“Drejtori, foli me oficerin gjerman dhe na shpëtoi nga pushkatimi, në celulën komuniste të Radio-Tiranës, ai vetë, u burgos si bashkëpunëtori i tyre…”/ Rrëfimi i aktores së madhe

Mar 7, 2023 | 7:23
SHPËRNDAJE

Nga Skifter Këlliçi   

Capture

Një pasdite nëntori të disa viteve të shkuara, ndodhesha në Tiranë, në shtëpinë e aktores së njohur Behije Levonja (Çela), ish-bashkëpunëtore e emisioneve artistike dhe muzikore të Radio Tiranës, në vitet 40-të, për t’u njohur me ngjarje e të dhëna që do të më vlenin për të shkruar kapitujt e parë të “Historisë së Radio Tiranës”, që sapo kisha nisur ta përvijoja. Kisha dëgjuar për një aventurë tragjikomike, që kishte kaluar në janar të vitit 1944, kur një grup i vogël ushtarësh gjermanë, ia kishin behur pa pritur e pa kujtuar në mjediset e Radio Tiranës, por ato që më rrëfeu ajo, kaluan çdo parashikim timin. Dhe unë do t’jua rrëfej, pikë për pikë, ashtu siç ma rrëfeu ajo:

Dëshmia e Behije Çela (Levonja)

“Atë paradite të këndshme, pak javë pasi kishte kapitulluar Italia fashiste dhe vendin e tyre e kishin zënë nazistët gjermanë, – zuri të fliste Behija, me atë të folmen e saj të veçantë gegërishte-toskërishte,- u ndodha në Radio, kur bamp, ia behu në oborrin e vogël të Radios një kamion, nga i cili zbritën turravrap një kapiten dhe tre ushtarë gjermanë me automatikë, surrat ngrysur e buzë qepur.

Sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë e pas meje katër a pesë të tjerë, të shtyrë nga ushtarët që na rrinin si xhebrailë mbi kokë, e pamë veten majë kamionit. Pas ca dekikash, pamë kapitenin gjerman që zbriti shkallët e godinës me drejtorin e Radios, Gjegj Bubanin. Edhe ai u ndodh midis nesh. Me t’u futur në kabinë, kamioni, duke lëshuar ca gërvima vesh çjerrëse, u shkund e mori me revan përpara.

Vetëm atëherë pashë se tok me mua sipër kamionit, veç drejtorit, ishin tre italianë, që të tre punonjës të Radios, që kishin mbetur aty pas kapitullimit të fashistëve: Mario Etore, pianist; Umberto Rampi, dirigjent orkestre dhe Antonio Galeaci, inxhinier radio-teknik. Ishin dhe nja dy punonjës të tjerë të rinj, që nuk i njihja dhe një biçim pijaneci, të cilin e kisha parë dhe nja dy herë të tjera para godinës së Radios, në gjueti të shefit të kuadrit, siç duket për ndonjë punë; ishte dhe Pjetër Gjini nga Shkodra, muzikant, këngëtar dhe aktor komik i “Orës gazmore”. Të tërë, veç drejtorit, dukeshin pikë e vrer.

Me që e kisha pranë, me një fije zëri që po më këputej, siç po këputesha vetë, e pyeta: “Ku po na çojnë, Pjetër”?! “Mos e prish terezinë, se me siguri diku për ndonjë koncert. A nuk e shef se kam me vedi edhe kitarën”? Me të dëgjuar këto fjalë, të tre italianëve, u shkoi buza vesh më vesh. Ç’është e vërteta, ushtarakët italianë na kishin ftuar disa herë për koncerte në reparte ushtarake, ku ishim të detyruar të shkonim.

Ndaj dhe unë u besova fjalëve të Pjetrit, që kurrë nuk e bënte qejfin qeder. Kurse pijetari pranë nesh, që siç duket kishte rrëkëllyer më shumë gota se herët e tjera, pyeti si pa të keq, duke kruar hundën si domate e tejet pjekur: “Si djallin nuk qenka këtu, ai shefi i kuadrit që plasa duke e kërkuar”?! Nja dy punonjës të tjerë të Radios, ca më tutje, rrinin si të nemitur. Kur kamioni mori kthesën nga Rruga e Durrësit dhe që andej bëri drejt Burgut të vjetër, nuk m’u durua pa i thënë prapë Pjetrit, por këtë radhë, me gjysmën e fijes së zërit, që më kishte mbetur:

“Mos do të na rrasin brena”?! Po Pjetri gjithnjë avazin e tij: “Të thashë pra, në koncert po shkojmë”. E vërteta, unë këngëtare, Pjetri edhe ai këngëtar, instrumentist, pale gaztor i pashoq, Mario, që të bënte të qaje në piano, e Rampi drejtues orkestre, që luante majë gishtash edhe disa vegla të tjera, e nxirrnim si pa të keq një koncert. “Po këta të tjerët, që nuk janë artistë, ç’duan me ne”?! – e pyeta rishtas Pjetrin. “Kan me kenë si të ftuem në koncert”, – ma priti ai.

Kur kamioni kaloi dhe Burgun e Ri, atëherë e fjeta mendjen se ne nuk do të na kallnin në burg dhe se fjalët e Pjetër hokatarit, që me ato mustaqe spic e kokën tullë, e cila i për ndriste si poçe kristali nën rrezet e diellit, nuk ishin pa vend. Dhe, ja kamioni ndali në një shesh të shkretë, jo shumë larg lumit të Tiranës. Kapiteni, me të dalë nga kabina, na urdhëroi të zbrisnim të tërë. Dhe ne ashtu bëmë, të rrethuar nga tre ushtarët gjermanë.

Pa humbur kohë, kapiteni, një burrë me fytyrë të rreshkët e sy si të maces, m’u afrua mua, që po më dridheshin leqet e këmbëve dhe më dërdëlliti ca fjalë, nga të cilat në formë pyetjeje, unë kuptova llafin e fundit: “…komunist”? Ja si qenkësh puna… Ai më pyeste në isha apo nuk isha komuniste. “Najn”,- u përgjigja aty për aty. Unë (dhe vura dorën në gjoks), zinger, la…la..la”.

Ai tundi kokën dhe i’u drejtua Marios me të njëjtën pyetje: “Komunist”? “Najn”, – qe përgjigja e Marios, që duke u rrekur të buzëqeshte, ngriti dy duart në hava e, nisi të lëvrinte gishtërinjtë. “Unë pianist… Bethoven. da…da …da…”,- duke belbëzuar kësisoj, tinguj nga Simfonia e 9-të…! Gjermanit nuk i lëvizi qerpiku dhe iu kthye Rampit, prapë me atë pyetje: “…Komunist”?

Si Mario ashtu dhe ky, nuk donin të dëshmonin kurrsesi se ishin italianë, se atyre gjermanët, si aleatë të humbur, nuk ua bënin të gjatë, ndaj, pasi i shpëtoi krejt pa dashur një “…dirigjente…”, kur pa që ‘nemci’ rrotulloi me habi qoklat e syve, ia priti: “Konduktorist” dhe lëvizi duart gjasme, sikur po drejtonte orkestrën. “Ja…ja…”, hungëroi ‘nemci’ dhe bëri një të kthyer nga pijaneci hundë domate, me të njëjtën pyetje. Sarhoshi, sajoi një biçim buzëqeshjeje dhe ia ktheu nemces me rimë “Rakist, rakist”, dhe u mat të rraste dorën në xhepin e majtë të setrës, dalë boje.

Kapiteni vrikthi i mbërtheu dorën me shputën e tij sa të një ariu, ndërsa ushtari i mbështeti në grykë rrezikziut tytën e automatikut. Atëbotë, hunda e kuqe, erdhi e u bë verdhacuke, si ato specat që nuk piqen kurrë e, sytë i’u shqyen sa një filxhan. Në këto e sipër, kapiteni i futi dorën në xhep, ku me sa duket priste të gjente ndonjë patllake, por mbet i zhgënjyem, se nxori prej andej një faqore.

“Unë …shshshnaaapist”, bërbëliti i gjori sarhosh, tek e shihte veten me një këmbë në tokë e, tjetrën në parajsë a ferr, dreqi e di. Pasi i mori erë, kapiteni ia la faqoren në dorë sarhoshit dhe ulëriu me një zë të vesh çjerrës: “Ku janë komunistët”?

Atëherë Gjergj Bubani, drejtori i Radios, iu afrua e diç foli me të, me një zë të qetë, frëngjisht a gjermanisht, këtë nuk e mora vesh, por siç na tregoi më vonë, i kishte lënë të kuptonte se në Radio, nuk kishte komunistë. Kapiteni e këqyrte me dyshim. Kaluan kështu disa minuta. Rampi me dorën që i dridhej, na tregoi një gropë dhe belbëzoi:

“Ja gropa jonë e përbashkët”. “Kaq e patëm…”, – psherëtiva unë, po Pjetri hokatar edhe në ato çaste, sqaroi se, ajo qe gropë e shkaktueme nga ndonjë bombë. “Po dheu është fresco – fresko”, – vazhdoi Rampi, me zërin e tij qaravitës…! Mirëpo, Pjetri si Pjetri: “Gjermanët e duan natyrën dhe e kanë zgjanue, se duan me mbjellë ndonjë pemë të madhe, sa gazepi”.

Na pëlqente t’u besojshim fjalëve të Pjetrit, kur tamam jeta jonë varej në fije të perit. Pa le po edhe sarhoshi, që na ishte bërë esëll e, mbështeti Pjetrin. “Tamam ashtu është, ata kanë ndjenja delikate”, – tha ai – duke na bërë të kthejmë kokat nga ai. “Po ti, t’ia kishe mbyllur kapakun asaj shisheje or burrë, se të qenka derdhë rakia e të ka bë helaq”. “Ah, po s’është rakia or vëlla, më shpëtoi ajo dreq shurrë…”! Për të qarë e për të qeshur, po hajde qesh po deshe…!

Ai kapiteni shihte orën, sikur diç priste, ndërsa ushtari, vendosi mitralozin tri këmbësh përballë nesh dhe po merrte shënjestër, më duket italianët. Në veshët e mi, ushtuan krisma pa fund… të parët u rrokullisën italianët, pastaj sarhoshi i pshurrur, plumba ranë edhe mbi mua, por unë vazhdoja të qëndroja më këmbë. Përpëlita sytë, i mbylla e i hapa disa herë dhe më së fundi, kuptova se shihja ëndërr me sy hapur; të gjithë ishin gjallë e, në pritje të mynxyrës që na priste…!

Papritmas, një veturë u shfaq e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, tonën e të gjermanëve. Zbriti Mihal Zallari, bashkëpunëtor dhe përkthyes i gjermanëve, po edhe i njohur i drejtorit të Radios. Nuk u mor vesh nëse, kapiteni priste përkthyesin apo drejtori e kishte lajmëruar Mihalin, me telefon, por është fakt se ai, na shpëtoi: diçka foli me zë të ulët me kapitenin, që tundte kokën në shenjë pohimi, duke folur edhe ai, po tashmë me qetësi, ndërkohë që Mihali, na dha lajmin se ishim të lirë…!

Një vit më pas, kur Shqipëria ishte çliruar dhe shumë gjëra ishin ndryshuar, tek shihja Todo Bojdanin, Muharrem Pirdenin, Hysen Pelingun, Spiro Qirkon, Tasi Kanxherin, Nazim Batallin, Kaliopi Priftin e të tjerë, që kishim qenë në prag të vdekjes atë ditë, u thosha: “T’ja dimë për nder Gjergj Bubanit, se prej atij jemi gjallë”. Dhe ata pohonin me dhembshuri dhe e treguan këtë edhe me vepra:

Dëshmuan në gjyqin special (ku ish-drejtori akuzohej padrejtësisht si bashkëpunëtor i pushtuesve), se ai kishte shpëtuar nga ekzekutimi, celulën komuniste që vepronte në Radio në ato vite të vështira. Nuk di sa ndikoi dëshmia e ish-komunistëve, sepse Gjergj Bubani, u dënua me 15 vjet burg, që më pas i’u kthye në 6 dhe sapo doli nga burgu, ai vdiq,- përfundoi rrëfimin e saj tragjikomik, Behije Çela (Levonja). Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura