“Dritan Leli dezertoi nga partia, më fiku telefonin disa ditë”/ Rama: Afrim Qëndron e solla unë në Vlorë të bënte…

Jun 28, 2021 | 15:30
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryetari i Partisë Socialiste ishte dje i drejtpërdrejtë para socialistëve të Vlorës për marrëdhëniet e tij dhe të PS-së me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

pjimage - 2021-06-26T091523.392

Dje më në fund u hapën dyert e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, të cilat kishin mbetur të kyçura nga Leli për të zhvilluar takimet llogaridhënëse me anëtarët e Këshillit Bashkiak. Kryeministri ka treguar dhe detaje nga komunikimet e tij me kryebashkiakun e Vlorës para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kur i kërkoi të kandidonte për deputet.

“Dritan Leli është shprehur se e ka amanet që të drejtojë Vlorën. Leli nuk u zgjodh, por u emërua, sepse nuk kishte kundërshtar në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Por, sondazhet na tregonin se drejtimi i Bashkisë nga Dritan Leli ishte pika më e dobët e Partisë Socialiste në këtë qytet. Prandaj ne vlerësuam që ai të kandidonte për deputet, duke përfaqësuar këtë qytet me vlera në Parlamentin e Shqipërisë. Puna e tij në bashki po çalonte në mënyrë të ndjeshme, ndërsa gjykuam me shokët që në Parlament, edhe si mjek ai do të na përfaqësonte më mirë, por edhe si orator.

Kur unë ia kërkova që të jepte dorëheqjen dhe të kandidonte për deputet, Dritan Leli refuzoi, madje me fiku telefonin për disa ditë”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri. Kreu i qeverisë ka bërë dhe një paralelizëm me rastin e kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë, Dionis Imeraj, i cili pranoi të bëhej pjesë e listës së kandidatëve të PS-së.

Sipas Ramës, Dionis Imeraj ka pranuar, ndërkohë që Leli nuk ka pranuar të japë dorëheqjen nga kryetar Bashkie për të kontribuar për zgjedhjet parlamentare. Më tej, ai ka thënë se askush nuk fiton i pavarur në Vlorë, pa siglën e PS-së.

Sipas Ramës, nëse kryetari i Bashkisë nuk jep dorëheqjen vetë, të gjithë duhet të punojnë që Vlora të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze nga këshilltarët bashkiakë.

“Leli ka një detyrë partiake, por ai dezertoi, jo vetëm nuk pranoi të kandidonte për deputet, por nuk u përfshi as në fushatë. Ne si parti menduam që Leli të kandidonte si deputet, ai dezertoi në këtë betejë. Madje në krahasim me kandidatët në Dibër, Leli nuk bëri asnjë fushatë për PS-në dhe dha zero kontribute. Por, ne kishim dhe tre deputetët e Vlorës që nuk u rikandiduan, Edmond Lekën, Fate Velajn dhe Vilma Bellon, të cilët nuk u rikandiduan, iu kërkua se do të rinovohej lista, pra nuk do të ishin më deputetë, por ata kontribuuan në fushatë për fitoren tonë”, mësohet të jetë shprehur Rama.

NËNKRYETARI

Kreu i qeverisë i është përgjigjur dhe opinioneve që e akuzonin Ramën se kërkon të largojë kryetarin e Bashkisë për të emëruar ish-kreun e ARRSH-së, Afrim Qëndron.

“Teorive të konspiracionit për emërimin e Afrimit (Qëndros) si kryetar Bashkie pas Lelit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë për të qëndruar asnjëherë. Afrimin e solla unë në Vlorë të bënte projektet publike që nuk po bënte Dritan Leli. Afrimin e kam vlerësuar që kur ka punuar me mua në Bashkinë e Tiranës. Nuk kam asgjë personale me Lelin. Këshilli Bashkiak të bëjë detyrën për të siguruar llogaridhënien. Gjithçka në raport me Dritan Lelin është institucionale dhe partiake, nuk kam asgjë personale. Ai dezertoi, tha se nuk ka më punë me këtë familje politike”, mësohet të ketë thënë Rama.

KËSHILLI

Gjatë fushatës zgjedhore, kreu i PS-së e quajti kryebashkiakun e Vlorës të vdekur, ndërsa gjithmonë në aktivitetet e tij e ka shmangur.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve duket se ka nisur edhe “hakmarrja” ndaj Lelit nga socialistët.

Prej një muaji, kryetarja e Këshillit Bashkiak ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të zhvilluar seanca dëgjimore me kryetarin e Bashkisë Dritan Leli. Ata pretendojnë se në qarkun e Vlorës mungojnë investimet në infrastrukturë dhe se Bashkia nuk ka marrë masat për të përballuar sezonin turistik.

Por pavarësisht këmbënguljes së tyre, deri më tani kryebashkiaku e ka shmangur një “gjyq publik”. Herën e parë që ndodhi para dy javësh, Leli nuk lejoi që mbledhja e Këshillit Bashkiak të bëhej me prani fizike. Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej online, ndërsa mbylli edhe derën e teatrit duke u bërë pengesë edhe për pjesën tjetër të Këshillit Bashkiak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura