Dritan Dajti: Arjan Muça organizoi vrasjen e Tivarit

Oct 2, 2013 | 13:50
SHPËRNDAJE

Dritan Dajti në një seancë gjyqësore
Ish-sekretari i KMSH u ekzekutua në zyrë në janar 2013, ngjarja “pa autor”

I akuzuari si vrasës i policëve në Durrës reagon ndaj gjykatës.

Dritan Dajti “shpërtheu” dje në akuza të reja kundër Arjan Muçës, ish-kreut të operacionit për arrestimin e tij më 7 gusht 2009, duke e përfshirë atë në vrasjen e një zyrtari të lartë të Komitetit Mysliman Shqiptar.
Pa e përmendur me emër Salih Tivarin, sekretarin e Përgjithshëm të KMSH-së, të ekzekutuar në janar të vitit 2003 nga persona ende të paidentifikuar, Dajti tha se Arjan Muça dhe babai i tij (Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman) ishin përfituesit e vetëm të kësaj ngjarjeje. Deklarata e Dajtit, e konsideruar si pjesë e kutisë së Pandorës që ai ka lajmëruar se do të hapë prej kohësh, erdhi dje pasi gjykata nuk pranoi një kërkesë të tij. Pas tensionit që përcollën në seancë akuzat e Dajtit, ai u largua nga salla, çka solli në vijim dështimin e seancës dhe shtyrjen e saj për ditën e sotme. Në seancën e djeshme, i akuzuari për vrasjen e katër policëve në Durrës në 2009-n, Dritan Dajti, akuzoi Arjan Muçën se në vitin 2007 ka tërhequr dy armë nga magazinat e policisë. Dajti shprehu dyshime se dy armët janë marrë pa përshkrim të modelit dhe markës me një firmë të vetme, ndonëse me diferencë kohore në datat e dokumentit plot shtatë muaj. Prej disa seancash, Dritan Dajti është duke lëshuar akuza ndaj Arjan Muçës, ish-drejtues i aksionit që policia organizoi në Durrës për kapjen e Dritan Dajtit në 2009-n.
VRASJA NË KMSH
Vendimi i trupit gjykues për rrëzimin e kërkesës së Dajtit, për vënien në dispozicion të fletëdaljeve të armëve të marra nga Muça, hasi në reagimin e fortë të të pandehurit. Ai kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, duke e cilësuar të njëanshëm. Më pas vijoi me akuza kundër Arjan Muçës, aktualisht zyrtar i lartë në Policinë e Shtetit. “Kërkoj përjashtimin tuaj si trup gjykues. Me vendimet që po jepni, ju po bëheni palë me Prokurorinë. Po mbroni Arjan Muçën dhe bandën e tij”, tha Dajti. Në këtë moment, ndërhyrja e kryesuesit të seancës, se vendimi mund të kundërshtohej në Apel nga i pandehuri, solli tensionimin e situatës. “Mirë, ta them atëherë, se boll e kam mbajtur. Arjan Muça është ideatori dhe organizatori i vrasjes së sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ai dhe babai i tij janë përfituesit e vetëm të saj”, tha Dajti, duke e ngritur tonin e zërit. Një ndërhyrje tjetër e trupit gjykues, se i pandehuri po dilte jashtë objektit të gjykimit, u pasua me të njëjtin ton nga i pandehuri, i cili nuk kurseu as ironinë. “Zoti kryetar, unë e quaj mungesë edukate të ndërpres tjetrin kur është duke folur. Nëse unë shpif, prokurori le të më procedojë për shpifje. Unë kam prova për ato që them. Prokuroria deri sot nuk më ka pyetur se kush më ka plagosur. E kuptoni që kanë frikë nga Arjan Muça? Nuk keni faj ju. Kam faj unë që rri e merrem me ju. E do merrem dhe për ca kohë. Vrasja ka shumë vite dhe nuk është zbardhur. Del dhe ai matufi tjetër, Burgaj, dhe thotë të flasë ç’të dojë i pandehuri”, tha Dajti. Në vijim, në tension e sipër, ai përplasi me forcë dosjen e tij në tavolinën brenda kafazit dhe u ngrit në këmbë. Pak sekonda më pas, ai kërkoi që t’i caktohej një mbrojtës dhe u largua nga salla e gjyqit.
ARMET E PAREGJISTRUARA
Në seancën e djeshme, Dajti i kërkoi gjykatës t’i vërë në dispozicion dy fletëdalje të vitit 2007 të magazinës së armatimit në Policinë e Shtetit. Sipas Dajtit, bëhet fjalë për dy armë të tërhequra nga Arjan Muça në 10.10.2007 dhe 30.03.2007, për të cilat në Librin e Armatimit nuk është shënuar as lloji i armës dhe numri i saj. “Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të armëve të pasekuestruara, që nuk i përkasin as armëve të policisë dhe as armëve që më janë sekuestruar mua”, tha Dajti. Kërkesa e Dajtit u kundërshtua nga prokurori, i cili tha se aktet që kërkonte i pandehuri, nuk ishin pjesë e akteve të dosjes. “I pandehuri kërkon të ngatërrojë radhën e marrjes së provave”, tha prokurori.
ARMAND BAJRAMI

Sali Tivari u vra me 3 plumba në zyrën e KMSH
Pistat e hetimit, konfliktet brenda Komunitetit e pronat
Tirane – Sali Tivari, jurist i njohur në Durrës, sekretar i Përgjithshëm dhe personalitet me ndikim në Komunitetin Mysliman, u gjet i vrarë në zyrën e tij, më 13 janar 2003. Paraditen e kësaj date, numri dy i Komunitetit më të madh fetar në vend u gjet pa jetë në zyrën e tij, në katin e dytë të KMSH, i qëlluar me tre plumba në trup. Arma e përdorur ka qenë një “Beretta”. Sipas hetimeve të ngjarjes, ekzekutimi i Tivarit në zyrën e tij ka ndodhur në intervalin kohor 08:00-08:25. Policia u informua asokohe nga një punonjës i vetë Komunitetit. Dikush kishte shkuar në zyrën e Sali Tivarit për arsye rutinë, për të marrë ose për të lënë një dokument kur është përballur me skenën e krimit. Në dukje, sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, 59 vjeç, kishte dhënë përshtypjen e një të sëmuri. Punonjësi që e gjeti pa jetë Tivarin, mendoi se ai kishte pësuar ndonjë dobësi apo problem shëndetësor, ndaj më parë lajmëroi ambulancën. Kjo pasi shenjat e gjakut dhe plagët nuk ishin të dukshme në pamjen e parë. Tivari, personazhi që konsiderohej si pasues i kryetarit të atëhershëm të KMSH, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kishte rënë përmbys në tavolinë. Vetëm kur trupi i tij është lëvizur, është kuptuar se ai ishte qëlluar me armë. Sipas autopsisë, viktima ka marrë tre plumba në gjoks, dy në pjesën e zemrës dhe tejshpues. Ngjarja mbeti pa autor që prej asaj kohe, edhe pse u mbajt në hetim për shumë kohë nga Policia dhe Prokuroria. Një nga pistat kryesore të hetimit ishte vrasja për shkak të përplasjeve brenda Komunitetit Mysliman (në lidhje me donacionet e huaja, me rrymat e besimeve dhe zgjedhjet për drejtimin e KMSH që mbaheshin së afërmi). Policia ka hetuar edhe konfliktet për pronat e Tivarit në Durrës dhe të vetë Komunitetit e, po ashtu, edhe mundësinë e një akti terrorist. Në dosjen e ngjarjes ndodhen disa dëshmi për dy persona që kanë hyrë brenda Komunitetit Mysliman në kohën kur ndodhi ngjarja, por nuk ka detaje më shumë. Tivari kishte marrë kërcënime të vazhdueshme për eliminim fizik para se të vritej. tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura