Driada Dervishi: Pse kam provokuar me joshjen femërore

May 25, 2016 | 14:59
SHPËRNDAJE

Mund të ndodhë që një ditë regjisori të “çmendet”, të zhdukë tekstet dhe t’i detyrojë aktorët të improvizojnë në skenë.

1

Po sa efikase mund të jetë kjo? Dhe imagjinoni sikur një sherr i madh mes dy palëve të ndodhë pikërisht përpara syve të publikut. Dikush ngatërron radhën, një nuk e mban dot presionin e i këput edhe një shpullë kolegut, tjetri nuk e mban dot gazin dhe bën batuta në mes të interpretimit… sapo fillon dhe nxehet skena, regjisori i ndalon apo ndodh diçka që hedh në erë çdo gjë…

“Sonte do të luajmë pa tekst”, e shkruar nga Luigi Pirandello, nën regjinë e Driada Dervishit, sjell një atmosferë krejt të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar. Publiku ka mundësi të shohë një shfaqje brenda shfaqjes, të zbulojë paskuintat, situata nga më komiket, të shohë aktorët si mund të jenë ata vërtet në një proces pune.. por pas të qeshurave të forta, të përjetojnë edhe dramën.

EROS DHE THANATOS

E gjithë vepra është konceptuar nga regjisorja Driada Dervishi si një përplasje e erosit dhe thanatosit. Skena gjallon nga të rinj e të reja, me veshje sensuale që puthen e përqafohen, nga këngëtare kabareje që puthin balerinat apo “tutorët”, por nga ana tjetër, në një shtëpi-burg zhvillohet drama e Moninës, e cila po tretet nën xhelozinë e të shoqit. Një skenë rrëqethëse, ku ka dhunë verbale e fizike. Publiku arrin të ndiejë dhimbje, kur sheh se si Verri do t’i fusë duart në fyt së shoqes.

Regjisorja Driada Dervishi
Regjisorja Driada Dervishi

“Ashtu siç brenda një njeriut, qëndron dhe e mira dhe e keqja, edhe jeta përfshin edhe erosin, edhe thanatosin. Dashuria dhe vdekja janë gjithnjë të pranishme. Pirandello, jo vetëm si një shkrimtar i madh, por edhe si një filozof e njohës i mirë i jetës, ka krijuar një ekuilibër të dukshëm midis të dyjave në “Sonte luajmë pa tekst”.

Dhe duke qenë se ai e sheh teatrin si një metaforë të jetës, edhe në këtë pjesë erosi e thanatosi shkojnë përkrah njëri- tjetrit. Erosi, dashuria mendoj është tejet femërore, afron, bashkon, josh, krijon jetë, art. Thanatosi është e kundërta, ndan, shkatërron, burgos, por ama në fund, përmes tij, arrihet ndoshta liria. Ashtu siç, ikja e Monës (Adelina Muça), është pikërisht një simbol i lirisë, siç është dhe kthesë e madhe për Rikardin (Dritan Boriçi), pra një lloj rijetësimi.

Bukuria femërore, elegante, e sofistikuar, e ëmbël, dhe joshëse në koketërinë e saj, nuk ka arsye pse duhen fshehur. Femërorja duket sikur po zhbëhet, sikur ka frikë që të jetë e tillë, se mund të duket më e brishtë, dhe e dobët seç duhet. Arti në fund është i gjithi një provokim: emocionesh, ndjenjash, idesh, por dhe mentalitetesh. E nëse me këtë shfaqje ia kemi dalë, atëherë do të thotë që Pirandello, është po aq modern saç ishte dhe 86 vjet më parë!”, thotë regjisorja Dervishi. Dhe veç aktrimit, ajo luan edhe me koreografinë. Një pjesë “Otelloje”, një kërcim i mrekullueshëm i balerinëve, që ishte po ashtu një shfaqje më vete brenda shfaqjes së madhe. Dhimbja dhe gëzimi shprehen po ashtu mes muzikës. Vajzat La Croce këndojnë bukur, madje arrijnë të ngjisin edhe skenat e teatrove. Mes “Flautit magjik” dhe “Lacrimosa-s” të Moxartit, shfaqet komikja dhe tragjikja e jetës.

PSE PIRANDELLO

Mbasi ka provuar me Shekspir, Durang, Mrozhek, të cilat i lidhin me njëra-tjetrën, pikërisht elemente të teatrit në teatër, Dervishi provon me Pirandello-n. “Sonte luajmë pa tekst” është e gjitha si një dedikim për teatrin, i njerëzve të teatrit. Dëshira për të komunikuar, e për të përcjellë emocione, por edhe për të ndarë atë që ndodh shpesh pas kuintave të profesionit tonë.

Nga ana tjetër, vepra e Pirandello-s ka rëndësi të madhe, jo vetëm si një autor që vihet shpesh e me sukses në të gjitha skenat botërore, por edhe si një dramaturg që së bashku me Breht-in kanë një meritë të jashtëzakonshme në revolucionarizimin e dramaturgjisë botërore të ‘900, aq sa nuk do të mund të shpjegohej teatri i avanguardës dhe pasuesve të tij, pa bazën e këtyre dy autorëve themelues”, shpjegon Driada Dervishi arsyet pse zgjodhi këtë vepër aspak të lehtë për t’u realizuar.

“Ishte pikërisht mundësia që të jep vetë kjo shfaqje për të punuar nga njëra anë një spektakël skenik, një komedi etydesh, që lidhet me një lloj magjie që ndodh aty në sy të publikut, pa karta nën mëngë, e nga ana tjetër, drama që këta aktorë duan ta ndajnë me publikun, që të mos hezitoja për këtë zgjedhje.

Procesi i ndërtimit të shfaqjes të jep mundësi pa fund për ta ndërtuar çdo skenë si një muze me piktura të gjalla, si një libër me fotografi, ku çdo foto ka një vendndodhje të re. Pastaj kënga, ariet nga operat, baleti, kabareja, e çuan më tej dëshirën time të vjetër për një muzikal, për aktorë që këndojnë, që vallëzojnë si profesionistë të vërtetë. Nga ana tjetër, një dramë xhelozie, një dramë që më shumë i ngjan realitetit sesa trillimit, që jep një eksperiencë tepër të fortë emocionale, që shërben për publikun si një proces njohjeje, reflektimi kritik e racional rreth temave të mëdha që zhvillohen në jetë”, thotë ajo.

Dritan Boriçi, mes xhelozisë dhe improvizimit

Ai është një Otello, syverbuar nga xhelozia. Dashuria e tij është vrastare, mbytëse. Viktimë e kësaj sëmundjeje bie Monina, një nga vajzat e familjes La Croce, së cilës ai nuk ia falte dot jetën e mëparshme, të shthurur. Regjisorja Driada Dervishi i kishte besuar një prej roleve më të rëndësishme të shfaqjes, atë të Ricardo Verrit, aktorit Dritan Boriçi. Një rol që kërkon shumë energji dhe pasion, për të hyrë nën lëkurën e një njeriu të verbuar nga xhelozia.

borici

Sigurisht që ky rol, nuk ka asgjë të përbashkët me Dritanin në jetën e përditshme. “Rikard Verri është fëmija që nuk njohu prindër të dashuruar, iu mësua koncepti ‘familje’ si posedim. Shpesh, në karrierën time, kam bërë role që nuk kanë lidhje të dukshme me karakterin tim. Por, ndihem shumë mirë kur kujtoj se lulet në sallë m’i solli ime shoqe, Elda. Ndihem vërtet mirë”, thotë Boriçi për “Panoramën”.

“Sonte do të luajmë pa tekst” nxjerr në pah një raport të komplikuar mes regjisorit dhe aktorëve, mes autoritetit të imponuar dhe dëshirës për të qenë të lirë në interpretim. Për Dritan Boriçin, raporti mes regjisorit dhe aktorëve “është një raport besueshmërie që bëhet problematik, kur besueshmëria humbet, si në çdo raport njerëzor. Është një ‘mbushje mendjeje’, pranim brenda një logjike të nxjerrë nga analiza e tekstit. Përpiqem të kujtoj ndonjë ‘problem’ me Driadën gjatë ‘Sonte do të luajmë pa tekst’, por më rezulton se imazhi i saj regjisorial, ishte kaq bashkëkohor dhe profesional, sa na lejoi ta shijonim kënaqësinë e krijimit”.

Në shfaqjen e Pirandello-s, çka ua vështirësonte punën aktorëve ishte pretendimi i regjisorit për të interpretuar pa tekst, pra duke improvizuar, çka sigurisht i futi në “krizë” të gjithë. E megjithatë, improvizimi është pjesë e pandashme e lojës së një aktori.

“Çdo natë shfaqje është një improvizim. Para shfaqjes vërejtjet e regjisores, duhet menjëherë t’i improvizosh në mbrëmje. Improvizimi është sinqeriteti i aktrimit dhe në shfaqjen tonë ka me dhjetëra”, thotë Boriçi, duke premtuar një “tjetër” lojë në shfaqjen e radhës.

YLLKA MUJO: SI U NDJEVA NË SKENË ME TIM BIR

Më e re se të rejat, energjike, argëtuese, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të punuar dhe për t’iu përshtatur çdo roli, Yllka Mujo do të na tregonte sërish se është një nga aktoret e rralla të skenës shqiptare. Pas një roli të rëndësishëm në dramën “Mallkimi i fukarenjve”, aktorja vjen në shfaqjen e radhës, “Sonte luajmë pa tekst”, ku luan rolin e zonjës La Croce.

3

Ajo është bashkëshortja e një burri të mefshtë, që asnjëherë nuk e ka bërë të ndihet e plotësuar dhe nëna e tri vajzave të bukura, të cilave u ka dhënë gjithë lirinë e mundshme për të gëzuar jetën që ajo nuk e kishte pasur kurrë.

Pa nënvlerësuar punën dhe interpretimin e aktorëve të tjerë, mund të thuhet se Yllka Mujo, ishte aktorja që i ishte përshtatur më mirë pjesës së saj, si në rastin kur duhet të luante znj. La Croce, si kur duhet të dilte nga roli e të luante vetveten. Kjo hyrje-dalje në rol, në sy të publikut, nuk është edhe aq e thjeshtë, pasi edhe të qenët jashtë rolit, përbën një rol më vete, të cilin jo të gjithë janë të aftë ta kapin natyrshëm.

Kur e pyet se kë nga dy rolet kishte më të vështirë Yllka Mujo, ajo me modesti të përgjigjet se “aktori i madh Charlie Chaplin, në një konkurs ku imitohej Charlie Chaplin, pra ku i duhej të imitonte veten, doli i treti!”.

Por për Yllkën, e bënte edhe më të veçantë këtë shfaqje interpretimi me një prej fëmijëve të saj, që zgjodhën si ajo, rrugën e aktrimit. Një nga kandidatët për dhëndër, interpretohej pikërisht nga Amosi, i cili përmes disa rolesh në teatër dhe film, ka treguar se ka një të ardhme të suksesshme përpara.

“Ndryshimi i marrëdhënieve nga prind-fëmijë, në marrëdhënie kolegësh, ma shumëfishon ngazëllimin, kur i shoh dhe i ndiej që ecin me dashuri dhe përkushtim në këtë profesion”, thotë Mujo, e cila edhe më parë ka interpretuar me të bijën, Elian.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura