Dritëro Agolli ka sot ditëlindjen, mbush 84 vjeç

Oct 13, 2015 | 13:48
SHPËRNDAJE

Ka shumë njerëz që nuk duan t’i festojnë ditëlindjet, sepse ato u kujtojnë vitet që ikin, por për Dritëro Agollin çdo ditëlindje është një festë. Edhe nëse ndonjëherë do të donte që të mos festonte, askush nuk do ta lejonte.

Shkrimtari Dritero Agolli
Shkrimtari Dritero Agolli

Dhjetëra tufa me lule, vizita, telefonata urimesh që nuk reshtin çdo 13 tetor. Sot shkrimtari i madh, krijuesi i dhjetëra personazheve në romanë e skenarë, i vargjeve aq të ndjera në poezi, mbush 84 vjeç. Dhe ashtu si çdo vit, dera e tij do të jetë e hapur.

Por tashmë festimet kanë filluar. Ditën e diel, në sallën “UNESKO” të Muzeut Historik, Shoqata AK “Devolli” organizoi një aktivitet letraro-artistik kushtuar 84-vjetorit të shkrimtarit të madh, Nderit të Kombit Dritëro Agolli. Mes një atmosfere festive ku merrnin pjesë devollinj, të afërm të shkrimtarit, si dhe ansambli i këngëve dhe valleve i shoqatës “Devolli” dhe Qendrës së Kulturës në Bilisht, përshëndeti dhe akademiku Alfret Uçi, ndërsa ga aktorët Dhimitër Orgocka dhe Edmond Agolli u recituan vargje nga poezitë e Dritëroit.

Sigurisht, nuk mund të mungonte edhe fjala përshëndetëse e shkrimtarit, i cili për shkak të shëndetit të dobët, tashmë e ka të pamundur të jetë i pranishëm në çdo aktivitet ku e ftojnë apo edhe për nder të tij. Përshëndetjen e tij të përzemërt e lexoi vajza e tij Elona. Në fund, Shoqata “Gora” i dhuroi shkrimtarit titullin “Nderi i Shoqatës Gora”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura