“Drita në det”, proza më e mirë greke vjen në shqip në një antologji

Nov 24, 2017 | 13:50
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Dhe xha Jano u zbardh i tëri dhe fjeti nën dëborë, që të mos shfaqej lakuriq dhe i zbuluar ai dhe jeta e tij, dhe veprat e tij, para Gjykatësit, Krishtit, Tërë- shenjtit”. Me këtë vdekje të bardhë mbyllet tregimi i parë që hap antologjinë “Drita në det”.

malo

Një përmbledhje prej 73 tregimesh të 28 autorëve grekë, sjellë në shqip nga Vangjel Zafirati dhe shtëpia botuese “Neraida”. E përfaqësuar me klasikët, me poetë e Kazanzaqis, letërsia greke tashmë vjen edhe më e plotë për lexuesin shqiptar.

Tanimë ka në dorë një përmbledhje, e cila të shoqëron në një rrugëtim 150-vjeçar nëpër letërsinë greke. Papadiamantis, Karkavicas, Samarakis, Vasilikos, Ioanidis, Dhimitriu, Makropullos, etj., vijnë të përkthyer mjeshtërisht nga Zafirati me tregimet e tyre më të mira.

“Ky libër, mua si botues, edhe pse kemi botuar 60 tituj nga letërsia greke, më fuste në siklet, por dhe më jepte kënaqësi. Kam botuar Kazanzaqisin, Solomosin, Citas… por kjo përmbledhje ka diçka më shumë. Një antologji nuk është meritë apo dështim i shkrimtarëve, por meritë ose dështim i përkthyesit dhe botuesit, prej të cilëve varet edhe përzgjedhja. Për të realizuar këtë antologji, kemi pasur parasysh një numër të madh shkrimtarësh, të cilët kanë shkruar përgjatë një periudhe që shtrihet në një hapë- sirë 150-vjeçare”, thotë botuesi Jani Malo në promovimin e antologjisë në ambientet e “Friend’s Book House”, në praninë e përfaqësuesve të Ambasadës greke, përkthyes, botues, shkrimtarë e studentë.

greku

“E kemi filluar me Papadiamantis dhe e përfundojmë me Palavosin. Të dy tregimet, ai hyrës dhe mbyllës, kanë diçka të përbashkët. Tek i pari është një burrë plak që vdes në borë për dashurinë, ndërsa në fund një plakë, e cila ka një lidhje me borën dhe dashurinë në një kohë më të herët, atë të luftës. Ka diçka të bardhë në periudhën gri të jetës së tyre”, thotë Malo, duke zbuluar diçka nga përmbajta e këtij libri, të cilin ai e quan një mozaik.

PËRZGJEDHJA

“Në këtë hapësirë është gjithë Greqia, është një mozaik i sjellë nga njerëz të ndryshëm, me qëllim që ta shohim ne. Është një afresk i një shoqërie tipike ballkanike, në një gjendje të trazuar”, thotë ai teksa tregon punën që është bërë për të përzgjedhur tregimet e kësaj antologjie.

Ai ia lë meritën përkthyesit, i cili ka qëmtuar në krijimtarinë e shumë autorëve, duke u ndalur tek ato krijime që përfaqësojnë më së miri krijimtarinë e tyre, por edhe atë greke në tërësi. Janë emra të shquar të letërsisë greke, por edhe nga ata bashkëkohorë, të cilët ende janë në hapat e tyre të parë, por që jo pa qëllim janë përfshirë aty. “Librat mund të jenë ose të shkruar mirë, ose keq, për antologjitë është ndryshe, ato duhet të jenë të përzgjedhura mirë”, tha Malo.

Barra më e madhe në realizimin e kësaj antologjie është pa dyshim e përkthyesit Vangjel Zafirati. Përballë një lexuesi që e njeh mirë gjuhën greke (si ai i ftuar në promovim), përgjegjë- sia e tij ishte edhe më e madhe, aq më tepër që bëhej fjalë për një vepër që shtrihej gjatë në kohë.

“Tregimet e kësaj antologjie nuk janë përzgjedhur për t’u lexuar gjatë sezonit turistik, nuk është një libër mode dhe as për t’u mbrojtur nga dielli, sepse nuk e pamë shitblerjen e librit si qëllim në vetvete, por për t’iu përgjigjur kërkesave të lexuesit cilësor”, tha Zafirati.

Sipas tij, në vepër gjen autorë që nga shek. XIX deri në ditët tona dhe është një botim që mund të lexohet si nga nxënësit dhe profesorët, nga lexues i kualifikuar ose jo. “Një libër që u jep mundësi studiuesve të krijojnë një njohje më të gjerë për atë që ndodh në vendin fqinj”, tha ai.

Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Sllavo-Ballkanike, prof. asoc. dr. Sofia Delijorgji, do ta vlerësonte antologjinë “Drita në det” si një vlerë që i vjen lexuesit, në epokën e internetit, kur koha për të lexuar, sidomos prozë, është më e vogël. Edhe pse letërsia shqipe ka qenë e pranishme vazhdimisht në shqip, përmes kësaj antologjie, sipas saj, vjen edhe më e plotësuar.

Delijorgji vlerësoi maksimalisht përkthimin e Zafiratit. “Është shumë e vështirë të sjellësh në shqip Papadiamantin dhe Karkavicasin në shqip pasi ka shumë fjalë dialektore dhe elementë kishtarë”, tha ajo, duke shtuar se “përmes kësaj antologjie vjen kultura, historia dhe folklori i një populli”.

Ndërsa për sekretarin e parë të Ambasadës Greke, Grigoris Delavekouras, “Botime të tilla na sjellin më afër dhe na ndihmojnë të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Aq më tepër antologji të tilla, me autorët më të mirë grekë”. I pranishëm në promovim, botuesi dhe kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, u shpreh ndër të tjera se “Drita në det” ishte një ndër kandidatët kryesorë për çmimin e përkthimit më të mirë në Panairin Librit 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura