DRITËHIJET E PANDEMISË/ Vdekjet 4 herë më të larta se shifrat zyrtare. Çfarë shkruan gazeta britanike për situatën në Shqipëri

Jan 13, 2022 | 8:08
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Vdekjet përgjatë periudhës pandemike janë së paku 4 herë më të larta dhe shifrat e paraqitura nga autoritetet shëndetësore nuk janë veçse maja e ajsbergut.

spitaliinfektiv

Ujërat kësaj here janë trazuar nga gazeta britanike “The Ekonomist”, që përmes një artikulli me të dhënat të përpunuara nga 189 shtete të botës ka hedhur dritë mbi atë që mund të konsiderohet si ana e fshehtë e pandemisë. Sipas “The Economist”, numri i viktimave nga COVID-19 në nivel global nuk është 5.5 milionë, por rreth 19.1 milionë, ose 4 herë më i lartë se raportimet zyrtare. Sa i përket vendit tonë, vlerësohet se numri i personave që kanë ndërruar jetë përgjatë periudhës pandemike varion nga 12 në 15 mijë, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë janë raportuar vetëm 3253 fatalitete si pasojë e koronavirusit. Hulumtimi është bazuar në një sistem kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë së një vendi dhe numrit total të personave që kanë ndërruar jetë pavarësisht shkakut të tyre në dy vitet e fundit.

REAGIMI

Ndryshe nga sa ka ndodhur me raportet e mëparshme, të cilat po ashtu kanë paraqitur të dhëna alarmante, Ministria e Shëndetësisë kësaj here zgjodhi të mos heshtë. Në një deklaratë të shpërndarë në media pranohet se janë raportuar vetëm fatalitetet në spitalet COVID. Kjo do të thotë që nuk janë raportuar rastet e humbjes së jetës si pasojë e COVID-19 në banesë. “Nisur nga deklaratat e pavërteta të Partisë Demokratike, mbi të ashtuquajturën ‘fshehje të vdekjeve nga Covid-19’, Ministria e Shëndetësisë garanton qytetarët se janë raportuar përpikërish të gjitha rastet e fataliteteve të raportuara nga spitalet COVID, përgjatë gjithë periudhës së pandemisë. Artikulli i “The Economist”, të cilin Partia Demokratike e lexon dhe interpreton në mënyrë të shtrembër, siç ka bërë gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë, referon një përllogaritje të fataliteteve shtesë. Sipas kësaj përllogaritjeje, në të gjithë botën, numri i vdekjeve shtesë nga COVID-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë 4 herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milionë fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milionë). Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koeficient si mesatarja botërore. Sipas raportit të “The Economist”, vdekshmëria e vlerësuar shtesë për Shqipërinë është më e ulët se sa vende të rajonit dhe më gjerë, si për shembull Mali i Zi, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Lituania, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

RAPORTET

Më herët, të dhënat e publikuara nga INSTAT kanë treguar po ashtu se vdekjet shtesë përgjatë periudhës pandemike janë disa herë më të larta në raport me mesataren e 5 viteve të fundit. Edhe sipas një raporti të publikuar nga “Health Data”, Shqipëria është renditur e katërta në botë për vdekjet e larta reale nga Covid-19. Kështu, vdekjet totale nga koronavirusi janë rreth 6 herë më shumë sesa deklarimet zyrtare. Në fund të qershorit vjet, raporti i EUROSTAT-it nxori në pah po ashtu se Shqipëria renditej në krye të listës në Europë për numrin e jetëve të humbura nga COVID-19, me një rritje të përllogaritur në +111% për muajt nëntor-dhjetor të 2020-ës.

Situata, në 24 orë 1905 raste të reja dhe 6 humbje jete

Vijojnë të jenë të larta shifrat e infeksionit në vend. Në 24 orët e kaluara janë raportuar 1905 persona të prekur nga 6757 testime të kryera, ndërsa në të gjithë vendin numri i të infektuarve aktivë ka shkuar në 16 507 pacientë. Lidhur me fatalitetet, të mërkurën janë shënuar 6 humbje jete si pasojë e COVID-19. “Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 117 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka gjashtë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Lushnja 60 vjeç, një qytetar nga Elbasani 72 vjeç, dy qytetarë nga Tepelena të moshave 74-81 vjeç, dy qytetarë nga Tirana të moshave 82-84 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar. Një ditë më parë ministrja Manastirliu zhvilloi një takim me drejtuesit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor ku kërkoi intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e protokolleve anti-COVID. “Me drejtuesit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, kërkova intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e protokolleve anti-COVID në të gjithë territorin si dhe verifikimin e masave për sigurimin e dokumentit të certifikatave të vaksinimit, certifikatave të shërimit apo testin e antigenit në strukturat e administratës publike dhe njësitë tregtare që ofrojnë shërbime për qytetarët”, shkroi ministrja në rrjetet sociale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura