Drejtori i shkollës ku u dhunuan 12 nxënës: Mësuesi hynte në klasë i dehur

Mar 12, 2016 | 8:29
SHPËRNDAJE

Mësuesi Agim Muça ka dhunuar edhe herë të tjera nxënësit. Drejtori i shkollës së Ostrenit, i cili mbulon dhe aneksin e shkollës në fshatin Orzhanovë në Bulqizë, e pohon këtë.

Ndonëse mësuesi 63- vjeçar nuk e pranon edhe pas arrestimit se ka goditur të miturit, nga ana e eprorëve të tij pranohet se ka pasur ankesa. Drejtori i shkollës, Banush Koçi dhe nëndrejtori, Ilir Tola, mësohet se janë munduar që të zgjidhin ngjarjen në rrugë të tjera.

Agim Muca
Agim Muca

“Jemi informuar që me datë 4 mars se mësuesi Agim Muça kishte dhunuar nxënësit e aneksit të shkollës Ostren. Prindër të fëmijëve erdhën në drejtori dhe na thanë se mësues Agimi i kishte rrahur keq nxënësit. Ne,- vijoi Koçi- e vlerësuam seriozisht ngjarjen. Urdhërova nëndrejtorin të shkonte te kjo shkollë dhe të plotësonte një pyetësor. Prindër dhe nxënës nuk kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë dhe kanë kërkuar që të shkoja unë atje”, pohon drejtori i shkollës që mbulon dhe aneksin e Orzhanovës, Banush Koçi.

PYETËSOR PËR DHUNËN

Në fillim të kësaj jave, drejtori bashkë me nëndrejtorin kanë mbërritur në shkollën e fshatit dhe kanë realizuar pyetësorin: A jeni dhunuar nga mësuesi Agim Muça? Katër vajza të klasës së tretë dhe të pestë kanë shkruar në pyetësor se janë dhunuar nga mësuesi. Pas faktimit të ngjarjes, Koçi e Tola i kanë sugjeruar më- suesit Agim Muça t’u kërkonte ndjesë fëmijëve për gjestin e kryer, pasi në bisedë të lirë, pa praninë e prindërve dhe nxënësve, 63- vjeçari është shprehur se i ka rrahur disa nxënës.

“Ia bëmë të qartë Agimit se ky ishte një gabim i rëndë dhe se do të mbante përgjegjësi deri në fund. As atij dhe askujt tjetër nuk i falet të dhunojë nxënësit. Për këtë mësues ka pasur ankesa edhe herë të tjera nga prindërit e nxënësve. Ai është konstatuar i dehur në shkollë dhe kemi pas ankesa se shkonte herë pas here me vonesë në shkollë dhe i mbante fëmijët deri pasdite në mësim”, rrëfehen drejtori dhe nëndrejtori i shkollës Ostren, Banush Koçi dhe Ilir Tola.

DEKLARIMET Ndërkaq, zyrtarë të Komisariatit të Policisë Bulqizë thonë se ka kontradikta në deklarimet e fëmijëve dhe prindërve në lidhje me mënyrën e dhunës nga më- suesi në shkollën e fshatit Orzhanovë të Ostrenit. “Fëmijët Z.M., 10 vjeçe, Z.M., 13 vjeçe dhe E.M., 9 vjeçe janë shprehur në polici se janë dhunuar nga mësuesi Agim Muça, por në trup nuk kanë hematoma dhe shenja dhune. Asnjëri prej tyre nuk ka probleme me shëndetin.

Dosja në ngarkim të këtij shtetasi i është dorëzuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe 63- vjeçari akuzohet për veprat penale të “keqtrajtimit të të miturve” dhe “dëmtime të tjera më dashje”. Oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë e Bulqizës janë të rezervuar në prononcimet e tyre, por sqarojnë se deklarimet e fëmijëve dhe prindërve janë të ndryshme.

“Fëmijët pohuan në polici se janë rrahur me shuplaka e thupër, ndërsa prindërit thonë se janë goditur me dru e mjete të tjera të forta”, thonë ata. Megjithëse ngjarja ka ndodhur me datë 4 mars 2016, vetëm me datë 10 të këtij muaji ka bërë kallëzim në polici shtetasja L. Muça, nëna e njërës prej vajzave që ankohej se ishte dhunuar nga mësuesi Agim Muça.

BULQIZE/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura