“Dritëroi, mes baltës së vendlindjes dhe bukës së kryeqytetit”- Migjeni, Agolli e Pano Taçi, Visar Zhiti: Tre poetët me horoskopin e shenjës së djallit

Oct 14, 2021 | 16:06
SHPËRNDAJE

VISAR ZHITI

Tetori në traditën tonë të re është tashmë dhe muaji i letërsisë, sepse lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve të mëdhenj të letrave shqipe. E sjell sërish në vëmendje. Në 20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta.

193562

Në tetor kanë lindur dhe sundimtarët e Shqipërisë, Mbreti Zogu I dhe diktatori Enver Hoxha, i pari në 8, i dyti në 16, të cilët kanë lidhje me letërsinë, jo thjesht si personazhe veprash, por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, për mirë dhe për keq. Pikërisht si sot, në 13 tetor, kanë datëlindjet dhe 3 poetë: Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli.

Ndërkaq, tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare Amerikane, që mban po këtë emër, për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqëritë, nismat e së cilës njihen si ajo “Buddy Walk®” – “Trupi Ecën”. Po kështu, është dhe muaji i kancerit të gjirit, i përballjes…trallisëse. Është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i tij do të thotë tetë, vjen nga latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë në hemisferën astrale. Tetori ynë i mbart të gjitha këto, ar vjeshte nëpër poezi dhe gjendje “down”, por dhe atë ecjen e vështirë me një diell të ftohtë, që ngjan dhe me gjirin e murosur të Rozafës.

* * *
Dua t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve. Aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj, nga njëra palë ose tjetra e adhuruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin tre herë por nuk ndodh gjithmonë kështu. Tre poetë që s’janë më. I përkasin shekullit XX të Shqipërisë, edhe fillimit të shekullit XXI. Dhe patën sundimtarët e tyre.

Migjeni dhe Dritëro Agolli, që përkujtohen dhe zyrtarisht, janë në tekstet shkollore dhe mediat flasin për ta. Migjeni jetoi nën mbretërinë shqiptare dhe solli copëza tronditëse të atij realiteti si kritik i tij, Dritëroi në socializmin real dhe i këndoi atij. Migjeni mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet. Migjeni nga diktatura u konsiderua si paraprijës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur Migjeni sikur u zbeh paksa dhe Dritëroi u lartësua edhe më. Si njërën dhe tjetrën, ka që mendojnë se janë të padrejta të dyja. Midis tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër, Pano Taçi, që erdhi nga ferri i burgjeve dhe që kujtohet gjithnjë e më pak.

actor-dritero-agolli-221761_large

Një treshe poetësh jona, tri jetë, tri dukuri shqetësimesh, emblematike, kisha shkruar, por edhe diabolike, shtoj.. Migjen nxitoi të vdesë i ri, vepra e tij nuk u ndalua nga censura mbretërore siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë në diktaturën që Migjeni nuk e arriti, por u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm. Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, nën diktaturë të dy, i pari poet zyrtar, i dyti në burg, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos regjimi më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.

DEMONI I KRIJIMIT

13 Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Pani plak, por dhe engjëlli plak, e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes.

Edhe botimet e tij janë të varfra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell. Dritëro Agolli, patriarku i socialistëve, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me botime të shumta e luksoze, poema e prozë, me lavdi e përvjetorë e statuja.

Migjeni
Migjeni

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ’30, klasik ndërkohë, themeltar sidomos në prozën e shkurtër, me shtëpi muze dikur dhe me një teatër në qytetin e tij të lindjes, që mban emrin e tij.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshme, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoi të shtojë, duke pasur parasysh ca parabola të tij, etj., kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, i trishtë dhe i zhgënjyer në posdiktaturën demokratike, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë.

I burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62-vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në tema, i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar. Tre poetë me horoskopin e shenjës së djallit, mund të thoshim.

TRI ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM

Pano Taçi
Pano Taçi

Tre poetë të një datëlindjeje. Të dashur të tre nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje… Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizëm dhe një ardhje e vështirë: 1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj.

Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur.

Pra, tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit. Gjë që duket se vazhdon… 2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbim të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur, punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë. Pasojat e së cilës i vuajmë dhe tani…Sado absurde dhe e papranueshme të duket, është e habitshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, Kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë:

“Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”. Ai “hosten” për shumëkënd në fakt shndërrohej në pranga dhe pushkë. Tri çështjet duan studime serioze nga profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj., teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm. Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të tyre, që vazhdon. Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit.

Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, dhe një stilograf mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni, vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonim se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist?! A do ta shmangte dot?! Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijatare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten.

Dhe dhembja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij. Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryeqytet… Një vepër që dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë për të, por është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë. E kam takuar Dritëroin me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…

Dëgjoj fyellin e drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e papaguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpër mend një vegim që kam pasur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmendesh, e denjë për çdo antologji, thosha.

Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/tokës: dashuria.

E përsëris prej vitesh, mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e sheshe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë estetikë urbane, jo vetëm të brendshme, energji pozitive, siç themi shpesh, kulturë, do t’i shërbenin mjedisit si pemët, ajrit si mendimet e bukura, të përbashkëta. Do të forconim identitetin duke pasur më shumë shpirt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura