Sot, kur mbi supe numëron plot 80 vjet, ai i ka të gjitha të drejtat të thotë: “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”. Pikërisht kështu titullohet libri që “UET Press” boton për nder të tij. Një libër që përmbledh 50 vite histori të Dritëro Agollit, që vijnë në faqe mes intervistash që datojnë prej fillimviteve ’70, deri në ditët e sotme, mendime e polemika në dy epokat e rëndësishme të historisë së vendit. Janë mendime të vyera që shkrimtari jep për letërsinë shqipe në të dyja “kohët”, para dhe pas viteve ’90, por edhe për politikën, ku mendimi i tij ka shumë peshë. Partitë, qeveritë, lojërat politike, në syrin e shkrimtarit të urtë. “Nga largësia e tetë dekadave jetë në ‘krye të vendit’, Dritëro Agolli ka shumëçka që mund të thuhet për jetën dhe veprën e tij, për veprimtarinë e tij publike, në shërbim të artit dhe kulturës, në shërbim të shoqërisë dhe popullit të vet. Ka një vepër letrare të plotë, ka një rol të dorës së parë në shumë momente të zhvillimit të historisë të Shqipërisë në këto 50 vjetët e fundit. Talenti, imagjinata, largpamësia dhe humanizmi janë tiparet të padyshimta të jetës dhe veprës së tij”, shkruan Henri Çili në parathënien e kësaj përmbledhjeje prej 285 faqesh, e cila prezantohet sot në ambientet e UET-së. Në këtë mori intervistash e shkrimesh kushtuar atij, dhënë në momente të veçanta të krijimtarisë së tij letrare, siç mund të jetë botimi i një libri, por edhe në kulme politike, kemi zgjedhur një pjesë interviste dhënë 7 vjet më parë, në gazetën “Dita”, ku Agolli flet për dënimin e shkrimtarëve gjatë viteve të diktaturës. Kjo intervistë është dhënë pas një akuze që i është bërë nga Agim Musta, sipas të cilit ai kishte qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në kohën kur u dënua Bilal Xhaferri. Në këtë intervistë Agolli shpreh edhe vlerësimin e tij për disa shkrimtarë si Kasëm Trebeshina, të cilin e quan disidentin e vetëm shqiptar, si dhe për të ashtuquajturat “dosje të Lidhjes”.
Çfarë funksioni kishit ju kur u diskutua për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë në vitin 1968?
Unë në atë kohë kam qenë një gazetar i thjeshtë në gazetën “Zëri i Popullit”. Kam marrë pjesë në atë mbledhje kur u bë diskutimi i romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë dhe pastaj kam pirë cigare, gjë që nuk na lejohej aty në sallë. Më pas kam takuar Bilal Xhaferrin dhe kemi dalë bashkë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Gjatë ecjes, folëm për këtë ngjarje që i ndodhi atij. Ç’është e vërteta, në atë mbledhje vetë Kadareja nuk foli, ata që folën ishin të tjerët. Pra me pak fjalë, për hir të së vërtetës duhet të pohoj se në Lidhjen e Shkrimtarëve nuk kam pasur ndonjë funksion, as në Partinë e Punës, as në Komitetin Qendror apo në ndonjë forum tjetër drejtues të partisë. Unë vetëm shkruaja në gazetë. As Anastas Kondo nuk ka qenë, me sa di unë, në atë kohë ai ishte inxhinier në Patos dhe panteolog, një njohës i mirë i shtresave të tokës së hershme. Mua personalisht më vjen keq që Agim Musta në intervistën e tij më akuzon si fajtorin e dënimit të Bilalit. Në atë kohë nuk zotëroja gjë tjetër, veçse një laps dhe një fletore. Unë u bëra kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1973. Nëse Agim Musta ka ndonjë informacion për shkrimtarët apo artistët gjatë periudhës kur unë isha në krye të kësaj Lidhjeje, atëherë ai mund ta lakojë emrin tim, në të kundërtën, unë nuk kam asnjë përgjegjësi. Kur është bërë diskutimi i romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë, kishte tre vjet që edhe mua më ishte ndaluar botimi i librit “Zhurma e erërave të dikurshme”. Pra, edhe unë kisha pësuar pak a shumë të njëjtin fat si romani i Ismailit. Nëse unë do të kisha ato pozita që mendon Agimi, libri im do të ishte botuar.
Çfarë mendoni për hapjen e dosjeve në Lidhjen e Shkrimtarëve?
Dosje në Lidhjen e Shkrimtarëve nuk ka dhe nuk ka pasur. Atëherë kishte një tip kurrikulumi, siç quhet sot, por dosje nuk kanë ekzistuar kurrë. Lidhja e Shkrimtarëve nuk ishte një organizatë që punonin të gjithë vetëm në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty kishin gazetën “Drita”, tre sekretarë për letërsinë, artet figurative dhe muzikë. Aty kishte dhe një sektor për letrarët e rinj. Kurse shkrimtarët ishin vendosur në qytete të ndryshme. Nuk kishte një institucion që të mblidhte gjithë shkrimtarët brenda, sepse numri i tyre ishte shumë i madh. Në institucion ishin vetëm përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen e punës. Dosje mund të kishte në Ministrinë e Brendshme, në Komitetin Qendror të Partisë, në forume të tjera që ishin. Pas rënies së sistemit socialist këto dosje shkuan në arkiva të shtetit. Këtu, sipas rregullave, është mirë që të dalin të gjitha dosjet, të paredaktuara, dhe të njihet e vërteta pa u lënë shkas njerëzve të flasin sipas mënyrës së tyre. Vetëm kështu njihet me hollësi jeta dhe veprimtaria e çdo shkrimtari.
Cili është opinioni juaj për dënimin e disa shkrimtarëve, si Bilal Xhaferri, Kasëm Trebeshina, Dhora Leka, Kin Dushi dhe Robert Vullkani?
Disa nga këta nuk ishin njerëz të njohur. Robert Vullkani ka redaktuar Pol Eluarin, por jo përkthyer. Deri në atë kohë ai nuk kishte botuar asnjë libër. Ka mbaruar në Moskë, afërsisht me mua dhe më vonë pati fatkeqësinë që u arrestua. Roberti rridhte nga një familje patriotike dhe revolucionare. Dhora Leka, të cilën e kam mikeshë familjeje, është autore e pothuajse të gjitha këngëve partizane dhe me këto këngë nuk do vdesë kurrë. Edhe ajo pati fatin e keq të burgosjes dhe internimit. Dhora është një nga intelektualet e nderuara dhe kompozitore. Ka qenë sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ’50, për letërsinë. Kur ajo u dënua, unë kam qenë me studime në Rusi.
Kasëm Trebeshina është disidenti ynë i vërtetë. Në vitin 1954, ai pati guximin për t’i bërë një letër Komitetit Qendror, Enver Hoxhës, për problemet e realizmit socialist, duke e kritikuar këtë metodë të ngurtë. Kasëmi është njeri me talent, me vlera të padiskutueshme dhe një trim i vërtetë.
Kin Dushi ka qenë një nga gazetarët e parë të “Zërit të Popullit”, ka shkruar librin e parë në “Gojën e ujkut”, ku flet për kampin nazist të Prishtinës, i arrestuar së bashku me Llazar Siliqin. Mirëpo, Kin Dushi në tetor të vitit ’67 u arrestua dhe u burgos gjatë, deri në prag të ndryshimeve demokratike, kohë kur doli nga burgu. Ishte një njeri i gëzuar, bashkëbisedues i shkëlqyer, të jepte kënaqësi në çdo moment që rrije me të.
Në atë kohë ai bëri një komedi që pati mjaft sukses në teatër, me anë të së cilës tallej shumë bukur me të metat e shoqërisë së asaj kohe.
Si e cilësoni ju dënimin e këtyre intelektualëve?
Doemos është krejtësisht i padrejtë. Shkrimtari nuk burgoset, por në atë kohë ishte një sistem i tillë që nuk ishte vetëm në vendin tonë, por në të gjithë vendet socialiste. Të gjithë kemi dëgjuar për disidentët e asaj kohe. P.sh., në Rusi u burgos dhe vdiq Babeli, Rënaku, i cili u dënua dhe për më tepër, iu ndaluan edhe botimet. Pra, ishte një fenomen i përgjithshëm i atij sistemi, por duhet ta pranojmë se te ne ishte më i egër.
Cilët ishin përgjegjësit e ndalimit të botimit të librit tuaj?
Në vitin 1965, në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, që u bë për kulturën dhe letërsinë, aty u kritikua dhe pastaj u ndalua të botohej. Pavarësisht nga kjo, unë e ribotova në vitin 1997. Në atë kohë u ndalua edhe drama “Rrëfimi Bardhë” i Naum Priftit, gjithashtu një dramë e Qamil Buxhelit, një tjetër e Fatos Arapit, si dhe romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit. Këto vinin nga qarqet e larta.
Cilët ishin disa nga njerëzit që sulmuan Bilal Xhaferrin?
Jo, preferoj të mos flas në lidhje me këtë temë. Më pëlqen të flas për veten time. Ata që i kanë bërë mbajnë përgjegjësi mbi vete.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Tani po mundohem të shkruaj kujtimet që më kanë bërë më shumë përshtypje gjatë jetës sime. Që nga rinia e deri në këtë moshë. Do mundohem të jem sa më realist. Jam në një dilemë, nëse do t’i botoj tani apo t’i botojnë të tjerët, atëherë kur unë të mos jem më në këtë jetë. Do ta zbardh të vërtetën pa hezitime, sepse jeta që kalon nuk mund të redaktohet. Nuk do të shkruaj vetëm për veten time, por edhe për të tjerët, ç’kam bërë mirë dhe ku kam gabuar.
“Do e shtyj botimin e kujtimeve, nuk dua të hidhëroj njerëz”
“Të jetosh është mbijetesë, jo thjesht për shkak të vështirësive të jetës, sigurisht edhe për këtë, por sepse ndodh të vdesësh qysh 20 vjeç nga një sëmundje e keqe, të të shkasë këmba në një përrua, apo edhe të mbytesh… Është e vështirë të shkosh 80 vjeç”. Plot humor e me një modesti të adhurueshme, shkrimtari do të qesëndiste moshën e vet në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave. Duke bërë shaka për pleqërinë e tij dhe me miqtë, që kanë pak a shumë të njëjtën moshë, shkrimtari u shpreh se tashmë nga lartësia e 80 viteve ka mundësinë të kthejë kokën pas, të kujtojë e të mendojë për të shkuarën e tij, sidomos kur vë kokën në jastëk. E sheh se gjatë këtyre viteve të gjatë është mbushur “një kosh me po dhe jo”. “Po nuk gabove nuk krijon dot, as shkencë nuk bën dot”, tha ai, duke shtuar se ndoshta shkrimtarët bëjnë edhe më shumë gabime se shkencëtarët, duke shtuar se në të shkuarën një gabim mund të kushtonte të 80-vjetët. E kishte fjalën për kohën e diktaturës, kur shkrimtari ishte vazhdimisht nën trysninë e censurës. Një periudhë nga e cila ai ka mbledhur në arkivin e kujtesës kaq shumë kujtime, të cilat dikur vendosi t’i ndante me publikun, por tani ka vendosur ta shtyjë botimin e tyre në kohë. “Ndonëse kam shkruar një pjesë të madhe të tyre, 5 kapituj kanë përfunduar, nuk do t’i botoj tani. Ka njerëz që nuk kanë luajtur një rol shumë të mirë në historinë e vendit dhe mua më dëshpëron shume kjo, më dëshpëron t’i shkruaj. Disa janë gjallë, të tjerë edhe në mos qofshin vet, kanë në jetë fëmijët, nipër e mbesa, andaj edhe e kam të vështirë t’i botoj. Nuk dua që t’i dëshpëroj”, tha Agolli. I pyetur nëse donte të thoshte se e ka braktisur idenë e shkrimit të kujtimeve, ai tha se “kjo s’do të thotë që si kam shkruar e nuk do t’i shkruaj. Do gjej një mënyrë që t’i lë të shkruara, por do t’i lë të pabotuara për një periudhë kohe”. E me shumë gjasë, ato do të botohen jo në gjallje të tij.
Të djathtët, vizita e lule për Dritëro Agollin
Në çdo 13 tetor, shtëpia e Dritëro Agollit pret e përcjell mysafirë. Tashmë është kthyer në një traditë “pelegrinazhi” në apartamentin pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por asnjëherë nuk ka pasur më shumë njerëz se dje. Ashtu si nuk pritej, shtëpia Agolli ka pritur edhe shumë mysafirë të djathtë, madje krerët më të lartë të shtetit. I pari që e nderoi ishte kryebashkiaku i Tiranës, Luzim Basha, i cili përveç urimeve, u shpreh dhe për kontributin e shquar që shkrimtari ka ofruar për vite më radhë si në fushën e letërsisë, ashtu edhe në publicistikë. “Dritëroi është një nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe një figurë e dashur publike, me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe të pandikuar nga interesat e çastit”, tha Basha. Nga ana e tij, Agolli shprehu besimin për punën e Bashës si dhe të angazhimit të brezit të ri në politikë dhe në marrjen e përgjegjësive. Ai gjithashtu i dhuroi kryebashkiakut tre nga librat e tij, firmosur me nga një dedikim të veçantë. Më tej, një mik i veçantë ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili personalisht shkoi ta uronte në shtëpinë e tij shkrimtarin. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i përcolli urimet e saj nga salla e Parlamentit, ndërkohë që një surprizë e vërtetë ishin edhe 80 trëndafilat e dërguar nga Kryeministri Sali Berisha. Me një shkrim doktori në kartolinën që shoqëronte lulet, ai uronte: “Shumë shëndet, gëzime dhe suksese në gjeninë e tij krijuese dhe lumturi në familje!”.
Por nuk ishte vetëm një ditë politikanësh. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Akademia e Shkencave, anëtar i së cilës është dhe Agolli, organizoi dje një ceremoni modeste, por ku kishte shumë miq e shumë lule. Akademikë, studiues, por edhe politikanë, si Arta Dade, Namik Dokle, Pëllumb Xhufi, Fatmir Toçi, Neritan Ceka, etj., kishin mbushur sallën “Aleks Buda” dhe shoqëruan me duartrokitje ngjitjen e tij në podiumin e nderit, shoqëruar nga bashkëshortja Sadija, që është krahu i djathtë i tij dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Për kryetarin e Akademisë, Gudar Beqiraj, Agolli është prijësi i një brezi të tërë, atij të viteve ’60, që i hapi udhë emancipimit të mendimit shqiptar, një krijues i madh dhe një njeri fisnik, tipare që e kanë bërë atë një shkrimtar të dashur e popullor. Për ministrin Bumçi, pa 80 vitet e Agollit, letërsia shqipe nuk do të ishte aq e bukur, sepse do t’i mungonin karakteret e spikatur që zënë vend në veprën e tij. Studiuesi prof. Ymer Çiraku e quajti atë një pelegrin, ashtu si titulli metaforik i romanit të tij. Një pelegrin që udhëton në hapësirë dhe në kohë, në epoka dhe stile, një bujk të fjalës, që ka mbjellë për lexuesin një bibliotekë të tërë vlerash. Ndërsa studiuesi Moikom Zeqo do ta quante simbol të ekzistencës njerëzore, të njeriut që e gjen gjithnjë fuqinë për t’u ngritur e për të ecur përpara. Pas ceremonisë dhe fjalëve të ngrohta, Agolli do të priste vizita në shtëpinë e tij dhe qindra telefonata nga miq e politikanë, të majtë e të djathtë.
sot festa e PS
Ndonëse nuk munguan urimet përmes telefonit, sot ata do t’i kushtojnë një ceremoni të veçantë. Nëse dita e djeshme rezervoi më shumë surpriza nga selia blu, sot është dita e palës tjetër. Partia Socialiste organizon sot një kokteil në orën 10:00, me rastin e 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe patriarkut të PS-së, Dritëro Agolli. Do të jetë një takim mes miqsh, një trokitje gotash, mes atyre që vite më parë bashkë me Agollin krijuan partinë Socialiste, por edhe me më të rinjtë, që vazhdimisht kërkojnë mendimin e tij.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al