Dritëhijet e raporteve PS-LSI

Jun 26, 2015 | 11:57
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

    Zgjedhjet lokale të 21 qershorit me rezultatet e tyre sollën edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik marrëdhëniet baticë-zbaticë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Humbja e disa bashkive nga ana e LSI-së, ku pritshmëria e saj për t’i fituar ato ishte tabu, ka lënë pas shijen e një “prerje në besë”. “Tradhtia” ngjall zemërim, i cili në mënyrë deri diku të kontrolluar po shfaqet nëpërmjet gjesteve politike. Ilir Meta gjeti kohë të urojë Halim Kosovën “për modelin qytetar” që ofroi në këtë fushatë, por qëlloi i pange ta bëjë publikisht me fituesin (të paktën deri në këtë moment që shkruaj) e kësaj gare, Erion Veliajn. Zëvendësi i tij, Luan Rama, që spontanitetin nuk e ka rastësor, e quajti “pazar të Roskovecit” gjithë sa ndodhi në Pogradec, duke nënkuptuar që aleati i madh PS ka preferuar “armikun” para “mikut”.

Lezha, Vora dhe Pogradeci, më shumë se Mallakastra, Kukësi apo Selenica, janë realiteti që nuk gjen ngushëllim, i cili ka zënë rob besimin e Ilir Metës tek Edi Rama dhe Partia Socialiste. Çifti Meta-Kryemadhi janë investuar në mënyrë frekuente për marrjen e këtyre njësive administrative. Në Vorë, gjatë fushatës, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dha urdhër të bllokohej biznesi i miellit i Fiqiri Ismailit, kundërshtarit të LSI në zonë, por kjo qëlloi nismë e pasuksesshme falë ndërhyrjes së Edi Ramës, duke mos mbajtur anën e “të vetëve”. Po ashtu, duket se Kryeministri aleatin e vet e ekspozoi përballë ndërkombëtarëve, duke e evidentuar atë me shumë elegancë si problem të këtyre zgjedhjeve. Vora u mbush me ambasadorë të huaj, duke marrë vëmendjen kryesore të vëzhguesve të huaj.

Me sa duket, lajmet nga sondazhet për një sukses të mundshëm të LSI në këto zgjedhje kanë shqetësuar lidershipin e PS, i cili, pas çdo suksesi të Metës, detyrohet të lëshojë pushtet dhe autoritet, duke humbur pavarësi dhe mundësi për mbështetësit. Historia ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës ngjan si një marrëdhënie e kushtëzuar nga nevoja pragmatiste, e cila nuk ia ka dale të shndërrohet në miqësi.

Parë së jashtmi, duket se ai që ia “fut”, nëse përdorim slangun popullor, është Edi Rama. Në vitet 2000, Rama, një kryebashkiak energjik, i etur për lajme dhe sukses, ia doli të marrë mbështetjen e plotë të Metës kryeministër në luftë kundër kioskave dhe fonde në planet për urbanizimin e qytetit. Në vitin 2005 shtrënguan një aleancë të natyrshme politike mes tyre, e cila e çoi Ramën në një fitore të rëndësishme në vitin 2007 kundër Sokol Olldashit. Zgjedhjet e 2009-s vunë në provë vullnetin e Ramës për të bashkëpunuar, i cili rezultoi i munguar, sepse besonte se mund te fitonte i vetëm trim në luftë. Asokohe e kishte me shumicë vetëbesimin dhe këso momentesh Rama preferon vetminë.

Ai e prishi kontratën dhe sulmoi egërsisht ish-aleatin në një fushatë agresive dhe asgjësuese, me dëshirën që t’i merrte elektoratin kësaj partie të majtë, me qëllim dhënien fund të konkurrencës serioze brenda familjes politike majtiste. Por dëshira e Ramës nuk e mundi këmbënguljen dhe instinktin e Metës për mbijetesë. Ilir Meta nuk u zhduk nga skena. Me katër deputetët e tij Ilir Meta beri pakt qeverisës me Sali Berishën, të cilin e respektoi deri në fund. Me sa duket, sado të ndryshëm, Sali Berisha dhe Ilir Meta i njohin njëritjetrit cilësinë e mbajtjes së fjalës dhe shfaqin nostalgji të koduar për këtë.

Qysh kësaj kohe Meta u bë targeti më i dashur për denigrim nga ish-shefi i opozitës, i cili shquhet për kënaqësinë që i japin gjetjet stilistike. Biseda e filmuar në zyrën e Dritan Priftit dhe blloku i Metës u bënë simbolet e një lufte që nuk do të ndalej më për të rrëzuar qeverinë e Sali Berishës. Kështu, palët shkuan drejt 21 janarit, ku armiqësia Rama- Meta mori tone epike. Pas tij vjen “Kurbani”, ku Meta trajtohet me cinizëm të patepruar. Vitet e gjata në opozitë, nevoja personale e Edi Ramës për të ardhur në pushtet dhe këshillat e shumta të enturazhit të tij e çuan atë drejt kërkesës për pajtim, ekzibicionizmi i së cilës u konsumua në Gji të Lalëzit në të famshmen darkë ngjalash.

Do të dukej e pabesueshme të mendosh sot se Edi Rama kishte parashikuar një LSI dhe Ilir Metë të rrethuar nga një çetë e madhe deputetësh, gati 20 tanimë, pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Do t’i duhej më shumë një aleat me 5-6 parlamentarë, siç do ta kishte dëshiruar, sesa një “pushtues” me kaq ushtri. Domosdoshmëria e Metës për t’u kthyer majtas dhe e Ramës për të marrë karrigen e Berishës, bëri këtë martesë me mblesëri. Por ‘’bashkëshortët” e këqyrin tinëz njëri-tjetrin dhe me xhelozi. Sukseset e njërit shndërrohen në hallin e tjetrit. Rritja elektorale e Metës duket shqetësim më i madh për Ramën sesa rritja e opozitës. Nuk mund të jetë kurrë e vërtetueshme, nëse thuhet PS e ka tradhtuar LSI-në në këto zgjedhje. Asnjëra palë nuk do ta artikulojë haptas marazin. Por zërat që i japin të drejtë kësaj teze po shtohen. Pas ca ditësh, për dobishmëri Rama dhe Meta do të shfaqen përsëri të buzëqeshur, ndërkohë kush e njeh Ilir Metën, thotë se vonon, por nuk harron me “ngadalësi sulltanësh”. Kush e njeh Edi Ramën, përbetohet se Kryeministri do t’i thotë “në asnjë mënyrë, mor burrë… kam bo çmos që të fitosh”, i gëzuar për suksesin e operacionit. Nëse Rama nga ky konfrontim elektoral ka dëshiruar një aleat më të dobët, një gjë është e sigurt: ka përfituar një aleat më të zemëruar e mosbesues. Historia e miqvearmiq nuk do të reshtë së befasuari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura