“Drogaxhi, halabak, horr e hundëmbushës”/ Çfarë nuk u dëgjua dje në Kuvend në përpasjen Noka- Rama- Berisha

Dec 15, 2017 | 23:45
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU

Seanca plenare e ditës së enjte nuk u ka shpëtuar përplasjeve të forta, madje dhe fjalorit fyes mes deputetëve. Dje, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, përjashtoi nga seanca deputetin e PD-së, Flamur Noka. Sherri nisi për shkak të epitetit që Kryeministri Rama i vendosi Sali Berishës, të cilin e quajti “llazore”, por këtë fakt nuk e ka duruar deputeti Noka, i cili ka tentuar të largojë Kryeministrin Rama nga foltorja dhe duke e ofenduar me fjalët “rrugaç”, “drogaxhi”, “hundëmbushës”.

Por, pas thirrjeve të përsëritura, Gramoz Ruçi vendosi ta përjashtojë nga punimet e Kuvendit. Sali Berisha në fjalën e tij ka lëshuar lumë akuzash ndaj Kryeministrit Rama për çështjen Tahiri dhe lidhjet e tij me Habilajt dhe Orest Sotën. Ndërkohë ai paralajmëroi Ramën se Klement Balili do të flasë dhe do të publikojë videot e zyrtarëve të qeverisë. Por Kryeministri Rama i ka quajtur shpifje dhe fantazi akuzat e Berishës. Rama u ka kërkuar demokratëve që të lënë mënjanë sherret, por të bashkëpunojnë për hapjen e negociatave.

noka3

“Negociatat për anëtarësim, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se, në qoftë se na ikën ky stacion për fajin tonë, për problemet që i krijojmë vetes ne këtu, nuk do të thotë që treni do të jetë aty, një muaj më mbrapa, dy muaj më mbrapa, apo 6 muaj më mbrapa”, tha Rama. Por, për Berishën, negociatat nuk hapen pa arrestimin e Saimir Tahirit. 

Replikat në Parlament

Sali Berisha: E keni shndërruar këtë Parlament… për respekt të zonjave këtu unë nuk po e them, por merreni me mend vetë këtë fjalë. Dilni e filloni me hipokrizira vetëm për të mbuluar Tahirin. A tha ky njeri se s’ka pasur dijeni? A u publikuan raporte, sipas të cilave SHIK-u e kishte informuar për 127 oficerë madhorë të Policisë që merreshin me mbjelljen dhe trafikun e drogës? A tha Tahiri se nuk e njihte Orest Sotën? Pa shkoni merrni pak videon e ditëlindjes së tij në lokalin e kunatit se si hedh vallen Oresti, si krushk i parë aty. Pa na thuaj pak për ça e çove Spartak Brahon të nesërmen e kapjes së parave te drejtori Policisë Qato?! A e dini se thonë që në makinë me Sotën ka qenë vetë Saimir Tahiri? A e morët vesh se ka çuar Don Agaçion për t’i nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar. A nuk e denoncuam këtu në Parlament?!

Edi Rama: Mos ki asnjë merak, çdo gjë do të shkojë në vendin e vet. Haka do shkojë tek i zoti për të gjithë, mos ki asnjë merak. Këtu do të jemi, do të shikojmë dhe do të flasim prapë. Për sa i përket luftës me krimin e organizuar, me korrupsionin dhe grupet kriminale dhe luftës për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që detyrën e marrë nga populli e kanë abuzuar, s’kam më asnjë merak, është e padiskutueshme që këtu do të jemi. Edhe unë, edhe ti, edhe Lulzimi dhe kushdo tjetër. Këtu do të jemi Sali. Besoje këtë. Do të shikojmë dhe do të flasim prapë…

Sali Berisha: Po ore, po. Po Balili të ka në grusht ty. Videon e orgjive të tua në “Santa Quaranta” ua ka dërguar të gjithëve. Balili po flet… Po flet Balili dhe keni për ta dëgjuar shumë shpejt. Balili po i çon që të gjitha me avokat. Balili po negocion për lëkurën e tij, por juve po ju nxjerr lakuriq, siç jeni…

Edi Rama: Është një luftë që zhvillohet me agjenci të superspecializuara që janë në punë Sali. Do të shohim edhe çfarë do t’ju sjellë reforma në drejtësi, edhe çfarë do t’ju sjellë vetingu dhe operacioni “Forca e ligjit”. Dhe investimi në votën e 25 qershorit, këtu do të jemi. Unë kurrë nuk bëj politikë më emra kriminelësh e me emra krushqish, këtë e ke ti si llazorja më e madhe e vendit historikisht. Ty ta kemi lënë, ke bërë edhe kazanin dixhital atje.

Flamur Noka: Ndërprite seancën dhe nxirre përjashta…

(Flamur Noka shkon drejt foltores, gardistët i dalin përpara)

Gramoz Ruçi: Ulu poshtë ti!

Edi Rama: Ato historitë e Shkodrës.

Flamur Noka: Ndërprite seancën, nxirre jashtë këtë!

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, ulu poshtë se do të marr masa…

Flamur Noka: Ça është ky mo, ça është? Nxirre jashtë, ose edukoje…

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, mos pengo seancën, tërhiqu poshtë…

Edmond Spaho: Merrni masa, nxirreni përjashta (Ramën).

Edi Rama: Unë nuk i thashë as injorant, as idiot, as kriminel. Nuk thashë asgjë nga fjalët që tha ai.

Flamur Noka (Zgjat duart drejt Ramës, gardistët e ndalojnë): Dil përjashta, dil përjashta po të them…! Nxirre përjashta këtë rrugaç!

Edi Rama: Unë i thashë thjesht një opinion. Një llazore, më e madhja që ka ky vend.

Flamur Noka: Ti je një rrugaç, një drogaxhi, një hundmbushës…

Edi Rama: Ore, ça është ky…?

Flamur Noka: Jam ai që po ta thotë në sy, rrugaç dhe drogaxhi.

Gramoz Ruçi: Zoti Noka të tërheq vëmendjen për të 5-tën herë. Po e bëre dhe një herë, do të të përjashtoj nga seanca.

Flamur Noka: Mos fol më këtu ore, dil jashtë!

Edi Rama: Ore, ça është ky mo? Nga vjen ky mo? Nga ç’pyll e keni sjellë këtë?

Flamur Noka: Nga pylli i satëme, po dil përjashta…

Edi Rama: Nga ç’pyll ka dalë ky mo?

Flamur Noka: Nga pylli i satëme…

Edi Rama: Ç’është more ky…?! Nga cili pyll e keni gjetur Sali dhe e ke sjellë në Tiranë këtë?

Flamur Noka: Mbylle, mbylle, shko edukohu!

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, pasi të kam tërhequr vëmendjen…

Edi Rama: Tërhiqeni në strofull këtë mo… Nga doli ky mo… Ik se po të thërret Saliu…

Gramoz Ruçi: Një minutë, zoti Kryeministër, mos fol… Zoti Noka është e disata herë që po pengon zhvillimin e seancës dhe për përdorimin e fjalëve fyese ndaj folësit, në rastin konkret Kryeministrit, të përjashtoj nga seanca.

Flamur Noka: Ik o horr, o bandit…

Edi Rama: Futeni në strofull këtë… Ik qërohu tani!

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, përjashtoheni nga seanca!

(Ndërpritet seanca)

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, lironi sallën… Dilni jashtë!

Flamur Noka: Kryeministër halabak, ky solli deputetët e drogës, fytyra e krimit…

Edi Rama: Unë jam ky e jam nxënësi i Faik Konicës dhe imzot Nolit. Ata më kanë mësuar si të flas. Nuk jam i madh sa ata, jam shumë më i vogël, por problemi që keni ju me sarkazëm është problemi juaj. Unë nuk i them njeriu siç i thotë Sali sa herë merr fjalën: “injorant, budalla, kriminel”. Këto quhen fyerje, ose më saktë quhen një mënyrë e foluri me sëpatë. Gjuha nuk është sëpatë. Gjuha është thikë. Sa më e mprehtë të jetë thika, aq më thellë pret, por nuk godet tjetrin, godet në funksion të një debati që po bëhet, nuk është personale. Saliu i bën personale. Unë nuk kam gjë personale, fare, po flisnim për një çështje, tha 1001 siç i ka zakon dhe asnjëri nga ju nuk u skandalizua. Ai e ka një status.. është e vërtetë që ne jemi kriminelë, ne jemi injorantë…

Sali Berisha: Po, sigurisht…

Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, mos ndërhy!

Edi Rama: Dhe këtë status e ka marrë ky. Unë them llazore, ju hidheni përpjetë. Çfarë është llazorja? Si llazore do të thotë kazan dixhital. Çfarë shqetësoheni, çfarë ju prek dhe ju hedh përpjetë. Ai ju vë në pozitë të vështirë edhe juve dhe kjo është e dukshme, por ju merruni me atë… Mos u merrni me debatin…Lufta kush është krimineli, kush nuk është krimineli është mizerabilitet politik.

Edmond Spaho: Do të skuqeshin në varr Noli dhe Konica nëse do të dëgjonin se ky kryeministër do t’u marrë skeptrin si oratori më i mirë i këtyre trevave pas atyre të dyve. Kjo është fatkeqësia më e madhe që na ka zënë me këto që thotë e bën…

Edi Rama: Më thuaj një ofendim konkret? Më kujtohet atëherë kur isha më i vogël, kur dilje e thoshe takova Jacques Attali, takova Jacques Delors… Këtë punë ke bërë gjithmonë…, të gjithë të mëdhenjtë e botës erdhën të takuan ty e të konsultuan për by-pass-in. Nëse të gjithë të mëdhenjtë e botës kanë dalë në atë konkluzion, atëherë bota paska marrë fund. Ty të gjithë të mëdhenjtë të kanë ardhur e të kanë dhënë mend. Si ka mundësi, me mendjen e gjithë të mëdhenjve të botës e bëre Shqipërinë leckë?

Sali Berisha: Së pari, dua të theksoj këtu, se në mënyrë absolute nuk fyej njeri, përveçse them ato që qëndrojnë. A erdhi kërkesa nga Prokuroria për Saimir Tahirin për ta arrestuar? A dole the fillimisht se në ato përgjime ishte hataja. Po kur të nesërmen Saimir Tahiri të tregoi kartonin e kuq ty, të sfidoi nga Blendi Fevziu e të tha se do të bëj Edmond Dantesin dhe se të gjithë ata që e lëshuan do të bien aty ku e meritojnë, të solli Gazin (Demin) në mesnatë… pyete Olsin, të erdhi Gazi apo jo? Dhe të tha mos gabo, se tërmeti prej tij është i tmerrshëm.

Edi Rama (qesh): Je fantastik!

Sali Berisha: Të numëroi Xibrakën dhe të gjitha çështjet e tjera me radhë. Atëherë ndryshoi gjithçka. U bë e paqenë dosja. “S’ka asnjë bazë”, “ata janë prokurorë të Saliut” etj. Pastaj, pas një jave, na dolën 850 mijë euro dhe dy patentat e Saimir Trafikut. Tani më thonë që në makinë mund të ketë qenë vetë Saimiri. Nuk lëshove një fjalë për të. “Pse, avokati tij jam unë?!”, – tha. Çoi Spartak Brahon te Qatua në një takim prej një orë në hotel “Turizëm” dhe u rakordua gjithçka. Tani më thuaj pak, këto lidhjet me krimin i ke nga unë apo nga vetja jote?

Edi Rama: Të gjitha janë shpifje. Fantazitë e tua…

Sali Berisha: Absolutisht jo, asnjë shpifje. Më thuaj pak, po kur partnerët ndërkombëtarë na kanë thënë se çështja Tahiri do të jetë kusht kryesor për integrimin, kur na e thotë ne, ju garantoj se atij ia thonë tri herë më shumë. Pse e mban Tahirin ai? Mban veten e tij, more zotërinj. Habilajt janë Habilaj, por Xibraka është një dosje e tmerrshme, more. Unë ju kam sjellë këtu udhëtimin e vëlla Olsit, pesë herë me makinën e transportit të kokainës, këtu të fotografuara i kam TIMS. Sigurisht që do të të akuzojmë. Çfarë mbete pa kapur këto katër vite? Më në fund u bëre dhe me klubin e sportit. Pse, nuk e dinin njerëzit që Gazi ishte thjesht një dordolec që Olsi e mbante mashë. Ja tani na doli që klubin Partizani e mori Edi me Olsin, u bëtë edhe me klub. U bëtë edhe me bankë. Po si ka mundësi që çdo bankë po shitet, vetëm ABI Bank po fluturon në qiell?! Mund ta çoje ti gruan atje? S’mund ta çoje ti gruan në bordin e një banke?

Edi Rama: Pse merresh me gratë?

Sali Berisha: Jo, ç’kam me gratë… Nuk mund ta çojë se është gruaja jote, gruaja e Kryeministrit, në kundërshtim me çdo ligj, në konflikt të hapur interesi. Nëse ti e çon gruan anëtare të bordit të bankës, atëherë ti tregon se është banka jote, dhe çfarë banke, bankë e regjistruar në offshore.

Taulant Balla: Po fol një herë fol për këto paratë offshore…

Sali Berisha: Në offshore një bankë që ka miliarda. Dhe kjo nuk qenka mëkat. Ndërsa një kompani me 150 mijë euro, që duhet bërë transparenca plotësisht e PD-së, ky qenka supermëkati. Ti përpiqesh ta mbulosh bankën me artifice. Ti je aq shumë i zhytur, sa asgjë nuk të mbron dot. Nuk të akuzojmë ne ty, ti akuzon veten me çdo veprim që bën. Së fundi ke marrë 60 raporte nga SHISH për trafiqet e policëve dhe të Saimirit me radhë. I ke injoruar të gjitha. A ishe i droguar, a ishe i implikuar, a i merrje taksë. Po si ka mundësi…? E more kryetrafikantin dhe e çove në Shtëpinë e Bardhë te Barack Obama. A skuqesh ndopak ti për këtë? Po pse duhet të shkonte Tahiri, kur e gjithë Shqipëria e dinte që është trafikant? Kur opozita e kishte denoncuar 120 herë këtu në Parlament? A mendon ti që bëhet një retrospektivë këtu, apo s’bëhet?

Edi Rama: Një gjë është e sigurt, që kur akuzon pa fakte, o i ke bërë vetë, o je në gjendje t’i bësh vetë. Ju keni arritur nivele që janë realisht të paimagjinueshme për një parti që lindi si forca e parë properëndimore në Shqipëri. Ju keni arritur në nivele absurde. Luftoni me ambasadorët dhe akoma pas 27 vjetësh i trajtoni ambasadorët sikur i keni komshinj dhe ziheni me komshiun sikur ata janë persona që bëjnë politika personale dhe flasin në konflikte interesi, siç thotë Saliu, që e di shumë mirë, në fakt, se nuk thotë të vërtetën, se kaq gjë e shumë të tjera, Saliu i di shumë mirë dhe i kupton shumë mirë. U turreni ambasadorëve dhe i trajtoni sikur janë në një rresht me Habilin dhe me Balilin.

Sali Berisha: Kam një këshillë të hershme: në shtëpi kishim dy qen. Njëri ishte një qen i madh dhe e mbanim të lidhur me rrethore. Ujk nuk kishte që t’i afrohej. Sapo i thosha unë skape, ai vërsulej sa këtu e deri të Shalsi me tre hapa dhe kacafytej sa unë nuk arrija dot t’i ndaja…

Eduard Shalsi: Ça tha? Ça tha?

Sali Berisha: Ndërsa tjetri ishte një këlysh, që vetëm lehte gjithë ditën. Më bezdiste shumë, sa unë i thosha, kuç, mos leh. Dilte gjyshja në ballkon e më thoshte: Çfarë ke, Sali? Më çmendi ky këlyshi, i thoja. Po çmend veten ti, më thoshte. Nuk i thuhet këlyshit që leh mos leh, se ai leh më shumë!

Edi Rama: Sali, sot na ke ndihmuar të kuptojmë pse u thua “skape” atyre që i hedh në betejën qorre të luftës politike. E paske nisur me qenin e shtëpisë këtë punë dhe të paska ngelur si nevojë e brendshme për të pasur gjithmonë qen që i turr për të kapur të tjerët. Këto sherret tona këtu mund të vazhdojnë pa fund. Problemi është Shqipëria, a duhet apo s’duhet t’i hapë negociatat, a duhet apo s’duhet të jemi bashkë për hapjen e negociatave? Këtë na e thoni ju. Negociatat për anëtarësim, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se, në qoftë se na ikën ky stacion për fajin tonë, për problemet që i krijojmë vetes ne këtu, nuk do të thotë që treni do të jetë aty, një muaj më mbrapa, dy muaj më mbrapa, apo 6 muaj më mbrapa. Të paktën për fajin tonë nuk duhet të ndodhë absolutisht që ne të humbasim asnjë milimetër pozicion…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura