edhe shekulli i shanseve për paqe. Asnjëherë më parë, një President i shtetit të Izraelit nuk ka folur në këtë tribunë të nderuar. Ju falënderoj shumë për nderin që na keni bërë dhe jam i lumtur që shikoj nga këtu fytyra të njohura dhe miqësore.

Zoti President, Zonja Kryetare e Bundestagut, zoti Kancelar: Izraeli kujton me shumë kënaqësi vizitat tuaja te ne si dhe sinqeritetin që keni shprehur si për ngjarjet e së kaluarës, ashtu edhe për shpresat e miqësisë e bashkëpunimit në të ardhmen. Ju ishit me ne gjithashtu në kohën e vështirë kur i dhamë lamtumirën e fundit Kryeministrit Yitzhak Rabin, i cili u vra për shkak të përpjekjeve të tij për paqe. Yitzhak Rabin ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrugës së paqes. Unë shpreh gjithashtu falënderimet dhe bekimin tim për miqësinë dhe bashkëpunimin që mbisundon sot ndërmjet Izraelit e Gjermanisë, gjë që reflektohet në shumë sfera të ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve kulturore, së bashku me një aspekt tjetër që e kam shumë përzemër – kërkimin shkencor.

Kërkues të shumtë gjermanë e izraelitë po shkëmbejnë ekspertizat dhe dijet e tyre në shumë fusha. Ndihma gjermane në kërkimin shkencor në Izrael është një nga faktorët që vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga qytetarët izraelitë. Megjithatë, zonja e zotërinj, vizita ime në Gjermani nuk është një vizitë e lehtë. Kanë kaluar vetëm 50 vite, një moment i shkurtër në historinë e gjatë të popullit tim, që nga mbarimi i luftës së tmerrshme. Nuk ishte e lehtë për mua të vizitoja sot kampin e përqendrimit të Sachenhausen. Nuk është e lehte për mua të qëndroj këtu e të flas me ju miqtë e mi, pikërisht në këtë godinë. Hebrenjtë kanë jetuar në Gjermani për më shumë se një mijë vjet.

Komuniteti hebreo–gjerman ka qenë komuniteti më i vjetër hebre në Europë, deri sa nazistët e shkatërruan atë. Nga tregtarët e parë që erdhën këtu që në kohën kur shkelën romakët, deri te shkencëtarët e shek. XX. Nga Kalonymos deri te Mendelssohn. Nga shpifjet e përgjakshme që u bënë në Fulda, deri te horrori i Natës së Kristaltë. Nga bexhet e turpit në trup, deri te shiritat e verdhë në krahë. Nga letrat antisemite të Martin Luther-it, deri te ligjet antihumane të Nyrenbergut. Nga komentarët e Rashi-t, te poemat e Heinrich Heine e Rabbeinu Gershomit…

Po kështu, Walther Rathenau, Martin Buber, Franz Rosenzweig, Albert Einstein, janë vetëm disa nga emrat që i ka njohur ky vend, Gjermania. Mes miliona fëmijëve të popullit tim që nazistet i çuan drejt vdekjes, do të mund të kishin qenë patjetër edhe plot emra të tjerë që do t’i kishim përmendur sot me të njëjtën shkallë vlerësimi dhe admirimi. Por ne nuk i dimë emrat e tyre. Sa libra të pashkruar vdiqën së bashku me to? Sa simfoni të pakompozuara u asfiksuan në trupin e tyre? Sa zbulime shkencore nuk arritën të piqen në intelektin e tyre fëminor? Dhe çdonjëri prej tyre është vrare dy herë; një herë si fëmijë që u dërgua forcërisht nga nazistët në kampet e përqendrimit dhe një herë si i rritur që do të bëhej në një të ardhme të afërt. Nazistët i vodhën ato jo vetëm nga familjet dhe populli i tyre, por nga i gjithë njerëzimi. Unë, si President i Izraelit, mund të dëshpërohem shumë për to dhe mund t’i përkujtoj, por unë nuk mund të fal në emër të tyre. Unë vetëm mund të kërkoj që ju, anëtarë të Bundestagut e Bundesratit, duke njohur plotësisht të kaluarën, të shikoni me shumë kujdes të ardhmen. E keni ju në dorë të dalloni çdo manifestim të racizmit, të frenoni çdo shprehje të neonazizmit, të dini të identifikoni me kurajë këto fenomene dhe t’i largoni ato nga gjiri juaj, sepse përndryshe ato rriten dhe përhapen. Zonja e zotërinj, unë mendoj se edhe për ju, një vizitë e Presidentit të Izraelit në Gjermani paraqet njëkohësisht edhe disa vështirësi. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ne takohemi këtu jo si individë privatë, por si të dërguar të shteteve sovrane. Ne duhet të identifikojmë interesat e përbashkëta, në mënyrë që të ecim përpara për arritjen e objektivave që i kemi vënë vetes. Unë jam një hebre endacak. Me mantelin e kujtesës rreth shpatullave të mia dhe një tufë me shpresa në dorë, unë qëndroj në mes të këtij kryqëzimi të madh kohor në fund të shek. XX. Unë e di nga vij dhe me shpresë e shumë kujdes përpiqem të gjej se ku duhet të shkojmë.

Shteti i Izraelit është në mes të një procesi që është inkurajues dhe ngacmues, por njëkohësisht edhe shqetësues dhe i frikshëm. Ai ka marrë ndërkaq jetët e arkitektëve të paqes, Kryeministrit të Izraelit, Yitzhak Rabin, vrarë me gjakftohtësi nga një armik i paqes, dhe para tij, atë të Presidentit të Egjiptit, Anwar Sadat. Procesi i paqes është sfida më e madhe që na paraqitet neve që nga krijimi i shtetit hebre. E tani ne jemi pikërisht në mes të këtij procesi. Zoti President, zonja dhe zotërinj: Për më shumë se një shekull jemi përpjekur, kemi shpresuar dhe kemi luftuar që kjo paqe të arrihet. Ne nuk u kthyem te kufijtë tanë të dikurshëm me anije lufte. Ne nuk u kthyem në shtëpitë tona duke tundur heshtat.

sh-Presidenti izraelit, Ezer Weizman me ish-Presidentin gjerman, Johannes Rau
sh-Presidenti izraelit,
Ezer Weizman me
ish-Presidentin gjerman,
Johannes Rau

Ne u kthyem si një varg i gjatë ëndërrimtarësh dhe me varkat e refugjatëve të shtypur. Dhe ashtu si paraardhësi ynë Mbreti David, që bleu Tempullin Mount si dhe Patriarku ynë që bleu Shpellën Makhpela, edhe ne u kthyem dhe blemë sërish tokë, mbollëm fusha, krijuam vreshta, ndërtuam shtëpi. Por nga ana tjetër, para se të fitonim shtetësinë, ne mbanim edhe armë në dorë për të mbrojtur jetët tona. Kaloi koha e përsëri ne shtrimë dorën për paqe, por përsëri u refuzuam. Kaloi koha e përsëri ne shkuam në luftë. Kaloi koha e përsëri ne vramë dhe u vramë. Kaloi koha e përsëri ne braktisëm shtëpitë, zyrat, universitetet dhe pemishtet tona për t’u kthyer në fushën e betejës.

Kaloi koha dhe përsëri ne zbuluam se edhe përtej fitoreve më të mëdha, mund të përvidhen vetëm kriza dhe humbje. Ne e dëshirojmë këtë paqe. Ne e duam dhe lutemi për të. Kjo konstatohet në çdo fazë të mendimit hebre: në Torah, në Psalm, në Talmud, në komentarët, liturgjitë dhe predikimet tona. Pikërisht për këto arsye, përtej përpjekjeve të pareshtura për paqe dhe mendimit për të rikujtuar historinë, veçanërisht të episodeve më të tmerrshme të saj që i kane ndodhur vendit tonë, ne duhet të jemi të durueshëm dhe praktikë. Prandaj, ne merremi me këtë proces të ndjeshëm e delikat të mbushur me plot shpresë, por njëkohësisht edhe me gjakftohtësi e zgjuarsi.

Organizatat terroriste dhe shtetet islamike ekstremiste duan ta sabotojnë procesin, ashtu siç bëjnë elementë ekstremistë edhe në mjedisin tonë. Atmosfera është e ngarkuar. Gjërat nuk janë të lehta jo vetëm sepse ekstremizmi vdekjeprurës po përpiqet ta shkatërrojë këtë paqe, por gjithashtu sepse pikërisht edhe ato që e duan paqen janë të shqetësuar e shumë të ndjeshëm për shkak se në të dyja kampet ka ende plagë të pashëruara dhe kujtime të hidhura e të freskëta. Gjaku ende na thërret për revansh. Shumë traktate për paqen janë nënshkruar në rrjedhën e historisë. Ato merren me çështje ekonomike, çështje të sigurisë, çështje të kompensimit apo çështje të kufijve. Kur isha ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Izraelit, mora pjesë në bisedimet për paqe me Egjiptin, dhe unë mund t’ju tregoj se në traktatet e paqes në Lindjen e Mesme, ne jemi shumë të ngurtë rreth këtyre çështjeve, por jo vetëm rreth tyre. Në rastin tonë është edhe çështja e tokës së shenjtë, varreve të shenjta dhe luftërave të shenjta. Kujtimet nga koha e Joshuas, Kalorësit Templar, Pontius Pilatit dhe Saladinit, qëndrojnë gjithnjë pezull mbi tavolinën e bisedimeve. Marrëveshja jonë më e fundit me palestinezët ka një dispozitë mbi çështjen e arsimimit dhe edukimit të të dy popujve për një jetë paqësore. Në Lindjen e Mesme, ku ekzistojnë gjurmë të vjetra të hakmarrjes e ngatërresave shekullore, kërkohet një kujdes edhe më i madh. Mendja përpiqet të jetë praktike dhe e arsyeshme. Ajo dëshiron shumë të ndërtojë të ardhmen. Megjithatë, këmba shkel në gjurmët e gjeneratave të shkuara, ndërsa duart janë ato që ndërtuan rrethinat e Jerusalemit në kohën kur u rikthyen hebrenjtë. Por puna u bë vetëm me njërën dorë, sepse në dorën tjetër duhej shtrënguar arma. Mos e merrni këtë kaq lehtë. Ne po përpiqemi të arrijmë një paqe që do të na shoqërojë ne në shek. XXI. Por hartat e kryqëzatave të vjetra të varura në mur, ashtu si edhe kujtimet biblike, rrinë pezull në ajër, në një kohë që profecitë e lashta përpiqen të realizojnë vetveten. Të ulura me ne në tavolinën e bisedimeve, ato na vështrojnë me vëmendje. Janë mysafirë që vijnë nga koha e lashtë. Janë përfaqësues të epokave të shkuara. Janë Joshua dhe Davidi, Profeti Muhamet dhe Jezu Krishti. Nganjëherë, barra që duhet mbajtur në këto bisedime është tepër e rëndë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive e dhimbjeve, ato duhet të jenë burim i fuqisë dhe shpresës sonë. Le të kujtojmë se kjo tokë e shenjtë përbëhet jo vetëm nga vende të shenjta, por edhe nga shtëpi dhe fusha, fabrika, shkolla e punishte. Nuk ka aty vetëm varreza dhe trupa të vdekur, por gjithashtu njerëz që jetojnë, fati i të cilëve është në duart tona.

Në vitin 1977, President i Egjiptit, Anwar Sadat, dhe Kryeministri i Izraelit, Menachem Begin, u takuan në Jerusalem. Më pas u nënshkrua një traktat paqeje në Egjipt, një traktat që unë e njoh mirë personalisht. Që nga ajo kohë ne kemi përfunduar një traktat paqeje me Jordaninë, kemi nënshkruar marrëveshjen e Oslos me Palestinezët, kemi krijuar dialog dhe marrëdhënie ekonomike me vendet arabe dhe jemi futur në kontakt për paqe me Sirinë–kontakte që në asnjë mënyrë nuk janë të lehta. Ka një dritë shpresë në ajër, por ne nuk duhet ta kthejmë atë në deziluzion. Të dy popujt ende janë të ftohtë me njeri-tjetrin. Është ndërtuar një urë mirëkuptimi, por akoma kemi shumë punë për ta përfunduar atë dhe për t’u siguruar se struktura e kësaj marrëdhënie është e qëndrueshme.

Ne i respektojmë vendet fqinje si dhe kulturën që na rrethon, por ne duam që edhe ne të kemi pozicionin tonë mes tyre, mënyrën tonë të jetesës, duke u qëndruar besnikë vlerave dhe kulturës sonë. Ju, zonja dhe zotërinj, që keni dhënë një kontribut kaq të rëndësishëm për fuqizimin e shtetit të Izraelit si dhe për procesin e paqes, e dini mirë që të dyja janë të ndërthurura mes tyre dhe se vetëm për shkak të fuqisë së tij, shteti i Izraelit është në gjendje të çojë përpara procesin e paqes.

Unë e kam fjalën jo vetëm për fuqinë ushtarake dhe vlerat materiale. Në shekullin e fundit, pasi u kthyem në tokën tonë, ne kemi ndërtuar jo vetëm fshatra e qytete, fabrika e kasolle, dyqane e baza ushtarake. Ne kemi instaluar gjithashtu një qeverisje demokratike e kemi ndërtuar një sistem masiv kulturor dhe edukimi: shkolla, institute kërkimi, librari, muze, konservatore dhe universitete. Por për t’i bërë të gjitha këto – që ekzistojnë në çdo shtet të civilizuar – ne kemi realizuar një mrekulli unike kulturore, rigjallërimin e gjuhës sonë, gjuhës hebraishte. Është gjuha, me të cilën unë jam duke folur tani, është gjuha që më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon dhe dëshmon mbijetesën tonë.

Ne dhe gjuha jonë jemi tashmë sërish gjallë. Ne si njerëz u ringjallëm nga hiri. Po ashtu, edhe gjuhës iu desh të priste shumë gjatë në qefinët e pergamenave të Toras, vendosur mes faqeve të librave të shenjtë. E qe të dy, pra, jemi gjallë sot. Gjuha që pëshpëritej vetëm përmes lutjeve, që lexohej vetëm në sinagoga, që këndohej vetëm në liturgji, që klithej në dhomat e gazit përmes lutjes “Shma Yisrael”, ka mbijetuar. Unë e di se gjuha gjermane është më e pasur se ajo hebraishte në shumë drejtime. Por, ama, mua nuk më mungojnë fjalët që të shpreh ndjenjat e mia. Hebrenjve nuk u kanë munguar kurrë fjalët për të shprehur besimin, dashurinë, ëndrrat, mallin dhe shpresat e tyre. Ne kemi zhvilluar një fjalor të përshtatshëm për nevojat tona. Ne shpresojmë, ne çmallemi, ne shprehim dëshira, ne parashikojmë, ne aspirojmë, ne kemi etje, ne lakmojmë, ne imagjinojmë….. Do të ndalem këtu për t’i kërkuar ndjesë përkthyesve, pasi mund ta kenë të vështirë të zgjedhin në përkthim fjalët e përshtatshme.

Këto dy kadavra, pra, që mbijetuan pas kaq shumë viteve, shteti hebre dhe gjuha hebraishte, janë në fakt vetë thelbi i jetës sonë në këtë shekull. Ne arritëm të ngriheshim sërish pas gjithë atyre shekujve që na panë të rrënuar apo edhe të vdekur. Dhe tani ne përdorim pikërisht këtë gjuhë, të cilën në mërgim ne e përdornim për të komunikuar vetëm me Zotin dhe me njëritjetrin.

Sigurisht që ne ende lutemi në gjuhën hebraishte, por tani e përdorim atë edhe për të folur, për të shkruar, për të punuar e studiuar, për të shfaqur mendime, për të kundërshtuar njëri-tjetrin si dhe për të kënduar. Dhe kjo mrekulli do të ishte edhe më e madhe nëse Isaiah, Solomoni dhe Jezusi, do të ishin këtu me ne sot, pasi do ta kuptonin se çfarë jam duke thënë, ashtu si edhe unë, vajza dhe nipat e mi kuptojnë fjalët e tyre, të folura dhe të shkruara, të ruajtura në të njëjtën gjuhë për mijëra vjet me radhë.

Zoti President, zonja e zotërinj: Ju falënderoj edhe një herë për mikpritjen që i rezervuat gruas sime, mua dhe shoqëruesve tanë. Me lejen tuaj do të doja ta përfundoj fjalën time me një thënie biblike lidhur me shpresën dhe paqen. Paraardhësit e mi e përshkruanin paqen me një shprehje hebraishte që e ka përjetuar çdo fermer në Lindje të Mesme. Ajo thotë se “çdo njeri nën hijen e hardhisë së vet dhe nën gjethet e fikut të vet”. Është me të vërtetë një shprehje e bukur, por tashmë nuk është e mjaftueshme të pushosh nën hijen e hardhisë tënde ose nën degët e fikut tënd. Paqja duhet të jetë dinamike dhe jo e plogësht. Ajo duhet të na shoqërojë drejt mileniumit të pestë të historisë sonë, në shekullin e njëzet e njëjtë, ku na presin sfida të reja kulturore, edukimi, teknologjike, shkencore dhe bujqësore.

Izraeli i sotëm, me fluksin e madh të migrantëve, bumin e vet ekonomik dhe me përfundimin e traktateve të paqes, mund dhe duhet të rigjejë pozicionin e vet si qendra kulturore dominuese e popullit hebre.

Ne kemi investuar shumë kohë, burime, përpjekje fizike e psikologjike në fushën e betejës. Tani kemi për të bërë shumë punë në shkollat tona, institutet e kërkimit, aktivitetet shkencore dhe në laboratorë. Aspirata jonë e vërtetë është pikërisht aty dhe jo në fushëbetejë. Synimi ynë kryesor është të përqendrohemi në studim dhe edukim. Etika hebreje ka preferuar gjithnjë penën para shpatës, dhe si një ish-ushtarak, më besoni se nuk është kaq e lehtë për mua për të bërë një deklaratë të tillë.

Zonja e zotërinj, ne jemi një popull që kujton dhe lutet. Ne jemi një popull i fjalës dhe shpresës. Ne nuk kemi krijuar as perandori dhe nuk kemi ndërtuar as kështjella dhe pallate mbretërore. Ne vetëm kemi vendosur fjalët mbi gjithçka. Ne kemi projektuar ide e kemi ndërtuar memorialë. Po kështu, kemi ëndërruar një mal me dëshira për rindërtimin e Jerusalemit, të Jerusalemit të bashkuar, për një paqe që do të ishte e lehtë dhe e shpejtë në ditët e sotme. Amen!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura