Dritëro Agolli, 33 poezi për kuajt: U ngjaj shumë

Sep 30, 2014 | 13:05
SHPËRNDAJE

Dritëro Agolli
Botimet “Naimi” sjell antologjinë poetike nga studiuesi Roland Zisi.

Në përmbledhje edhe tri krijime të reja me faksimile.

“Shiko, vjen një ditë që edhe kuajt shtrihen përdhe dhe vdesin, por ama ata një jetë të tërë qëndrojnë në këmbë. Edhe natën kur flenë”…
Me gjasë, kur e tha këtë, Dritëro Agolli po mendonte për veten, madje, teksa fliste me studiuesin Roland Zisi, ai i kishte treguar se si një konteshë gjermane, ndër të tjera i kish thënë: Më pëlqeu shumë opinioni yt z. Agolli, por më shumë më pëlqeu portreti yt. A e dini se ju i ngjani shumë kalit?”. Dhe i menduar kish shtuar: “Dhe vërtet, unë i ngjaj shumë kalit! Çudi, apo jo?!”. E ndoshta prandaj në mënyrë të pavetëdijshme ai u kishte kushtuar plot 30 poezi kuajve. Vetë Dritëro Agolli nuk e kishte menduar, deri në momentin që studiuesi Roland Zisi, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, hartoi një “Antologji poetike për kuajt”, sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Naimi”. “Kur shkova për herë të parë në shtëpi të Agollëve së bashku me mikun tim Shaban Sinani, autor i një libri studimor shumë interesant të titulluar “Njerëzit e krisur” të D. Agollit, poeti na priti në këmbë në korridor, si një kalë i plakur, por sfidant. I vendosa mbi tavolinë poezitë e tij dedikuar kalit, pelës dhe mëzit dhe ai, pasi i pa, me humorin karakteristik më tha: Çudi, pse unë i kam shkruar gjithë këto?! S’di gjë, s’ka mundësi! …”, shkruan në parathënien e librit Zisi, teksa tregon për bisedën e zhvilluar në shtëpinë e Dritëro Agollit.
permbledhja
“Antologji poetike për kuajt” përmban 33 poezi dhe 2 proza poetike nga Dritëro Agolli, të cilat pavarësisht kohës kur janë shkruar, i lidh me njëra-tjetrën një motiv: kali. Një kafshë që përmendet rëndom në veprat e Agollit, që vjen si një kujtim fëmijërie, si mall për një kohë të shkuar, si metaforë, si alegori. Ka raste kur ai vetidentifikohet me këtë kafshë. Kjo përmbledhje shoqërohet me një studim monografik nga Roland Zisi për këtë pjesë të krijimtarisë së poetit shqiptar. “’Antologji poetike për kuajt’ nuk është një antologji poetike e thjeshtë apo një përmbledhje e rëndomtë e disa vjershave, e ndërtuar për të kënaqur kritere dhe arsye tematologjike. Kjo antologji është një prej dëshmive letrare e artistike të programit human e estetik të autorit, që nis në fillim të viteve 1960 dhe që vijon deri në ditët e sotme. Autoriteti, shpejtësia, ritmi, masa, ekuilibri, ndikimi dhe urtësia e këtij programi kulturor të Agollit, e ka zanafillën, veç të tjerash, edhe në dashurinë e tij unike për natyrën, në njohjen e thellë të saj, të botës bimore e shtazore, sidomos të kuajve, nga të cilët ka marrë gjithçka të mirë e të bukur, gjithë vlerat e mësipërme, për t’i bërë më pas pjesë organike të programit e veprës së tij letrare, e cila na vjen si një kontribut i shquar jo vetëm për letërsinë tonë, por edhe për letërsinë botërore” shkruan Zisi. Mes poezive të qëmtuara nga ana e autorit, në këtë përmbledhje janë përfshirë edhe tri krijime të reja të Agollit. Bëhet fjalë për poezitë “Vdekja e kalit”, “Vraponte një kalë” dhe “I dashur kalë”, të cilat në botimin e ri shoqërohen edhe me faksimile të dorëshkrimeve të Agollit. Vitet ia kanë lodhur shkrimin, por jo dëshirën dhe frymëzimin për të shkruar. Bashkangjitur me përmbledhjen me poezi janë edhe dy fragmente të shkëputura nga romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që autori i antologjisë i ka quajtur proza poetike (“Shoku Zylo shkruan ese dhe eskize për të larguar mendjen nga andrallat” dhe “Shokun Zylo e kërkojnë me urgjencë në Tiranë”). Edhe në këto fragmente, del motivi i kalit, i cili vjen si një moment lirik mes andrallave të Shokut Zylo.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura