Dritat, rastet kur OSHEE do marrë “peng” shtëpitë

Apr 1, 2015 | 23:09
SHPËRNDAJE

Qytetarëve që nuk do të paguajnë faturat e energjisë deri në masën 150 mijë lekë, sipas ligjit të ri të qeverisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do t’u vendosë barrë hipotekore për banesën. Nëse detyrimi nuk do të shlyhet, atëherë me ligj, OSHEE-së i lind e drejta që të sekuestrojë banesën e qytetarëve.

Komisioni i Ligjeve

E njëjta masë do të merret edhe për bizneset që nuk paguajnë energjinë, por tarifa maksimale e borxhit të lejuar do të jetë 200 mijë lekë. Projektligji “Për sektorin e energjisë” ka ngjallur debate të forta në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve mes maxhorancës dhe opozitës. Deputetët e pakicës e kanë quajtur si të papranueshme që qeveria të përcaktojë me ligj të drejtën për t’u sekuestruar banesat qytetarëve, duke përmendur shifrën e 38 mijë të burgosurve vetëm për mospagesë të energjisë elektrike. “Ky ligj ka një problem shumë të madh për mua: ju vendosni, pasi keni futur në burg 38 mijë qytetarë, na sillni një ligj që do t’u sekuestroni pasuritë, tokat, apartamentet qytetarëve shqiptarë që nuk kanë të paguajnë më shumë se 150 mijë lekë. A mund të na thoni se ku e ka këtë të drejtë OSHEE-ja që të vendosë hipotekë ligjore, kur Kodi Civil është shterues për rastet kur vendoset hipotekë ligjore?! Që të bëjë kufizimin e pasurisë, kur kufizimin e pasurisë nuk ta lejon Kushtetuta dhe janë shteruese?! Pasi keni futur në burg 38 mijë qytetarë, tani doni t’u sekuestroni dhe banesat”, tha Halimi. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, tha dje se akuzat e opozitës ishin si histori barcaletash. “Ne kur flasim për numra, njerëzit nuk flasim si për lekë të reja apo të vjetra. Me 100-çe dhe 1000-she. Është absurde të thuhet 38 mijë të burgosur. Nuk e di nga e keni gjetur?! Janë dhe 15 mijë të vdekur sipas jush, këto janë histori barcaletash. Ata që kanë vjedhur energjinë, kanë përfunduar të arrestuar dhe janë para drejtësisë. OSHEE nuk arreston njeri”, tha Bejtja. Duke folur për vendosjen e barrës hipotekore, këshilltarja e ministrit, Entela Çipa, tha se: “Është neni 522 i Kodit Civil që parashikon që hipoteka ligjore vendoset mbi bazën edhe të ligjit ose të kontratës. Dhe kjo është në bazë të ligjit dhe kjo është një masë që është përdorur në procedurat tatimore në vitin 2008. Ata shkojnë më tej, bëjnë dhe ekzekutimin. Në rastin tonë nuk është vendosur hipoteka ligjore për ekzekutimin. Kompania nuk bën ekzekutimin e detyrimit, por vetëm vendos hipotekën ligjore”. Pas debateve me tone të forta, kreu i Komisionit të Ligjeve ka ndërprerë shqyrtimin e ligjit, duke thënë se do të miratohet kur të jetë ministri prezent.

FATION BINJAKU
 

Debati në Komisionin e Ligjeve

 Eduard Halimi: Unë nuk e kisha pyetjen se çfarë përfiton qeveria, si do t’ua rrjepë lëkurën këtyre konsumatorëve. Unë e kisha te konsumatorët se çfarë përfitojnë. Se që do të vendosë matësit inteligjentë do t’ua marrë më shpejt, do ua lërë një ditë vonesë. A përfitojnë ndonjë gjë konsumatorët në lidhje me këtë?
Ilir Bejtja(zv.ministër i Energjisë): Në mënyrë absolute, thelbi i fjalës sime nuk ishte që do t’ua marrim shpejt e shpejt, në mënyrë absolute do zbatojmë një marrëveshje dypalëshe që ka çdo konsumator për blerjen e energjisë elektrike. Ajo që unë përmenda, që ligji ekzistues dhe mënyra si është administruar sistemi nga ana e atyre që e kanë bërë ligjin, ka qenë kjo: lëri njerëzit të mbytën dhe më pas mund t’ua kërkosh energjinë kur nuk kanë mundësi ta paguajnë. Sa për çmimin, atë nuk e vendos ligji, por ERE.

Eduard Halimi: A parashikon ligji ndonjë masë për furnizuesin, nëse i vjen energji më e ulët jo e lartë? A ka parashikuar ndonjë dispozitë që t’u paguajë konsumatorëve frigoriferin e prishur apo zjarrin e vënë?
Agim Bregasi (drejtor në MEI): Lidhur me mbrojtjen e konsumatorit, në këtë ligj i jepet e drejta konsumatorit të zgjedhë një furnizues që i jep tarifa dhe kushte më të mira. Ka të drejtën të ndryshojë furnizuesin. Mbrojtja nga pikëpamja ligjore për konsumatorin do të përcaktohet në kontratën e re. Furnizuesi do të dëmshpërblejë për fatura të gabuara dhe për mosfurnizimin.

Eduard Halimi: Ky ligj ka një problem shumë të madh për mua: ju vendosni, pasi kemi futur në burg 38 mijë qytetarë, na sillni një ligj që do t’u sekuestroni pasuritë, tokat, apartamentet qytetarëve shqiptarë që nuk kanë të paguajnë më shumë se 150 mijë lekë. A mund të na thoni se ku e ka këtë të drejtë OSHEE-ja që të vendosë hipotekë ligjore, kur Kodi Civil është shterues për rastet kur vendoset hipotekë ligjore?! Që të bëjë kufizimin e pasurisë, kur kufizimin e pasurisë nuk ta lejon Kushtetuta dhe janë shteruese?! Pasi keni futur në burg 38 mijë qytetarë, tani doni t’u sekuestroni edhe banesat.
Fatmir Xhafaj: Lerë se po ju dhimbsen juve njerëzit, ju po bëni politikë me qytetarët. Përgjigjuni vetëm për pyetjet.
Arben Ristani: Jo po, dëgjoni ata kriminelët që keni vënë atje!

Fatmir Xhafaj: Jo po, të dëgjojmë ty që je mbi ta!

Eduard Halimi: Ku e gjen të drejtën OSHEE dhe Kryeministri juaj që ka firmosur një ligj që do t’u sekuestrojë pasuritë qytetarëve shqiptarë në qoftë se nuk kanë të paguajnë 150 mijë lekë? Kush do t’i ekzekutojë këto vendime?
Ilir Bejtja(zv.ministër i Energjisë): Ne kur flasim për numra, njerëzit nuk flasim si për lekë të reja apo të vjetra. Me 100- çe dhe 1000-she. Është absurde të thuhet 38 mijë të burgosur. Nuk e di nga e keni gjetur. Janë dhe 15 mijë të vdekur sipas jush, këto janë histori barcaletash. Ata që kanë vjedhur energjinë, kanë përfunduar të arrestuar dhe janë para drejtësisë. OSHEE nuk arreston njeri Entela Çipa( këshilltare MEI): Është neni 522 i Kodit Civil që parashikon që hipoteka ligjore vendoset mbi bazën edhe të ligjit ose të kontratës. Dhe kjo është në bazë të ligjit dhe kjo është një masë që është përdorur në procedurat tatimore në vitin 2008. Ata shkojnë më tej, bëjnë edhe ekzekutimin. Në rastin tonë nuk është vendosur hipoteka ligjore për ekzekutimin. Kompania nuk bën ekzekutimin e detyrimit, por vetëm vendos hipotekën ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura