Dritat, ERE: Do liberalizojmë tregun

Apr 3, 2012 | 10:34
SHPËRNDAJE

Kryetari i ERE, Sokol Ramadani

Debati në Kuvend për raportin e ERE, Ramadani: Për tre vjet, jo rritje të çmimit për qytetarët.

PS: Privatizimi, i dështuar. Arkëtohet më pak se 50% e energjisë.

Enti Rregullator i Energjisë mendon se me përfundimin e periudhës së parë rregullatore pas privatizimit të kompanisë së shpërndarjes, do të krijohet mundësia për liberalizimin e plotë të tregut të energjisë. Kryetari i ERE, Sokol Ramadani, gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për aktivitetin e institucionit që ai drejton, bëri të ditura edhe detajet.
Liberalizimi
Viti 2014 do të jetë fundi i periudhës së parë rregullatore pas privatizimit të ish-OSSH-së, aktualisht CEZ Shpërndarje. “Sikurse dihet, kur është privatizuar ndërmarrja e shpërndarjes, është nënshkruar një kontratë, e cila ka kaluar në Parlament, që fut detyrimet tona deri në fund të vitit 2014. Në periudhën tjetër rregullatore ne mendojmë që të krijohet mundësia e liberalizimit të plotë të të gjithë klientëve, dhe këtu përfshihen gjithë ata që ne mendojmë se realizojnë mundësinë e liberalizimit të tregut”, u shpreh Ramadani. Nga ana tjetër ai u ndal edhe te projekti që Enti Rregullator ka me Bankën Botërore për eficiencën e energjisë. Sipas tij, eficienca është një çështje prioritare. “Kemi një sektor të veçantë që quhet Dega e Eficiencës së Energjisë. Për të realizuar një gjë të tillë duhen investime të mëdha të ndërtimeve, sepse të gjitha ndërtesat tona janë të paizoluara. Duhet që të ketë panele diellore për ngrohjen e ujit. Megjithatë, Banka Botërore, bashkë me ERE, po punojnë në një studim që të inkuadrojnë eficiencën si perspektivë”, tha kreu i ERE. Lidhur me rritjen e çmimit të energjisë ai deklaroi se për qytetarët nuk do të ketë ndryshim të çmimit deri në vitin 2013, ndërkohë që mes operatorëve ai la të hapur mundësinë për ndryshime në varësi të situatës energjetike. Një problematikë e ngritur në Komision ishte ajo e humbjeve. Sipas raportit të ERE, gati gjysma e energjisë nuk arkëtohet. “Koeficienti vjetor i efektivitetit për sistemin e shpërndarjes (i cili merr parasysh nivelin vjetor të humbjeve dhe arkëtimeve), rezulton me 49.63 për qind. Vërehet qartë së niveli i eficiencës në shpërndarje është ulur me 4.11 për qind në krahasim me vitin 2010.
Opozita
Opozita ka ndjekur vetëm pjesën e pyetjeve në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ndërkohë që e ka braktisur më pas atë për shkak të përplasjes me kryetarin e Komisionit, Jemin Gjana. Deputeti i PS, Eduard Shalsi, u shpreh se privatizimi që qeveria bëri disa vite më parë për kompaninë e shpërndarjes rezultoi i dështuar dhe se tashmë vendi është në prag të një krize energjetike, pasi vetë CEZ ka lëshuar alarmin e problemeve. Po kështu, Shalsi akuzoi qeverinë dhe ERE-n se nuk kanë punuar në favor të konsumatorit, duke sjellë një shtrenjtim 65 për qind të energjisë krahasuar me vitin 2005. “Duke dëgjuar relatorin e çështjes m’u duk sikur për një moment jetonim në Zvicër apo Norvegji nga sukseset. Nga viti 2005 deri sot që flasim çmimi i energjisë elektrike është rritur 65 për qind. Nga njëra anë importojmë sasi të jashtëzakonshme, në raport kemi miliona euro që dalin çdo vit jashtë Shqipërisë për të furnizuar me energji eklektike. Brenda vendit nuk kemi kapacitete financiare, stimuj apo incentiva për privatët që po ndërtojnë HEC-e”, tha Shalsi në fjalën e tij. Deklarata e Gjanës për të mos vijuar me diskutime, por vetëm me pyetje, i ka nervozuar socialistët, të cilët u larguan para se të dëgjonin përgjigjet e pyetjeve.

TEC Vlora
Deputetët e PS-së dje u interesuan se pse TEC-i i Vlorës është vënë në punë vetëm në vitin 2011 dhe kjo vetëm për pak kohë, ndërkohë që ky TEC ishte parashikuar të vihej në funksion vite më parë. Për kreun e ERE, Sokol Ramadani, termocentrali u ndërtua si një vepër rezervë në raste vështirësish, por se mundësitë e reja që hapen me projektet e gazit janë të favorshme, sidomos për koston e prodhimit. “TEC-i ishte i nevojshëm. Nëse do të përfshijmë edhe furnizimin me gaz, kjo do ta ndihmonte TEC-in që të ulte koston dhe tarifën e energjisë në 50 për qind”, tha ai.

Debate në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese
Eduard Shalsi:
Duke dëgjuar relatorin e çështjes m’u duk sikur për një moment jetonim në Zvicër apo Norvegji nga sukseset. Nga viti 2005 deri sot që flasim, çmimi i energjisë elektrike është rritur 65 për qind.
Selami Xhepa: Pyetja e dytë lidhet me çështjet e eficiencës së energjisë, që është një ndër çështjet më prioritare dhe më emergjente për sistemin energjetik shqiptar. Duke gjykuar të paktën nga sistemi energjetik rezulton dukshëm që Shqipëria ka një nivel të ulët të eficienës. Nga ana tjetër ne kemi marrë disa iniciativa kombëtare që burojnë nga iniciativat europiane për rritjen eficiencës. A janë burimet financiare në dispozicion për arritjen e këtyre objektivave brenda afateve kohore të miratuara?
Sokol Ramadani: Kemi një sektor të veçantë që quhet Dega e Eficiencës së Energjisë. Për të realizuar një gjë të tillë duhen investime të mëdha të ndërtimeve, sepse të gjitha ndërtesat tona janë të paizoluara. Duhet që të ketë panele diellore për ngrohjen e ujit. Megjithatë, Banka Botërore bashkë me ERE-n, po punojnë në një studim që të inkuadrojnë eficiencën si perspektivë.
Besnik Bare: Në TEC-in e Vlorës, me sa di unë, ishte parashikuar që të fillonte nga puna 3 vjet më parë, kurse ju thoni që ishte parashikuar të fillonte në 2011-n. Megjithatë, a mendoni që në kuadrin e diversifikimit të burimeve energjetike keni plane për zgjerimin e këtij TEC-i, pasi me këtë kapacitet a është sa më pak eficient se sa ishte parashikuar atëherë kur nisi prodhimi, kur çmimet e naftës ishin goxha më të ulëta?
Sokol Ramadani: TEC-i ishte i nevojshëm. Nëse do të përfshijmë edhe furnizimin me gaz, kjo do ta ndihmonte TEC-in që të ulte koston dhe tarifën e energjisë në 50 për qind.
Artan Gaçi: Dihet që në Kosovë prodhimi i energjisë është i përqendruar në TEC-e me qymyr dhe me kosto të lirë, dhe kjo duhet të kishte qenë përparësi e ERE-s dhe e qeverisë që 6 vjet përpara. Nuk ka rënësi më të madhe se sa të bëje linjën 400 kilovolt me Kosovën, sesa të shkosh ta blesh në Serbi me çmime katastrofike, ndërkohë që mund ta blejmë brenda një kombi me çmime të arsyeshme.
Sokol Ramadani: Lidhur me kombinimin tonë me sistemin kosovar, është shumë e mirë, por duhet të përmendim diçka, që Kosova është me deficite energjie. Edhe sot, gati 30 për qind e merr nga jashtë dhe linja e Kosovës do të ndërtohet para përfundimit të ndonjë TEC-i në Kosovë. Është folur për perspektivën dhe besoj se jemi në kohë edhe nëse Kosova do investojë në TEC-e.
Eduard Shalsi: Në dhjetor keni marrë vendimin për të mos rritur çmimin e energjisë eklektike, ndërkohë që në një deklaratë që keni bërë për një të përditshme dy ditë më parë, nuk keni thënë gjë tjetër, por që jeni në pritje të instruktazheve të qeverisë.
Sokol Ramadani: Çmimet e fundoreve nuk kanë pse ndryshojnë, kurse çmimet mes operatorëve mundet. Njëherë në vit bëhet raxhustimi i çmimit për operatorët që janë KESH, CEZ dhe OST. Nëse qeveria dhe ne shohim që duhet ndryshim për ndonjë problem, mund të ketë ndryshim, por jo për fundorët.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura