Drejtori që po vret mësuesin Naim Cani

May 24, 2015 | 17:53
SHPËRNDAJE

MARK MARKU

                       Kronika televizive që u transmetua para dy ditësh nga kanali televiziv ABC qe vërtet e tmerrshme. Kamera ndiqte një burrë të sëmurë gjysmë të paralizuar, që me stërmundim ngjiste rrugën nga Zall-Dardha në Nashkizë (fshatra në Dibër) për të mbërritur te shkolla e këtij të fundit.

Mësuesi gjysmë i paralizuar ishte 52 vjeç, quhej Naim Cani dhe duhej të bënte ditë për ditë rreth 12 km rrugë (siç thoshte gazetari) nga shtëpia e tij në shkollë e kthim. Kishte tre fëmijë dhe ishte transferuar një vit më parë nga Zall-Dardha, shkolla pranë shtëpisë së tij, ku jepte mësim për të dhënë mësim në shkollën e largët. Tha para kamerës se drejtori e kishte dhënë urdhrin për transferimin e tij dhe se ishte i detyruar ta pranonte vendimin dhe ta bënte këtë rrugë të stërmundimshme në diell, borë e shi, duke rrezikuar edhe jetën për të mbrojtur jetën e fëmijëve.

Historia ishte vërtet tronditëse dhe çdo koment është i tepërt. Edhe sikur të ishte film artistik, personazhet dhe ngjarjet do të konsideroheshin si të pabesueshme, spekulative, mizore. Por ja që ishte thjesht një shërbim televiziv, pa regjisurë dhe kamera lëvizte në hapësirë konkrete, me personazhe konkrete, duke na zbuluar një dramë të paimagjinueshme: një njeri real në zgrip të jetës, i ndëshkuar nga një drejtor real në zgrip të humanizmit, luanin prej një viti secili rolin e vet në një spektakël mizorisht antihuman. Dhe qindra banorë të dy fshatrave e bënin sehir këtë spektakël mizor.

Bënin sehir nxënësit, kolegët. Ndërkohë që tre fëmijët e Naim Canit prisnin ditë për ditë në shtëpinë e tyre babain hero, babain viktimë, babain e ndëshkuar nga fati dhe njeriu. Një vit, institucionet shtetërore bënin gjithashtu sehir se si masakrohej një qytetar i sëmurë, mësues, prind, përmes një torture që i sfidon edhe torturat e kampeve famëkeqe naziste dhe komuniste. Është e vështirë të gjesh fjalë për ta gjykuar një rast të tillë.

Çfarë të thuash: që drejtori duhet ndëshkuar dhe duhet të shkojë në Gjykatën e Krimeve kundër Njerëzimit? Që një i sëmurë nuk mund të masakrohet kështu? Që një shoqëri nuk duhet të poshtërohet deri në këtë pikë? Që një vend që lejon të ndodhin gjëra të tilla, ka pak shpresa për të dalë prej llumit të vet historik ku e ka zhytur veten, prej krimit, hajdutllëkut, mizerjes, vuajtjeve, mizorisë? Asgjë të tillë. Sepse ngjarja i thotë të gjitha, ngjarja zbulon gjithë banalitetin e së keqes që na ka mbërthyer. Ngjarja i thotë të gjitha dhe, gjithë çfarë thotë, përmblidhet në pak fjalë: ajo ka ndodhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura