Drejtori 9 vite më i madh se Partizani, Luçiano Moxhi feston ditëlindjen e 80

Jul 10, 2017 | 10:47
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Luçiano Moxhi, sot mbush 80 vjeç, një përvjetor ndryshe për ish-drejtorin e famshëm të Juventusit, i njohur edhe si magjistari i merkatove në Itali. Ndonëse Moxhi është 9 vite më i madh se Partizani, i themeluar në vitin 1946, klubi i ka varur shpresat e sezonit të ri te puna e tij.

moxhi demi

Pas eliminimit nga Liga e Europës, Partizani pritet që t’i nënshtrohet një revolucioni të thellë, i cili do të jetë i gjithi sipas planeve dhe ideve të ish-drejtorit të Juventusit. Për momentin, dashamirësit e “demave” janë gjithë “sy e veshë” nga 80-vjeçari, i cili parashikohet të ndërtojë një Partizan të denjë për t’u kthyer pas çerekshekulli te titulli kampion.

Trajneri Starova ka deklaruar një ditë më parë për “Panorama Sport” se presidenti Demi i ka varur në qafë Moxhit çelësat e klubit dhe se do të jetë ai që do të riorganizojë gjithë strukturat e klubit, si dhe priten goditjet e tij në merkaton e verës. Gjithsesi, plani i Moxhit te Partizani pritet që të zbulohet pas festimit të ditëlindjes së tij të 80-të.

Ka zëra se në festimin e këtij përvjetori të “Big Luçianos” do të marrë pjesë edhe presidenti i Partizanit, Gaz Demi. Luçiano Moxhi ka lindur më 10 korrik 1937 në Monticiano, provincë e Sienës. Në vitin 1994, nisi epoka “Moxhi” te Juventusi, por sukseset dhe fama e arritur me bardhezinjtë u mbyll me skandalin e “Calciopoli”-it në vitin 2006.

Për përfshirjen në këtë skandal, Moxhi është dënuar përjetë nga të qenit aktiv në futbollin italian, por kjo nuk e pengon që ai të punojë aktualisht në Shqipëri. Përpara punës te Juventusi, drejtori i përgjithshëm i Partizanit ka bashkëpunuar me Torinon, Napolin, Romën dhe Lacion.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura