Drejtori Labi: Duam 90% të të ardhurave që nxjerr Muzeu

Sep 1, 2015 | 13:57
SHPËRNDAJE

Ikona shekullore, objekte kishtare, kostume popullore e objekte të tjera etnografike për 5 vjet rresht kanë qenë të ekspozuara ndaj armiqve numër një të tyre, brejtësve. Prej pesë vitesh, Muzeu Historik Kombëtar nuk i nënshtrohej një procesi të domosdoshëm, siç është ai i dezinfektimit.

Melsi Labi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar
Melsi Labi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar
Dje, gjatë një konference për shtyp, drejtori i MHK-së, Melsi Labi, bëri me dije realizimin e këtij procesi, të cilin e ka marrë përsipër falas kompania “Air” në bashkëpunim me “Euromed” sh.p.k. Labi tregoi për rrezikun që pamundësia për të realizuar këtë proces i sillte trashëgimisë kulturore kombëtare, duke u bërë thirrje biznesmenëve e qytetarëve, që të ndihmonin në ruajtjen e kësaj pasurie.

Në pamundësi për të parë nga afër ambientet e fondit të muzeut, për shkak të pengesave ligjore (duhej marrë leje nga lart), drejtori tregoi përmes fotografish objektet e rrezikuara, si dhe insektet që lëviznin lirisht. Dezinfektimi i MHK-së do të nisë javën që vjen dhe kjo përbën vetëm fazën e parë. Faza e dytë do të vijojë në pranverë, duke mbyllur kështu edhe ciklin vjetor të dezinfektimit.

Sipas Labit, kostoja e kësaj procedure shkon nga 300-800 mijë lekë rinj. Por dezinfektimi ishte vetëm një arsye për të komunikuar me mediat. Drejtori Labi kishte një shqetësim tjetër. Ishte ai i ndryshimit të kuadrit ligjor për shfrytëzimin e të ardhurave të siguruara nga vetë institucioni.

Sipas tij, MHK derdh në arkën e shtetit të gjitha të ardhurat që mbledh nga biletat dhe arrin të mbajë vetëm 30% të parave që sigurohen prej shërbimeve të dyta që ofron institucioni.

“Klauzolat ligjore bëhen barrierë për ndarjen e të ardhurave që gjeneron MHK. Në këtë mënyrë, ne na privohet mundësia që të ushtrojmë aktivitetin tonë dhe t’i përgjigjemi publikut, si edhe të japim mendimin tonë profesional në ndihmë të muzeve të tjera në rrethe, të cilat vuajnë nga e njëjta problematikë, por që gjithashtu ruajnë vlera në fondet e tyre”, tha Labi. “Ne kërkojmë 70-90% të të ardhurave që gjenerojmë, ashtu si Parku i Butrintit, që rezultoi një operacion i suksesshëm”.

Ai u shpreh se në këtë kërkesë kanë edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, por këtë vendim e ka në dorë Këshilli i Ministrave. Sa u takon problemeve të tjera që paraqet ky institucion, Labi ka preferuar të mos flasë, me pretekstin se janë çështje që janë ngritur më parë prej tij, si në fakt ishte edhe kërkesa e vazhdueshme për 90% e të ardhurave (një kërkesë e përhershme nga të gjithë drejtorët e institucioneve kulturore).

Në lidhje me rikonceptimin e muzeut, drejtori u shpreh se tashmë kjo ka ndodhur, por ne “nuk e kishim marrë vesh me sa duket”…, duke marrë shembuj pavijonet e Terrorit Komunist dhe Nënë Terezës.

Në një kohë që prej vitesh dëgjojmë për sagën e Pavijonit Etnografik, që sipas vetë Labit ka mbetur peng i mungesës së dokumentacionit dhe proceseve gjyqësore, e po ashtu edhe për një pavijon të periudhës së socializmit, që premtohet nga të gjithë, por ka mbetur vetëm në letra… Apo mos janë bërë edhe këto dhe ne nuk e dimë akoma…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura