Drojë apo kurajë?

Jun 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

    Krijimi i Gjykatës Speciale, edhe pse ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, ndeshi në mosmiratimin nga ana e Kuvendit të Kosovës. Duke mos u arritur në mbledhjen e fundit dy të tretat e nevojshme për ndryshimet në Kushtetutë, i mbyllet rruga themelimit të saj. Mungon kryesisht konsensusi ndërpartiak. Deputetët e Lëvizjes për Vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës, ishin kundër kësaj kërkese, zanafillë e së cilës, sikurse është e njohur, ka qenë kërkesa e hershme e përfaqësuesve europianë dhe amerikanë.
Dhe më tej, themelues të kësaj Gjykate do të jenë vetë shqiptarët e Kosovës apo atyre do t’u imponohet nga jashtë, duke i kaluar kompetencat OKB-së?
Kurrkush nuk mund të hedhë baltë mbi çlirimtarët, mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan për Kosovën e tyre. Ato nuk mund të kenë asgjë të përbashkët me këdo që mund të ketë abuzuar dhe ka bërë krime mbi të pafajshmit, pa folur ndërkohë për atë gjenocid  të egër serb ne mes të Europës mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, ku nuk mund të vihet asnjë lloj shenje barazimi.

Por kjo luftë e drejtë, ky vetëmohim i shqiptarëve për të ruajtur tokën e tyre nga egërsia e spastrimit etnik ndihmuar fuqishëm nga ndërkombëtarët, nuk mund të përdoret si mburojë për ato raste që përmendëm më sipër. Askënd të këtij lloji të hidhur nuk mund ta ngatërrosh me fitimtarët, me popullsinë shqiptare për të justifikuar dhe ato keqpërdorime që mund të kenë ndodhur. Drejtësia ka vetëm këtë emër, pavarësisht cili je ti sot.
Shteti i Kosovës, si shtet i së drejtës, ku të gjithë duhet të ndihen të barabartë, me ngritjen e kësaj Gjykate vetëm e rrit performancën e vet. Cilido kujton me respekt qëndrimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që për zbatimin e ligjit ndërkombëtar la karrigen e kryeministrit dhe shkoi vetë në Gjykatën e Hagës për t’u ballafaquar me Drejtësinë. Krijimi i Gjykatës Speciale nuk mund të jetë fyerje, rëndim për Kosovën dhe shqiptarët. Përkundrazi, ajo është shprehje kuraje, për t’i parë të vërtetat në sy, pa asnjë paragjykim që i jep frymëmarrje idesë së një shteti që vetëm konsolidohet në luftë kundër çdo të keqeje, qofshin këto edhe raste korrupsioni, krim i organizuar, të cilat në këto vite kanë pasur terren jo të vogël për komprometimin e tij.

Përpara ligjit të gjithë duhet të biem në gjunjë, gjë që të jep më shumë dinjitet dhe, për rrjedhojë, besim jo të lëkundur te shteti yt. Shqiptarët në Kosovë janë të vendosur për sundimin e ligjit. Ndaj dhe përmbushja e këtij obligimi për Gjykatën Speciale është në interes të tyre. Të mos harrojmë gjithashtu që në mandatin e mëparshëm të Kuvendit të Kosovës është votuar me shumicë të mjaftueshme për ngritjen e saj.
Nga ana tjetër, krijimi i kësaj Gjykate nuk mund të vlerësohet si një proces i dhimbshëm apo të shihet nga pozita të ngushta, si arritje e kundërshtarëve të Kosovës. Ajo u jep ndërkohë fund hamendjeve, supozimeve për krime, duke u mbyllur derën përfundimisht çdo rihapjeje të tyre. Madje, raporte si ato të mëparshmit të Këshillit të Europës, me akuza të llojit Dick Marty për trafikim organesh nga luftëtarët e UÇK-së, që rëndonin mbi Kosovën, do të mbeten të largët.
Në fund të fundit, fjala është për të ardhmen europiane të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, për një reputacion të konsoliduar të saj. Sepse nuk mund të jesh pjesë e familjes europiane pa sundimin e ligjit.
Kosova nuk mund të mbajë barrë që nuk i takon. Gjykata Speciale, dhe më tej, i jep imazhin e nevojshëm, të cilin nuk mund ta dëmtojë askush. Në këtë mënyrë, ajo, sikurse nënvizoi dhe kreu i diplomacisë gjermane Steinmeier gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, i bën një favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura