“Duam të jemi si Milani i 2007-ës”, Pioli kërkon fitoren ndaj Junajtid: S’firmos për barazim

Mar 11, 2021 | 11:07
SHPËRNDAJE

I sotmi ndaj Mançesterit në 18:55 do të jetë takimi më i rëndësishëm i Milanit për këtë sezon europian. Në konferencë për shtyp, trajneri Stefano Pioli ka analizuar përballjen me “Djajtë e Kuq” duke u ndalur në ato që mund të jenë tematikat më të nxehta.

pioliiiiiiiiiiiiii

Sa mund të ndikojë në këtë takim fitorja e së dielës?

Duhet të na japë më shumë siguri. Kur luajmë me intensitet jemi një ekip i mirë dhe për këtë ndeshje mund të them se jemi përgatitur për të dhuruar një paraqitje dinjitoze. Mendoni se keni gjetur më shumë siguri në prapavijë? Duhet të tregohemi skuadër në të dyja fazat. Nëse qëndrojmë më afër njëri-tjetrit dhe të bashkuar, mund të paraqitemi si duhet në fazën mbrojtëse, por edhe në atë sulmuese.

Çfarë përshtypjeje ju dha Junajtidi ndaj Sitit?

Më habiti, në kuptimin më pozitiv të fjalës. Fitoi në mënyrë të merituar ndaj një rivali që nuk njihte humbje prej 20-21 ndeshjesh. E kemi studiuar në imtësi atë takim.

Si e gjykoni sezonin e deritanishëm të Dalosë?

Jemi të lumtur për rritjen që ka shfaqur. Sa për të ardhmen e tij, është ende herët, pa harruar që nuk më takon mua të flas për të tilla aspekte.

A është kjo ndaj Mançesterit një finale e parakohshme?

Nuk mund ta them këtë pasi shoh edhe ekipe të tjera të forta. Ajo që mund të them është se bëhet fjalë për një përballje prestigjioze mes dy klubeve historike e me të kaluar të ndritur.

Sa peshë ka një si Donaruma në të tilla sfida?

Ai është vendimtar si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në ndërtimin e manovrës. Paraqitja e tij do të ketë shumë rëndësi për Milanin.

Do të ishte barazimi një rezultat i kënaqshëm?

Bëhet fjalë për një nga ato ndeshje që duhen luajtur me bindje sepse përballë do të kemi një ekip që luajti në fazën e grupeve të Champions-it. Një rezultat pozitiv në Mançester do të na jepte një hov të rëndësishëm për sfidën e kthimit.

Sa kohë mund të duhet për të parë një Milan si ai që fitoi në Mançester në 2007-ën?

Ne punojmë për të rikthyer Milanin në nivelet e dikurshme. Maldini pak ditë më parë tha, me të drejtë, se nevojiten disa sezone radhazi në Champios për t’u rritur e për të synuar trofe. E dimë që kemi ende shumë rrugë përpara, por do ta përballojmë me vetëbesim dhe entuziazëm.

A nxjerr Milani më të mirën kur vështirësitë janë më të shumta?

E kemi vetë në dorë gjithçka. Ne kemi zgjedhur të përballemi me vështirësitë duke u munduar të bëjmë gjithmonë paraqitje sa më të mira. I njëjti diskutim vlen edhe për takimin me Junajtidin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura