Drita dhe hijet skeptike të një Festivali

Jun 13, 2018 | 11:41
SHPËRNDAJE

elona agolliELONA AGOLLI

Nxitja për të hedhur disa radhë për një argument të komentuar apo jo, mund të vijë nga një ngjarje apo nga një bisedë e thjeshtë kafeneje, apo edhe nga përfolje të argumentit në media, që jo rrallë ndodh. E kështu, Panairi i Librit i organizuar pak ditë me parë në Prishtinë, i 20-ti në radhë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, shumë afër eventit  tjetër, “Ditënetët e Librit”, në Tiranë, na bën të mendojmë që pushteti i librit është i pamat dhe ende i pacenuar. Çdo aktivitet kushtuar librit është i dobishëm dhe duhet inkurajuar.

Festivali “Ditënetët e Librit” ishte dëshmitari më i mirë i interesimit për librin. Në ato ditë, përveçse një lexuesi të motivuar, u ndeshëm çast pas çasti, ditë pas dite, me krijuesit që nxiteshin për së brendshmi për t’u vetërrëfyer, për të krijuar aureolën e lexuesit dhe dashamirësit. Pati mjaft ngasje për t’u shfaqur e përshfaqur nga të shumtë që u ndjenë protagonistë ato ditë. Dhe Festivali u tregua zemërgjerë me të gjithë, pa filtrime e përzgjedhje. Pasi të pasionuarit e libërshkrimit apo libërleximit nuk përzgjidhen. Gjatë dhe pas Festivalit “Ditënetët e Librit”, përveçse entuziazmit të një ngjarjeje jo të zakontë për kryeqytetin e mësuar kryesisht me festa për të rinjtë, koncerte rock e festa ngjyrash, panaire pune e shfaqje kushtuar Heroit Kombëtar në këtë vit të tij, pati edhe zëra kundërshtues, të mekët gjithsesi.

Ndërsa kanë kaluar më tepër se 3 javë nga Festivali “Ditënetët e Librit”, ende ka “tingëllima” të jehonës që ai la. Dashamirës e mendjegjerë, përgjithësisht karakterizuar nga pozitivja, vijojnë të besojnë e shprehen që është shumë e dobishme kjo nismë e pranverës pasi veç të tjerash u shërben pozitivisht edhe eventeve konkurruese, jetëgjata apo jetëshkurtra të sektorit të promocionit të librit dhe botimeve. Përveç të tjerash, thënë, pasi esencialja e Festivalit “Ditënetët e Librit” ishte farë e shëndetshme, e cila me kalimin e viteve do të kthehet (urojmë) në një Festival të lëvdueshëm edhe nga ata më skeptikët e mosbesuesit editorë apo analistë.

Pse të mos ëndërrojmë që sheshi “Skënderbej” të mund të ketë edhe një emër të dytë a nickname “Sheshi i Librit”? Pallati i Kulturës me Bibliotekën Kombëtare fare pranë, a nuk lajkaton sheshin me emrin e tij të dytë? Dhe Festivalet e ardhme, a ka më bukur se sa të bëhen pikërisht aty ku grumbullimet njerëzore parafytyrohen tashmë më tepër për evente të tjera kulturore? Madje, një mozaik festivalesh do ta konfiguronte sheshin duke u shndërruar në më të bukurin dhe të synuarin shesh edhe ndërkombëtarisht. Gjykime post-event të tilla edhe jo entuziaste pati për Festivalin e Librit.

U shtruan ngushtazi pyetje kryesisht lidhur me lexuesin apo libërblerësin. Pyetja jonë, parë nga një këndvështrim ndryshe, do të ishte: Kriza e Leximit, apo skepticizmi i botuesit solli në “Ditënetët e Librit” atë të munguarën “turmë” lexuesish, që pushton jo rrallëherë holle ekspozimi? Anoj më tepër nga një skepticizëm e befasi, në të cilën u ndodhën botuesit, të cilët nuk bënë ndonjë përpjekje kushedi për të promovuar veten e tyre në radhë të parë, për të qëndruar besnikërisht në krah të autorëve të tyre, duke i ftuar e nxitur interesin e tyre.

E ky skepticizëm shënjoi të “mëdhenjtë”, botuesit që kanë aspirata e pritshmëri të mëdha, por që dorëzohen edhe shpejt, duke pranuar standarde e organizim të njëjtë të çdovitshëm e të fundvitshëm. Botuesve të mëdhenj të lidhur ngushtë, sigurisht me mediat private, me të cilat japin e marrin përgjatë gjithë vitit, u mungoi ngasja, gazi, lumturia e botuesit që bëhet personazhi i “shfaqjes”. Pasi të jesh skeptik e të marrësh pozicionin e skeptikut në vendin tonë është qëndrimi më komod; skeptiku pret, vëzhgon, kritikon, dëfton “maturi” në lëvdata. Dhe sfida më e madhe e këtij festivali ishte lufta me skepticizmin. Skeptizicëm i ushqyer edhe nga sprova të kryera vite më parë që u qasën si nisma kulturore, kontemporane, të dizenjuara nga artistë e botues e që patën jetën dyvjeçare të tyre.

Gjithsesi, çdo nismë e tillë është e dobishme, kulturon dhe edukon edhe estetikisht. Dhe nismat e viteve të shkuara krijuan risi në rrugëtimin e tyre. Festivalet e Librit, me formulën e tyre organizative, janë ngjarje kulturore më të çlirëta, me vëmendje më të madhe kah eventet shoqëruese. Raporti ekspozuesevente anon nga eventet dhe autorët. Kështu, p.sh. Festivali Ndërkombëtar i Librit në Edinburg, me një formulë ende më të çlirët, ku pikëtakohen autorë, filozofë, ilustratorë, historianë, biografë, ekonomistë, nobelistë etj., me lexues e dashamirës të artit dhe kulturës; mbi 1000 autorë e po aq evente gjallërojnë jetën e qytetit duke e shënjuar në hartën e destinacioneve ndërkombëtare tërheqëse për t’u vizituar veçse falë këtij Festivali.

Ndër të tjera Festivale, mund të përmendim: Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit, Mantovës, Festivali Hay Festival etj. Ndërthurja mes ambientit, mjedis relaksi e argëtues me dëshirën për të lexuar apo thjesht mbajtur në dorë një libër në fund të fundit, është mënyra më e natyrshme e ndikimit dhe edukimit, e nxitjes së dëshirës për librin dhe leximin. Ndërtuar në qiell të hapur, me tenda apo pa tenda, mes bareve dhe veprave monumentale, mes së gjelbrës dhe parqeve, takimet me autorë e lexues, me të preferuarin artist të Comics apo të preferuarin autor të librave të Marketingut apo Ekonomisë, sjellin atë atmosferë tunduese dhe mbërthyese që aq fort nevojitet edhe në eventet që organizohen në kryeqytetin tonë.

Ndërsa media apo disa përkujdesës të botuesve (autorëve më pak) rreken të mendojnë ngushtësisht duke bërë vështrime periferike, pasi shumë provincialisht mendojnë që para një interesi me të madh që është nxitja dhe rritja e numrit të lexuesve, paraqëndron ai interesi meskin i tregtarit të rëndomtë të librave apo tregtarit të shitjes së hapësirave të ekspozimit për botuesit, bukur fort do të duhej të kishim përsiatje e ngasje për një festival pranveror apo veror të librit apo letërsisë, Festival, i cili do të merrte formë e do të nxiste edhe turizmin festivalor, do të krijonte aureolën tërheqëse, ashtu siç kanë krijuar në rajonin tonë të Ballkanit, Guèa Trumpet Festival në muajin gusht në Serbi, apo Festivali i Filmit i Sarajevès, apo Festivalet e poezisë në Maqedoni etj.

Projektimi i Festivalit “Ditënetët e Librit”, ambiciet për ta shndërruar një Festival Ndërkombëtar Libri, me atraksione dhe topspeakers, me çlirëti e natyrshmëri “vrapim” drejt librit, me ndërhyrje nismash, ekoevenetesh në mes të qytetit apo në zonat e gjelbra të tij, në rrugë historike apo në rrethina me vlera turistike na shtyjnë drejt ngulmimit për një realizim ndryshe të Festivalit. Festivali “Ditënetët e Librit”, organizuar nga Klik Ekspo Group, mëtoi qysh në konceptim të ofrohej ndryshe, ndryshe nga të shumtat evente dhe panaire që javë pas javë organizohen, por fatkeqësisht pa sjellë asgjë të re. Industria e eventeve (nëse do të mund të quhej e tillë) është tepër e copëzuar, hera-herës e dëmtuar nga ndërhyrjet dhe mbështetjet pa kriter të institucioneve shtetërore ndaj organizatorëve pa asnjë profil a historik.

Herë të tjera organizohen evente vetëm për të pasur një ceremoni përurimi dhe aq. Show nis e bitis me ceremoninë disaminutëshe. Panairet po ashtu hyjnë në këtë listim. Përpos standardit të mjerueshëm të ekspozimit, panaire quhen edhe organizime gjithëfarësojsh, grumbullime pa kriter e koncept individësh e kompanish, me organizatorë herë shoqata, herë institucione, herë dhoma të tregtisë apo ndonjëherë edhe kompani rishtazi të krijuara, që eksperimentojnë në këtë sektor delikat siç është ai i panaireve. Do të zgjatesha shumë nëse do të përmendja rolin e panaireve si mjeti më efikas në studimin e hapësirave apo mundësive të të bërit biznes në tregjet specifike, historikun e panaireve apo traditën shqiptare të organizimit të panaireve etj.

Edhe qëllimi i këtij shkrimi është i ndryshëm. Pas më tepër se dy dekada ekonomi tregu, po aq edhe jetëgjatësia e sektorit të organizimit të panaireve, ka ardhur çasti i një ndryshimi. Eventet duhen studiuar që në ngjizje të konceptit, jo për të mërzitur a ushqyer monotoninë. Ekspozuesi apo pjesëmarrësi në event duhet edhe ai vetë të kulturohet për të qenë në një farë mënyre bashkorganizator. Nëse “skena” i përket “aktorit”, ky i fundit duhet të dijë të tërheqë me lojën e tij publikun. Nga ana tjetër, tipologjia e eventeve dhe konceptet mbrujtëse të tyre duhet të jenë të qarta. Ndryshe funksionon një panair-pazar e ndryshe një panair, i cili ka prioritet matchmaking dhe ekspozim. I ndryshëm është një festival libri nga një panairshitore librash.

Sektori MICE (Meetings/Incentive/ Convention/Exhibition) është një nga sektorët më interesant, i cili nëse zhvillohet dhe ecën në shinat e duhura, sjell jo vetëm të ardhura të mëdha për ekonominë në përgjithësi, por dhe krijon premisa të shëndetshme për zhvillimin e turizmit kongresual dhe atë të eventeve. Parë në këtë këndvështrim, Festivali “Ditënetët e Librit”, në edicionet e tij të ardhme, me përkujdesjen e duhur të organizatorit, do të arrijë të shndërrohet në një event kult për kryeqytetin, duke u veçanësuar si i vetmi në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, e duke tërhequr edhe vizitorë, autorë, botues, krijues e artistë ndërkombëtarë.

Ajo çfarë ia doli mbanë Festivali ishte efekti afatgjatë edukues, efekti i edukimit të shijes kulturore, përballja me një nismë fare të ndryshme që të surprizonte me bibliotekën-makinë të Lezhës, me pasditet e vona kushtuar poeteve, me germat e dizenjuara mes hije gërshetash, me vizatimet e kombinuara me fije floku, me portretet e shkrimtarëve të shquar parë nga syri i karikaturistëve, me skenën e dimensionuar madhërishëm ku të gjithë ndjeheshin protagonistë, me 80 aktivitete shoqëruese që nisnin në 10 paradite e mbylleshin gati deri në mesnate, me këndet e gjelbra dhe kafenenë e artistëve ku bisedat nisnin që herët mëngjeseve e mbylleshin në darkë vonë. Festivali ia doli mbanë që të kujtohet si ngjarje që i mungonte së përditshmes të kryeqytetit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura