Droga në Velipojë/ Si ishin ndarë rolet e grupit, polici doli garant për …

Nov 13, 2017 | 15:35
SHPËRNDAJE

Një prej shtatë personave të arrestuar si pjesë e grupit të trafikimit të sasisë prej 1.5 tonësh kanabis në Velipojë, dy ditë më parë, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Lënda narkotike fshihej në një vilë 3-katëshe dhe po përgatitej për t’u trafikuar drejt Italisë me skaf, shkruan “Panorama”.

velipoje droga

Burime nga Policia nuk bëjnë me dije se cili prej të arrestuarve ka pranuar që të flasë, por nga informacionet që ai ka dhënë është zbuluar i gjithë grupi. Nga ana tjetër, mësohet se përdoruesi i furgonit me të cilin u transportua lënda narkotike nga Vlora për në Velipojë, Jaho Berdo, ka pranuar gjithashtu të bashkëpunojë, por pa pranuar që të flasë tani për tani.

20- vjeçari Berdo u kap vetëm pak orë pas operacionit të sekuestrimit të kanabisit, në qytetin e tij të Orikumit. Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka thënë se do të flasë në një moment të dytë dhe as nuk ka pohuar dhe as mohuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Berdo, përveçse kishte në përdorim furgonin ku u gjet droga, mësohet se disponon edhe një patentë skafi. Policia dyshon se është pikërisht 20-vjeçari ai që do të bënte transportimin me skaf të drogës prej 1.5 tonësh nga Viluni i Velipojës drejt Italisë.

furgoni drog vilun

Gjatë operacionit, Policia arrestoi dhe Sokol Ujkajn, banues në Velipojë, i cili kishte në administrim vilën, që ishte në pronësi të një emigranti i cili jeton në Itali. Banesa shfrytëzohej nga grupi si magazinë e përkohshme për drogën që trafikonin në Itali. Ndërsa efektivi i Policisë, Enriko Zylo, sipas burimeve, është parë afër shtëpisë ku u gjet droga me makinën e tij tip “Golf”, me targë AA 355 SL, ndërsa brenda mjetit ishte dhe Gjovalin Ndoji nga Velipoja.

Zylo nuk i është bindur postbllokut të Policisë dhe ka tentuar të largohet. Efektivët i janë vënë në ndjekje, derisa e kanë arrestuar te vendi i quajtur “Harku i Bërdicës”, pasi makina e Zylos doli jashtë rrugës nga shpejtësia. Edhe pse ka kundërshtuar, policia e ka arrestuar ndërsa Gjovalin Ndoji mundi t’i shpëtojë prangosjes.

Në vijim të operacionit u arrestuan dhe Arbër Bozhanaj, Genti Dano dhe Dervish Gjolekaj, të tre nga Vlora, që dyshohet se janë poseduesit e kanabisit, si dhe Fation Merko, banues në Përmet. Gjatë marrjes në pyetje, të gjithë, përveç “bashkëpunëtorit”, kanë mohuar të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Por, nga tabulatet e telefonave të tyre rezulton se të arrestuarit kanë pasur komunikime me njëri-tjetrin.

Nga hetimet rezulton se nuk ka qenë Bendo ai që ka drejtuar furgonin, por Fation Merko. 32-vjeçari ka bërë rolin e shoferit duke drejtuar furgonin me drogë nga Vlora në Velipojë. Ndërsa Enriko Zylo, punonjës Policie në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë, ishte në rolin e garantit dhe i ka shoqëruar gjatë udhëtimit.

Furgoni ngarkuar me drogë është ndaluar në një moment nga efektivët e Policisë ende pa mbërritur në bregdetin e Velipojës, por më pas Merko është lënë i lirë të kalojë, por është mbajtur në vëzhgim nga policia në mënyrë që të zbuloheshin dhe pjesëtarët e tjerë.

Policia vazhdon kontrollet në zonën e Velipojës, ndërsa ka dyshime se edhe skafi që do të transportonte sasinë pre1.5 tonësh kanabis sativa mund të jetë i fshehur afër zonës ku u gjet lënda narkotike dhe po bëhen kërkime për ta gjetur.

Pjesa fundore e Velipojës, e njohur si Viluni, deri te “Rana e Hedhun” në afërsi të plazhit të Lezhës, dyshohet se përdoret nga trafikantët si zonë për transportin e drogës drejt Italisë.

SENAD NIKSHIQI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura